
DY LIRIKA NGA MYSLIM MASKA
TË KUJTOHET? *
Të kujtohet ty atëherë
Se si era krehërhollë
Krihte vjeshtën flokëverdhë
Mpikste ajrin erëmollë?
Dhe si hyre befasuar
Si një vegim , si një perri,
Shpirtin tim të akulluar
Çuditërisht e shkrive ti.
Ti e brishtëza delikate,
Flakë verbuese vetëtime,
Ti, e ëmbla buzëmjalte,
Ti, vesë- ëndërr dashurie?...
· Botuar ne gazetën “Zëri i Rinisë” në vitin 1973 ose 1974 dhe në poezi të zgjedhura f.48, 2014. MILOSAO.
DO TË VIJ, MOJ, E DO TË TË PUTH
Sipas nje motivi popullor
Do të vij moj, e do të të puth
Dhe me plumba nëpër trup.
Dhe në varr sikur të jem,
Do të ngrihem, do të bëhem erë.
Do të vij të t’i puth sy e buzë,
Të digjemi të dy si shpuzë…