top of page

EDHE TI BRUT!


EDHE TI BRUT!

(Shënime nga nëntoka kulturore e Prishtinës, në Kafe Amaro, 1 )


-paska plagjiatuar Ismail Kadare nga poeti grek Niko Kanzanzakis te poemthi “Perse mendohen këto male” dhe jo vetëm këtë-


...Dhe erdhi Abdylrrezakhalimi, i biri i Jozefinës dhe Markshalgjatit, me shqetësimin prej historiani të letërsisë e me zjarrminë prej shpirtit të kombit. Dhe u ul në tavolinë, e duke hapur gjoksin prej profesori të sapodoktoruar vazhdoi në stilin e dikurshëm të idhullit të tij Ramiz Kelmendi:

Kush po thotë se kam bërë plagjiaturë në doktoratën tim, kush po thotë se kam shkruar magjistraturën duke përtypur tezat e mentorit tim për krijimtarinë letrare të Ismail Kadaresë? Kush po thotë se kam mbrojtur doktoratën duke përtypur diskursin e mentorit tim për veprën letrare të Rexhep Qosjes? Çfarë janë ato që kam plagjiatuar unë në krahasim me plagjiaturën e kolegut tim në veprën e shkrimtarit serb Millorad Paviq, e ju po heshtni dhe nuk po flisni së paku në Kafenenë Amaro! Sa shumë njolla ka sot kultura jonë, gjuha jonë, historia jonë, trashëgimia jonë, letërsia jonë, muzika jonë, arti ynë, filmat tanë e ju merreni vetëm me mua.

Për më tej unë kam zbuluar edhe një mal njollash në letërsinë shqipe, që nga Gjon Buzuku e deri në ditët tona: Kishte plagjiatura Gjon Buzuku në “Mesharin” e tij të përshtatur poshtë e përpjetë, sikur do të thoshte Adem Demaçi, desha të them Baca Adem; kishte plagjiatuar Konstantin Kristoforidhi në poezinë e tij “Ylli i vogël lart në qiell” prej një anglezi, djalli e mori si më doli nga mendja; kishte plagjiatuar Naim Frashëri nga poeti francez Pierre de Ronsardi dhe madje nga disa poetë të letërsisë perse; kishte plagjiatuar Çajupi nga La Fonteni, pa sukses që të bëhet francez; kishte plagjiatuar Gjergj Fishta nga shkrimtari malazez Njegoshi dhe për këtë e kam dëshmitar Migjenin, por mund të jetë shpifje sepse këtë do ta ketë thënë Migjeni kur vetë mendonte se Fishta është më shumë ‘cernogorc’ a latin, i ndikuar nga Mazhuraniqi, se shqiptar; kishte plagjiatuar edhe Migjeni “duart e mërdhira a të ngrira nuk më kujtohet” nga poeti kroat Mirosllav Kërlezha;




A është e mundur, si është e mundur, a është e vërtetë, se gjatë qëndrimit në Lidhjen e Shkrimtarëve të Serbisë, Dhimitër S. Shuteriqi, në vitin 1945 paska ndarë mendimin me Mirosllav Kërlezhen, që të shkruajnë poemthat “O Tito” dhe “O Enver”(!); paska plagjiatuar Ismail Kadare nga poeti grek Niko Kanzanzakis te poemthi “Perse mendohen këto male” dhe jo vetëm këtë; më të mirën poezi, më të bukurin tekst të këngëve tona “Kur të jesh mërzitur shumë”, Dritëro Agolli e paska plagjiatuar nga një tregim i shkurtër i shkrimtari rus i frymës europiane, Turgenjev; paska plagjiatuar Ali Podrimja nga shkrimtari rumun i proveniencës serbe Vasko Popa; paska plagjiatuar shkrimtari Beqir Musliu nga shkrimtari serb Branko Milkoviq etj.

Ishte edhe një plagjiator i llojit të vetë. Kur në Kosovë, të gjithë shkrimtarët dremisnin e përjargeshin në llumin e modernizmit, shkrimtari e profesori ynë i adhuruar nga ilegalja jonë, Agim Vinca, plagjiatonte dhe botonte në revistat që shtypeshin në Prishtinë, sikur thonë, “me kokë në trastë”, letërsinë realiste që krijohej në Shqipëri.

Po ky? Po ky kolegu juaj? Po ky patrioti juaj, ku e gjeti Milorad Paviqin, ta emitonte, në të vërtetë të frymëzohej pikërisht nga më i zjarrti nacionalist i proveniencës shoviniste serbe! Si e gjeti ai në nëntokën e burgjeve serbe? E për më tej, u frymëzua prej tij!

Ruana Zot!

18 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page