
E kishte emrin, refugjat!
Duke lexuar romanin “Drithërimat e yjeve” të shkrimtarit Viron Kona.
Lexoja romanin “Drithërimat e yjeve”,
Përjetoja jetën e shqiptarit refugjat,
Thosha se paskemi të njëjtat vuajtje,
Ti, unë,ai,ne, njëlloj të gjithë bashkë.
Ti refugjat, unë refugjat, o vëllai im,
Vuajtje edhe ëndrra të errëta çdo natë,
Përjetime të hidhura, edhe dëshpërim,
E zezë dita, si edhe nata, jemi të pafat!
Eh, një refugjat sot kush mund ta dojë,
Blihet si dikur një skllav nga një pronar,
Shpirti i tij i dërmuar copë dhe thërrime,
N`vendet e huaja papushim hiqet zvarrë.
Nga të parët kemi fjalë të arta, me vlerë,
I ngopuri s`e beson të pangopurin!Aspak,
Pasaniku i kënaqur, që bën jetë përrallore,
S`do ta kuptojë kurrë një “skllav” refugjat!
Në jetë kam njohur njerëz si tek ai roman,
Njerëz që robëtohen fort, larg mëmëdheut,
Janë refugjatë,vërtiten udhëve t`mërgimit,
Teksa në zemra mbajnë familjen e atdheun.
Ç`ndodhte në shtëpinë e shqiptarit refugjat,
Kur ai stërmundohej rrugëve të mërgimit?
Familja e vogël e priste me ankth ditë, natë,
Të kthehej tek ata,si një zog pas shtegtimit.
Gruaja vente e vinte në shtëpinë e zbrazur,
Sytë i mbante nga dera, priste me padurim,
Burri i saj i dashur të kthehej sa më shpejt,
Ta përqafonin fort, t`u gallëronte shtëpinë.
Vogëlushët prisnin t`u kthehej babi refugjat,
I kishin kërkuar dhurata, biçikletë e kukull,
Tashmë donin veç t`i hidhnin duart në qafë,
Kthimi i babit do t`ishte dhurata më e bukur!
Vëllezër duhet t`i kuptoni mirë refugjatët,
Duhet t`i kuptoni si rropaten për mbijetesë,
Duhet të kuptoni se paret që dërgojnë te ju,
Janë vetëm vuajtje, ëndrra të vrara, djersë.
Fati i keq i refugjatit s`më hiqet nga mendja,
I pastrehë kërkonte vetëm punë, ditë e natë,
Shpërblimi - ca monedha në pallton e grisur,
Mjerimi i lexohej në sy, e kish emrin “refugjat”!
Comments