E papritura e dramës së Shpendi Topollajt



Fatmir Minguli

Nga Fatmir Minguli


E papritura e dramës së Shpendi Topollajt

(Meditime mbi dramën “Ata ishin njerëz” të Shpendi Topollaj, 2M printing, Durrës 2020)

Ja ç’ gjynahe përmbi tokë

Bëjnë njerëzia;

Vashëzën pa faj në botë

Ndajnë nga shtëpia.

Taras Shevçenko

Në ditët e turbullta thonë se ka qetësi, në ujë dhe në tokë. Por me shkrimtarin Shpendi Topollaj ndodh ndryshe. Pa mbaruar akoma mirë turbulencat mendore të postcovid-19, ai u paraqit në shtëpinë botuese “2Mprinting” për të botuar dy libra të rinj të tij, një dramë me titullin “E përdala” dhe tjetrën dramë “Ata ishin njerëz”.

Aspak lidhje iluzive nuk ka mes këtyre dy dramave por edhe pse me subjekte të ndryshme ato kanë një të përbashkët: u realizuan në kohën që harxhon shkrepëtima e rrufesë. Nga romani “Kurva” doli drama ” E përdala”, nga romani “Pushkatimi” doli drama “Ata ishin njerëz”.

Desha të ndalem në dramën e dytë, por nuk do të thotë se nuk do të ndalem dhe te drama tjetër dhe jo për të bërë diferencim mes tyre por për të shprehur disa konsiderata që kanë të bëjnë me shpirtin krijues të Shpendi Topollajt.

Kjo dramë ka një biografi të saj, një mistikë ku mbështillen e ç’mbështillen ide e mendime, paralele e befasira që e kthejnë dramën “Ata ishin njerëz” në një vepër artistike me vlera të veçanta. Pak a shumë thelbi i dramës është persekutimi i heroit majorit Thoma Rafaeli deri në pushkatimin e tij mizor sepse nuk iu nënshtrua diktatit nga forcat e errta që i shërbenin udhëheqësit Enver Hoxha. Drama ka shumëfishet e saj me gruan ruse Maja, me shokë të një bindjeje si poeti Trifon Xhagjika etj.

Mistika fillon me thirrjen që i bën i madhi i skenës, i fundmi i regjizorëve të plejadës, i paharruari Mihallaq Luarasi Shpendit, pasi kish lexuar romanin “Pushkatimi”, thirrje që së bashku ta bënin dramë këtë roman. Ai i kishte thënë shprehimisht:

“ Intuita profesionale më thotë që do dalë diçka e mrekullueshme dhe që nuk do të na mundojë shumë, pasi dialogjet janë pothuaj të gatshme.”

Kjo është mistika e parë e brenda saj, pengu i madh shpirtëror i Shpendit.

Mistika e dytë është e lidhur me një ngjarje tejet prekëse me aktorin durrsak, të ndjerin Vangjel Heba i cili tek parandjente vdekjen e afërt të tij iu lut Shpendit që në varrim ta mbante ai fjalën homazh. Shpendi e mbajti fjalimin e ai fjalim u përcoll te fryma e kësaj drame. Dy mistika që lidhen me theatrin.

E si mund të mos bënte dramë Shpendi Topollaj?! Janë të dyja dramat e tij që na sjellin imazhet e këtyre dy figurave të mëdha të artit skenik shqiptar. Një amanet që përskuqet në largësitë qiellore e që afrohet pranë rreshtave të shkruara në librat e dy dramave.

-“O Shpendi Topollaj- thërret studiuesi durrsak Kadri Tarelli kur lexoi të dy dramat– po ku ishe më pare, o miku im që nuk je marrë edhe me këtë gjini?”

Eshtë dhe kritiku i madh rus Bjelinski që po kështu i shkroi Pushkinit kur ky mbas shumë veprave të tij filloi të shkruaj drama: “

“Liriku i mrekullueshëm, ishte gati të bëhej një dramaturg i shkëlqyer.”

E Shpendi Topollaj mban çmimin “Pushkin” akorduar nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe artistëve të Rusisë.

Jemi brenda dramës “Ata ishin njerëz”. Ajo tashmë ecën me këmbët e veta, plot shëndet e ushqyar nga rreth 60 libra të botuara prej tij që nga viti 1996 e deri më sot. Ajo derdhet këndshëm si një katarakt plot rrëzëllim që i sjellin metaforat dhe figurat e tjera artistike të tekstit të saj.