E DREJTA TË JESH I PASUR



(Marrë nga “SHKENCA E PASURIMIT” - – 1910)

https://www.sacred-texts.com/nth/sgr/index.htm

(Përgatiti: Adriana Myrtaj)



Çfarëdo që të thuhet për të justifikuar varfërinë, fakti mbetet se nuk është e mundur të jetosh një jetë vërtet të plotë ose të suksesshme nëse nuk je i pasur. Asnjë njeri nuk mund të ngrihet në lartësinë më të madhe të mundshme të talentit ose zhvillimit shpirtëror, nëse nuk ka parat e nevojshme. Për të hapur shpirtin dhe për të zhvilluar talentin njeriu duhet të ketë shumë gjëra për t’i përdorur dhe këto gjëra nuk mund t'i ketë nëse nuk ka para për t'i gjetur.

Një njeri zhvillon mendjen, shpirtin dhe trupin duke përdorur gjëra të caktuara dhe shoqëria është e organizuar në mënyrë të tillë që njeriu duhet ta ketë paranë për t'u bërë zotërues i atyre gjërave. Prandaj, bazën e çdo përparimi të njeriut duhet ta përbëjë shkenca e pasurimit.


Zhvillimi është qëllimi i të gjithë jetës. Gjithçka që është në ekzistencë ka të drejtën e madhe e të patjetërsueshme për të arritur të gjithë zhvillimin e mundshëm që ka aftësinë të arrijë.

E drejta e njeriut për jetën nënkupton të drejtën e tij për të pasur përdorimin e lirë dhe të pakufizuar të të gjitha gjërave që mund të jenë të nevojshme për hapjen e tij më të plotë mendore, shpirtërore dhe fizike. Ose, me fjalë të tjera, e drejta e tij për të qenë i pasur.

Në këtë libër, nuk do të flas për pasuritë në mënyrë figurative. Të jesh vërtet i pasur nuk do të thotë të jesh i kënaqur me pak. Asnjë njeri nuk duhet të jetë i kënaqur me pak nëse është i aftë të përdorë dhe të gëzojë më shumë. Qëllimi i Natyrës është përparimi dhe hapja e jetës. Cdo njeri duhet të ketë gjithçka që mund të kontribuojë në fuqinë, elegancën, bukurinë dhe pasurinë e jetës së tij. Të jesh i kënaqur me më pak është mëkat.

Njeriu kur zotëron gjithçka që dëshiron për të jetuar nga e gjithë jeta që është në gjendje të jetojë është i pasur. Të tjerët që nuk kanë, nuk mund të kenë gjithçka që dëshirojnë. Jeta ka përparuar deri më tani dhe është bërë kaq komplekse, saqë edhe burri apo gruaja më e zakonshme kërkon një sasi të caktuar parash për të jetuar në një mënyrë që, megjithatë, vetëm sa i afrohet plotësisë. Natyrisht që për cdo individ është dëshira e njëjtë, të bëhet gjithçka që është në gjendje të bëhet. Kjo dëshirë e nevojshme për të realizuar mundësitë e lindura është e natyrshme për natyrën njerëzore; njeriu nuk mund të mos dëshirojë të jetë gjithçka që mund të bëhet. Suksesi në jetë përbëhet nga ajo që dëshironi të jeni. Mund të bëheni ai që dëshironi vetëm duke i shfrytëzuar gjërat dhe pastaj të mund të keni mundësinë e përdorimit të lirë të tyre, por kjo vetëm pasi të bëheni mjaft të pasur për t'i blerë ato. Prandaj, të kuptuarit e shkencës së pasurimit është njohuria më thelbësore nga të gjitha njohuritë. Nuk ka asgjë të keqe në dëshirën për t'u pasuruar. Dëshira për pasuri është vërtet dëshira për një jetë më të pasur, më të plotë dhe më të bollshme dhe kjo dëshirë është e lavdërueshme. Njeriu që nuk dëshiron të jetojë më me bollëk është jonormal, dhe po kështu, njeriu që nuk dëshiron të ketë para të mjaftueshme për të blerë gjithçka që dëshiron është anormal. Janë tre motive për të cilat jetojmë; jetojmë për trupin, jetojmë për mendjen, jetojmë për shpirtin. Asnjë nga këto nuk është më i mirë ose më i shenjtë se tjetri; të gjithë janë njësoj të dëshirueshëm dhe asnjë nga të tre - trupi, mendja ose shpirti - nuk mund të jetojë plotësisht nëse njërit prej dy të tjerëve i ndërpritet shprehja e jetës së plotë. Nuk është e drejtë apo fisnike të jetosh vetëm për shpirtin dhe të mohosh mendjen ose trupin, si është e gabuar të jetosh për intelektin dhe të mohosh trupin ose shpirtin.

Ne të gjithë i kemi njohur pasojat e neveritshme të jetesës për trupin dhe mohimin e mendjes dhe shpirtit. Shohim se jeta e vërtetë nënkupton shprehjen e plotë të gjithçkaje që njeriu mund të japë përmes trupit, mendjes dhe shpirtit. Çfarëdo që mund të thotë, asnjë njeri nuk mund të jetë vërtet i lumtur apo i kënaqur nëse trupi i tij nuk jeton plotësisht në çdo funksion të vetin dhe nëse po e njëjta gjë nuk është e vërtetë edhe për mendjen dhe shpirtin e tij. Kudo që ka mundësi të pashprehura ose funksione që nuk kryhen, ka dëshira të mbetura të pakënaqura. Dëshira është mundësi që kërkon shprehje ose funksion që kërkon të jetë aktiv.

Njeriu nuk mund të jetojë plotësisht në trup pa ushqim të mirë, veshje të rehatshme dhe strehë të ngrohtë, si edhe pa qenë i çliruar nga mundimi i tepërt. Për jetën fizike pushimi dhe çlodhja janë gjithashtu të nevojshme.

Njeriu nuk mund të jetojë plotësisht në mendje pa libra dhe pa kohën e nevojshme për t'i studiuar ato, pa mundësi udhëtimi dhe vrojtimi, ose pa shoqëri të vetën intelektuale. Për të jetuar plotësisht në mendje njeriu duhet të ketë të mundshme argëtimet intelektuale dhe duhet të rrethojë veten me të gjitha objektet e artit dhe bukurisë që ai është në gjendje të përdorë dhe vlerësojë. Për të jetuar plotësisht në shpirt, njeriu duhet të ketë dashuri, por dashurisë i mohohet shprehja prej varfërisë.

Lumturia më e lartë e një njeriu është kur dhuron të mira tek ata që ai do; dashuria gjen shprehjen e saj më të natyrshme dhe spontane në dhënien. Njeriu që nuk ka asgjë për të dhënë nuk mund të kryejë rolin e tij si burrë ose baba, si qytetar ose si njeri. Është në përdorimin e gjërave materiale që një njeri gjen jetën e plotë për trupin e tij, zhvillon mendjen dhe shpalos shpirtin. Prandaj është me rëndësi të madhe për të që njeriu të ketë. Është plotësisht e drejtë që njerëzit të dëshirojnë të kenë. Është plotësisht e drejtë për ne që Shkencës për të pasur i duhet kushtuar vëmendje, sepse ajo është shkenca më fisnike dhe më e nevojshme nga të gjitha. Nëse neglizhohet si studim, jemi pa mbështetje në detyrën që kemi ndaj vetes, ndaj Zotit dhe njerëzimit, sepse atëherë nuk do mund t'i bëhej as Perëndisë dhe as njerëzimit ndonjë shërbim i madh, që ndodh kur bëhet më e mira e mundshme jona.

11 views0 comments

Shkrimet e fundit