top of page

Edhe mali iku…


Edhe mali iku…

Nga Fatmir Terziu


Dhe iku…

Iku, ndërsa loti ynë u bë një rrokullamë në mjedisin ku vetëm loti mund të shfaqet. Dhe ne pamë njëri-tjetrin. Pamë përqark. Shikuam dhe sytë na mbetën lart. Pëshpëritëm. Nuk donim të nxirrnim fjalë. Vetëm mall. Ripëshpëritëm. Shpirti i tillë është si një mal. Dhe mali është i madh. Është i ndjeshëm. Është i gjerë. Është real. Është legjendë. Është përrallë. Është mal.

Është mal… Çdo bar rritet në të. Çdo lloj mize. Çdo lloj gjëje e egër fshihet në shkurre. Aty struket e gjitha. Aty është fryma. Çdo lloj fryme i pëshpërit hallit. Të duhet një jetë për të parë një nga sekretet e malit. Aty është edhe shpirti juaj. Duhet një jetë për të njohur të paktën një pjesë të vogël të skutave të errëta të shpirtit tuaj.

Një vegim do të kalojë atje pa lënë gjurmë pas tij. Dhe e gjitha është ajo që mban atë që e ka. Një gjurmë që do ta shihni diku pa e ditur se çfarë la. Dhe kështu pëshpërima mbetet e thatë. Një frymor rrallë do të guxojë të mbajë një sëpatë. E si do të guxojë të hyj?! Të hyjë për të prerë e për të bërë shtigje në shpirtin e tij.

Ai është jo thjesht një mal. Pra, le të mos habitemi që shumë shtigje janë tejmbushur dhe dremitin të fshehura në bar. Shumë gjemba janë përhapur. Shumë ferra kanë mbetur. Shumë të tjera gjëra janë fshehur. Janë strukur. Janë zhdukur. Mali është mekur. Kush e kërkon të vdekur?!

Dhe kudo mungon një pikëz dritë. Ka errësirë. Nuk ka më fllad të shlirë. Po i ikin dhe i avullojnë erëzat. Dhe ka shumë hapësirë ​​për grerëzat. E në ikjen e tillë askush ende s'e ka kuptuar. Bota është mjaft e hutuar. E njeriu i letrave mbeti duke shkruar. Duke kërkuar. Duke menduar. Duke u përhumbur kur faktet shfaqen në botën e dhisë së vetmuar. Diçka e lashtë fillon të piqet në botën e brendshme dhe shpirtrat që të kujtojnë veten e harruar.

Fundja çfarë ndodh nëpër male? A është njeriu në gjendje të bëjë dallimin midis halucinacioneve dhe botës reale? Një ditë, disa tenda shumëngjyrëshe shfaqen vetëm shishe, mezera, vallëzime, dhe e gjitha vetëm për lajme. Një grup eksploruesish mbërrijnë në rajonin e syve. Por thjesht, argëtohen, djegin, pjekin dhe nuk shikojnë më përtej tyre. E kështu mali po ikën kohë pas kohe. Po ikën. Dhe iku… për të kërkuar vetevetn diku në piktura shkëmbore.

16 views0 comments

Commentaires


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page