top of page

E gjitha pas leximit


Xhevair Lleshi

E gjitha pas leximit të shkrimtarit Xhevair Lleshi

Fatmir Terziu


Ka vite, thuajse u bënë dhjetë, nga koha kur shkrimtari i mirënjohur shqiptar, Xhevair Lleshi, më dhuroi disa libra, ndërsa e vizitova me një mik të përbashkët Shtëpinë e tij të botimit të librave „Eugen“. Midis mjaft botimeve të mirëfillta e me një arsye më tepër në lidhjen e leximit, aty kisha dhe një mirësi tjetër që shkonte tek dora dhe talenti i këtij shkrimtari të kursyer në fjalë, por të gjerë në madhësinë e të shprehurit e mbi të gjitha në atë që një lexues e gjen si butësi e të lexuarit. E gjitha pas një komunikimi dhe leximi në fakt më jepte arsyet e një hapësire blu. Një butësie të athët e të mpakët të vetë mbulesës blu mbi Njeriun. E kjo ishte vërtet ajo që mbetej enigmë, disi e strukur më vete në mëvetësinë e shkrimtarit, penës së tij.

Aty në fakt ndjeva këtë butësi shkrimi dhe të shkruari, sikurse njeriu dhe lexuesi ndjen në largësinë e tij mes kumtit të të lexuarit në kohë, hapësirë dhe vend, atë që e qas vetëm butësia e qiellit blu dhe atmosfera e detit pikant. Dhe një det i tillë pikant, dhe i urtë, është kaq elegant dhe i butë. Ai, pra deti blu, në të njëjtën kohë, aty dhe këtu, është aq shumë i domosdoshëm, edhe pse është mjaft njohur, por fare pak i zbuluar në këtë stil të tij të veçantë të butësisë së shkrimit dhe të komunikimit letrar. Në fakt është si një mrekulli. Ka kaq shumë perspektiva për të zbuluar në trësinë e tij, vetë detin e pafund të shkrimeve të tij. Është si një aventurë në një, dhe nga ana tjetër është si një vend sigurues i mendimit pozitiv, transparent, të drejtë dhe mjaft konkret.

Brenda një shkrimi të tillë, vetvetiu si lexues kupton, se mund të jesh i lirë dhe të gjesh lirinë. Në fakt teksa lexoja monografinë „Plaku i Shqipes Babë Dudë Karbunara“, nuk ndjeja vetëm atë që i përkushtohej tërësisht jetës dhe veprës së atdhetarit të madh, nënshkruesit të Pavarësisë Kombëtare, themeluesit të shkollës shqipe në Berat, e njeriut të kulturuar që i dha shumë asaj, njerëzve dhe kulturës shqiptare, por thelbin e një estetike të qasur mrekullisht në qëndisjen e fjalëve. Aty ishte, mbeti dhe është, natyrshëm dhe ajo që të bën të ndjesh vërtet këtë det zhurmshëm, të mistershëm në shkrimin e tij, mjaft tipologjik, mjaft tërheqës.

Aty në brendësi të këtij deti, nuk është vetëm e shkruara në fakt, por edhe vetë britma historike që nuk bën pakt. Është zhurma e valëve me të cilën mund të hidhesh në një vend të largët të imagjinatës, nuk ke nevojë të kesh frikë nga asgjë atje, dhe vetëm butësia e valëve të këtij stili të shkruari të shpie lehtësisht pa e kuptuar në një vend që ikën nga telashet e përditësisë.

Gjendesh në një vend, ku mund të gjesh dashuri dhe paqe, mund të jetosh në harmoni të pastër me veten tënde, dhe ndoshta me thesarin tënd të çmuar librin. Aty mbetet e vetmja gjë që të tërheq, dashura e shkrimit e mpleksur tashmë në imagjinatën e përhumbur të leximit, dhe së bashku e gjitha të meton që të gjesh një rrugëdalje nga të gjitha pikëllimet e tua si deti. I dashur lexues i librave të Xhevair Lleshit, lutem bëje dhe Ti kështu, bëje kështu kur të jetë ana e errët e asaj të shkruare që fryhet nga Bota, e ndjehu i lirë, po aq i mirë sa vetë shkrimi i këtij shkrimtari tipik, që po ju lundron pandjeshëm aty ku ju kërkoni. Ju lutem mendoni për këtë vend të harmonisë së qashtër. Është vetëm Gjuha dhe Talenti që flasin pastër. Dhe kjo jo thjesht tek aritmetika e librave të botuar, por tek thelbi dhe mesazhi i leximit, pos shkrimit dhe të shkruarit. Natyrisht që është një aritmetikë e gjatë dhe e larmishme në fakt: „Përsëri „Me Shokët“ (Tregime, 1988); „Plaku i Shqipes Babë Dudë Karbunara“ (Monografi, 1989); „Së bashku“ (Dramë, 1986); „Bijtë e Shpiragut“ (Dramë, 1987); „Dikush pret gjithnjë“ (Tregime, 1986); „Luajmë drejtorash“ (Komedi, 1990); „Koli Myzeqari“ (Monografi, 1990); „Fjala e Burrit“ (Dramë, 1988); „Kriza“ (Dramë, 1989); „Kurthi i Dasmës“ (Dramë, 1987) dhe mjaft e mjaft të tjera, deri tek 49 Tekste Shkollore (Klasa 5-9 të shkollës Nëntëvjeçare, Të Shkollës Fillore, Të Arsimit Parashkollor dhe të shkollës së Mesme)

30 views1 comment

1 Comment


mich.maska
Sep 30, 2021

Urime z. Terziu, Nderim z.Lleshi. Me shume respekt , Myslim Maska . Athine.

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page