top of page

ECJE E PANDALSHME


Vullnet Mato


ECJE E PANDALSHME


Eci me frymëzim përfytyrimi, kurdoherë,

pa ditur, ku ndodhet fundi i rrugës sime;

mbase në fundin e një oqeani të thellë,

ndoshta prapa Hënës, ku s’ka fare agime.


Eci, se qëkur linda, kam brenda trurit,

pergamenë gjaku, me mision të shkruar,

ku një fuqi madhore, më ka lënë urdhrin,

me itinerar jetësor, në gen të programuar;


Kam në buzë, trëndafil me patale fjalësh,

në dorë, degë ulliri me gjethe paqësore.

Njerëzve që takoj, u dhuroj puthje vargjesh,

buzëqeshje shprese, me ngjyra ylberore.


Eci me gjurmët e padukshme të erës,

shkel me kërcinjtë e ujshëm të shiut,

fluturoj me flatrat e avullta të reve,

nga ekuatori, në polin e Jugut e Veriut.


Kam treçerek shekulli, në këtë ecje revan,

paralelisht me dritën, krah rrezeve diellore,

përshkoj çdo paralel, kapërcej çdo meridian,

akrepat e orës kanë vërtitjet e mia kohore.


S’jam endacak pa strehë, e vatër familjare,

kam dhe në Antarktidë, një shtëpi akulli,

në Madagaskar, një jaht për fjetjen detare,

kudo në glob, shtratin bosh të një orakulli;


Në ecje, duhet të mos e ndal kurrë tempin,

sikur të jem, një shpend shtegtar i foleve,

derisa rrezet diellore, të më gdhendin emrin,

në kujtesën e pavdekshme të erërave dhe reve.


Vetëm kur të plotësoj misionin e kësaj jete,

do të më ndalen, truri, zemra dhe fryma,

të fle në qetësinë e prehjes së përjetshme,

duke lënë pas vargje, shkruar me vetëtima...

13 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page