top of page

E mprehtë dhe krejtësisht unike, poezia e Valbona Ahmetit


E mprehtë dhe krejtësisht unike, poezia e Valbona Ahmetit

Fatmir Terziu


Valbona Ahmeti është një zë emocionues në poezi, një zë i mprehtë dhe origjinal që trajton çështje jetike të politikës njerëzore dhe trashëgimisë kulturore. Secila poezi në postimet e saj të kohëve të fundit, duket se ka një histori për të treguar, për arsyetimet familjare, rreziqet e largësisë, kontrollin e udhëjetës, ose zgjimin ndjesor, histori që janë, nga ana tjetër, emocionalisht të thella, të ndërgjegjshme kulturologjikisht, të mençura, frymëzuese dhe të ndjera. E tillë, e mprehtë dhe krejtësisht unike, poezia e kësaj autoreje përfshin përvojat e saj personale, të gjitha këto të mbuluara në tempin dhe vrulli jetës e të përditësisë. Në poezinë e saj bëhet fjalë për dëshirën dhe zhgënjimin, jo për të marrë atë që duhej të ishte në thes, por për të përfunduar me diçka tjetër, diçka të papritur, por në fakt disi të bukur.

Zëra shprese“ është poezia e saj që ka në thelb lirinë e ëndërruar, sepse ka të bëjë me një kohë që i ngjan një kulmi, një gjendje të të qenit gjithëpërfshirës i dashuruar me këtë liri, duke mbajtur frymën gjatë gjithë kohës (e mbani mend këtë?), as unë, jo plotësisht (përveç përmes kësaj poezie, poezitë shpesh i dinë dhe i kujtojnë gjërat më mirë se ju). Poezia është edhe një përkujtim dhe një derë e hapur për të kuptuar veten, para dhe pas, përmes lenteve të të qenit i dashuruar me lirinë dhe i zhgënjyer „me premtime boshe“. Në këtë poezi vargjet „ëndrrat mbetën përralla harbuar qiejve/vrullin rinor vrasin dëshirat e cunguara“ flasin mjaft mirë në këtë konotacion zhgënjimi. Ndërsa „avazi i mërgimit është shortuar/n’shpirt gërryen gërmadhë shtegtimi/n’këtë liri të prsalindur/dëshirës së moçme iu vu pikëllimi“ janë pikërisht vargje që shkojnë në thelbin e këtij konotacioni. E kështu auroja e kësaj poezie shkon më thellë kur thekson se „dryni shekullor hap shtegun e udhëtimit/Zëra shprese kalërojnë në ditën e mbytur“. Me këtë poezi Valbona Ahmeti natyrshëm tregn se rrënjët e lirisë janë në aspektualitetin e tyre një faktor që flasin dhe tregojnë dimensionin evetë lirisë.

Poezitë e saj në fakt janë si prurje didaktike në një grup krijues. Ndikimet ndoshta mund të gjenden në të gjitha prurjet e saj, si një shtysë ushqyese dhe frymëzuese në këtë pikë. Dhe në botën e saj, kjo duket qartë se rrëfen prerazi ka poezi që duhet të lexohen, edhe kur në fakt poezi të tilla që mund t'ju duken tepër depërtuese, kanë në thelb atë që mbetet kryesorja se poezia është çështje jete, jo vetëm çështje gjuhe, sidomos kur hyjnorja prek më të dashurën e saj, nënën, nënën hyjneshë. Kështu shprehet ajo tek „Nënë hyjneshë“ kur thekson se „Ka zbritur nga qielli kaltëror/shpirti i bukur engjëllor/ëmbëlsia e fjalës së saj hoje mjalti/bukuri e rrallë dhunti nga zoti“. Poezia e saj natyrshëm ka të mirat e saj. Ajo e merr kaosin e jetës dhe e shpreh atë në mënyra më kuptimplote dhe më të afërta. Jo vetëm kaq, por leximi dhe shkrimi i poezive të tilla nga poetja Valbona Ahmeti, mund të shihet se në përgjithësi poezitë e saj zhvillojnë ndjenjën e thellë të ndjeshmërisë, ku pikërisht është „dora ledhatuese e saj/vjen të merr si një meteor/të përkund në ëndrra me yjet qiellor“.

Të një natyre të bukur dhe mjaft diskursive janë poezi të tilla të saj, „Poetët“; „Drenicë Zë i Lirisë“; „Natë e Dehur“; „Shën Tereza“; „Zëra Shprese“; “Anton Çetta Plak i Urtë“; „Gryka Kanionesh“; „Varg të Lodha“; „Vetmia fle shtigjeve të shpirtit“; „Me i falë çastit jetë“ e të tjera. Një nga poezitë e saj të realizuar së fundi në Montreal të Kanadasë, ku ajo jetoj dhe punon dhe i shërben familjes së saj të mrekullueshme në përditësi, është e formës mjat didaktike, që ka në thelb jo vetëm të qënit nënë, por dhe një arsye më shumë në një dimension të tillë më të gjerë, në rolin e edukatores nënë për brezin e ri. Kështu poezia „Bëhu!“ respektueshëm ka një mesazh mjaft të denjë si të tillë „ Mos iu druaj shpirtdëlirësisë sate/mos mbaj merak/Bëhu diell pranvere pas një dimri zemërak/Bëhu shpirt i çiltërt për dashurinë e kërkuar/Bëhu përqafim për një ujvarë malli të përvëluar/Mate dashurinë e shpirtit me lartësinë e Hyjit/Bekimi yt të bëhet dritëjetë për shpresën e humbur/Po nëse mundesh trazoja edhe rrugën engjëllit/Por kurr mos prano në lëkurën tënde /të jesh objekt i tjetrit „ (Valbona Ahmeti; 27.02.2023 Montreal).

Pse hesht…?“ mbetet një poezi tjetër, me të cilën poetja kërkon të dijë jashtë pyetjes retorike „Unë si shtegtare e fatit/Shëtis botën anë e kënd/Ndihem e huaj/Kthehem mbështes kokën/Mbi gjoksin tënd/Nga frymarrja jote e ndjej që më thua/Vetëm dielli im të nxen/Ti qëndron Kurorë mbi të gjitha Dashuritë e mia /Atdheu im!“ Në këtë kontekst ajo i shkruan „Sererenatës korçare“, por edhe „Qytetit të nusëruar“; ku në këtë qytet Montreali ka një dimension vlerash në sytë e saj „Në këtë qytet /Magjia e bardhësisë shikimin të rrëmben/Lartësia e borës ngjan me një shkëmb/Pemët e kërrusura nga dhembja duket se buçasin/Një zog cicëron aty pari, më tej disa të tjerë çukasin /Në këtē qytet/Dimri shpesh s'mban inate/Yjet zbresin si vajzat lozonjare/Fluskat përshëndesin hapësirën qiellore/Muzës i bëjnë thirrje të shpërthen në vargje/Mëngjesi agon madhështor /Veshur me fustan bore/Qyteti i Montrealit /Merr pamje nusërore“.

Por dua të theksoj se poezia e saj „Ëndërr“ është një nga poezitë më të ndjeshme në krijimtarinë e saj të bollshme poetike. Ajo flet për nevojën për unitet dhe zhbërrje ëndërrimesh në një kohë që ajo i sheh ato si pjesë e një diskursi jetik „Në kërkim të një politike të gdhendur/Që dashurinë t'a ketë në zemër“. Është një thirrje për veprim, në vetvete, që përditësia dhe të ndjesia jetike e njeriut të bashkohet dhe të ngrihet mbi dallimet e tij. Dhe me forcën dhe qëndrueshmërinë për të vazhduar ngjitjen, ka një të ardhme më të mirë në horizont, pavarësisht se sa e pjerrëta mund të duket "kodra" dhe vetë ëndrra mund të jetë „Një demon me kollare/Me xhepat thes.“

Duke marrë në konsideratë disa krijime të saj poetike, dhe duke konsuideruar vargun e saj në rrugën e duhur, natyrshëm mendoj se Valbona Ahmetri, është një zë i ndjeshëm dhe emocionues në poezinë e saj, që kërkon vëmendje dhe lexim të ngeshëm. Ajo me një përkujdesje më te thukët e më të ndjeshme natyrshëm me vargun e saj plotë kuptim e mesazh mund të realizojë poezi mjaft të denja në skutën e bukur e të ndjeshme të bukurisë poetike femërore që krijohet sot me vargun e bardhë në lëminë e krijuesve femra.

124 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page