top of page

E dashur Grua





E dashur Grua

Nga Fatmir Terziu



Erdhe në sytë e mi si një stinë,

dhe mbete ashtu e çiltër çupëlinë,

edhe tani me vitet mbi shpinë,

e njëjtë je, më mban gjallë rininë.


U pikasëm me sy, u miratuam me buzë,

shndëruam pastaj dhe lotin në rubin,

kur trupat tanë po digjeshin prush,

kuptuam se kishim thekur dashurinë.


Tri dekada bashkë kthyem kohën,

kristale diamanti në sytë tanë,

me këndet e tyre shijojmë Botën,

koha na bëri akoma më pranë.


Nuk mund të gjejmë sinkron tjetër

ku të shkruhen të gjitha stacionet

as në arkiva, as mbi ndonjë letër,

as aty ku u fëmijëruan racionet.


Ne ecëm me aritmetikë të vërtetë

udhëtimit tonë bashkë të planifikuar

që fatmirësisht në këto tridhjetë

kemi tashmë një kala kaq të çmuar.


Më vjen mjaft mirë që këtë jetë,

ngritëm këtë kala me thonj e duar,

mes saj mbollëm bahçen e vërtetë,

ku huazuam tre lule për t’i pikturuar.


Dhe unë i pikturoja në sytë e tu,

larg në ditët me punëra të tjera,

ti netët m'i ktheje në kanavac blu

dhe mbaje sytë nga Hëna ngahera.


E shihja Hënën të sillej si glob

me Hënën të krahasoja në sy,

e zbrisja si një balon në tokë,

zgjohesha duke u qafuar me Ty.


Në ditë-netët me kujtime të tilla,

sytë ishin një lëm’ dashurish

e jotja dashuri u bë më e mira,

… dhe ndaj na bëri një mish.


Dhe ne jemi bërë si një pikturë,

në sofrabezin e ëmbël të shtëpisë,

ku shijojmë tek fëmijët atë që dikur

mbollëm nga rrënjët e dashurisë.


Diku në këtë pikturë nomade bojalli

shoh grimca që ndërrojnë ngjyrime,

ngaqë mbijnë ndoshta dhe lotë në sy,

ndoshta ngaqë pikturoj botën intime.


Në këtë përvjetor plus një mbi tridhjetë,

s’mund të them s’kemi pas ndonjë mizë,

por kemi ditur si t’a largojmë vetë,

s’i ta flakim nga Shkumbini mbi Tamiz.


8 Korrik 1990 - 8 Korrik 2021

22 views0 comments

Comentarios


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page