Eh moj vdekje!
( Kushtuar shokut dhe mikut tonë Nuri Dragoi, që vdekja e rrëmbeu pardje)
Pse moj vdekje ke rrëmbyer spatën si druvar, Si e çmendur, si e dehur po vrapon nëpër pyll? Menduam se u lodhe gjithë këtë behar, Sot erdhe na i shuajte dhe një tjetër yll.
I pamëshirshëm druvar, ku fshihesh që s'të shohim, Kush t'i zgjedh drurët që me spatën tënde i pret? Pse s'na përhumb nëpër mjegull, që mos të të njohim, Po vjen stuhi me zhurmë, me tmerr dhe na bërtet? Eh, pleqëri mjerane, që vjen duke çaluar, Në derë na troket që pa mbushur shtatëdhjetë, Pse s'ndale rrugës ti mysafire e paftuar, Pse pret ti muzgun, të na afrohesh qetëqetë? Dje ishte këtu, sot vjeshta hedh gjethe mbi të, Në sytë e tij lexohej vetëm mirësi, U fik një dritë më shumë, dheu si e nxë?, Të presim ne Nuri, po të presin në shtëpi. Moj pleqëri e pabesë, vjen pa të kërkuar, O Zot, pse e lë të na afrohet pa u ndjerë? Kur e harrojmë, ashtu si dimrin në të shkuar, Ajo si e verbër na përplas dimra të tjerë. Ku fshihesh moj e zezë, me kosorin në duar, Si e çmendur ke marrë vrapin ditë dhe natë, Ke nxitur pleqërinë që afrohet e truar, Pas saj, ti e pashpirt na korr si barin e thatë. Po shpirti nuk të dhëmbi, nuk t!u drodh moj druvare? Pa ç'them dhe unë i marri, vdekja shpirt nuk ka, Mbi jetët tona endet ajo hije qyqare, Na merr miq e shokë, na lë pa nën ' e baba. Do të kujtojmë Nuri, je lis i parrëzuar, Edhe pse për kafe më me ne nuk do vish ti, Si gjithnjë i heshtur, mbase edhe drithëruar, I padukshëm do ulesh pranë nesh përsëri. Pajtim Xhelo, 17 tetor 2020
Te lumte pena Pajtim!! Nje poezi dhe vargje shume te ndjere ndaj vdekjes qe na mori mikun dhe shokune mire, qe nuk do ta kemi me mes nesh. Na mori krijuesin dhe studiuesin e thekur ndaj çeshtjes kombetare. Keshtu ne humbem nje luftetar te radheve te para! Ai do jetoje ne mes veprave te tij, qe jane shperndare ne duart e atdhetareve, por edhe te atyre qe ferkojne duart nga ligesia.