top of page

… dy kafe dhe dy ndodhi




Fatmir Terziu

Dy skica në dy kohë dhe dy vende … dy kafe dhe dy ndodhi

Nga Fatmir Terziu

Kafja e Madhe. Shkodër 1985

Porta e madhe, me dy dyert e saj karakteristike, syri i parë mikpritës i Shkodrës, dukej fjetanak nga jashtë. Dëbora kishte rënë dhe bllokuar rrugët si kurrë ndonjëherë. Nuk mbahej mend që kurë s’kishin parë shkodranët dëborë aq të madhe.

‘Në vite …, e vite s’ka rënë kaq borë’, thoshin ata.

Dhe mes asaj bardhësie me pushtet të plotë, Kafja e Madhe, ishte godina e vetme në atë rrugë, që luante kukamshefti me erën. Një godinë kjo, që vinte në sytë e mi me tërë madhështinë e vlerave arkitekturore të saj. E ndërtuar nga fundi i Luftës së Parë Botërore nga një arkitekt italian në stilin liberty.

E këndshme. Tërheqëse. Një strukturë me qytetërimin në sytë e saj, ndanë udhës ku rishfaqeshin në dremitjen e tyre vlerat e komoditetit historik. Një çift kolonash, imitacion dorik.

Harkada. Grila, të vjetëruara dhe shenja të kohërave nën gëlqerime të shkujdesura. E gjitha, skeletuar në sintaksë arkitekturore me krejt zonën, me krejt të veçantën e saj, që

Kafja e Madhe

udhëtonte ndryshe që nga koha kur mjeshtri i madh Idromeno e pati ideuar. Ndryshe edhe nga kartolinat që fiksuan austriakët në vitin 1914

Brenda saj gjysëm-errësirë. Ofshama, shfrymje, poterë. Të qeshura therëse. Disa perde të vjetëruara basmaje vareshin në formë tutash të rudhosura në dritaret e saj. Perdja në dritaren në të majtë të portës, zinte hapësirën e xhamtë të saj, por mbulonte edhe atë pjesë të dritares të cilën e kishte zëvendësuar një karton kutie këpucësh.

Tre-katër bishta cigaresh “Drishti” formonin një figurë gjeometrike në anën e djathtë të portës. Dukeshin sikur ti kishte vendosur dikush me kujdes teksa plotësonin boshllëkun në të vetmen hapësirë bosh në dyshemenë akull të Kafesë së Madhe. Pjesa tjetër e hapësirës së saj ishte mbushur me njerëz, që luanin domino në tavolina dhe disa të tjerë që ngrohnin duart me frymë.

Me nga një byrek spinaqi në dorë, unë edhe Aveniri, basketbollisti dhe shoku im i Universitetit, hymë në këtë sallë për tu bërë pjesë e asaj atmosfere tipike që të jepte jo pak herë humori shkodran. Shihnim njerëzit që vinin e shtonin numrin e të pranishmëve. Shakatonin dhe shpotisnin me sho-shoqin. Humor shkodran!

Ne zumë vend afër banakut. Era e kafesë së elbit, që vlonte në një tenxhere të madhe shpërndahej gjithandej në atë sallë të bollshme. Dhe menjëherë e kuptoje mes tymit të “Drishtit” dhe erës së Elbit të zier, se ajo ishte kafene, kafene tipike e viteve 1980-të në Shqipëri. Por, vështirë të perceptoje atë që dije për Kafen e Madhe të Shkodrës. Jo, ajo nuk ishte më Kafja e Madhe. Jo. Dhe këtë perceptim ma forcoi akoma më shumë skena që pash pasi ne porositëm kafenë…

U hap porta dhe hyri me një nxitim edhe Paulini. Nuk do ta vija re, nëse ai nuk do të rrëshkiste në hyrje të derës, në akullin e lehtë që kishte pushtuar hyrjen brenda. Aq më shumë kur plasën të qeshurat.

Të qeshura e shpotitje. Kafja e Madhe zhurmoi dhe s’pushonte. Ndërkohë, Paulini iu drejtua banakut. Porositi dy kafe.

“Një për mua dhe një për shokun…”, i tha banakierit.

Banakieri hodhi sytë përqark, pa majtas e djathtas. Pastaj ngriti supet dhe iu më afër: “Më thatë dy kafe apo mos gabohem?”

“Dy mor shoq, dy…, nuk je gabim…”

“Jo, po, ngaqë nuk e shoh shokun tjetër…”

“Ah më fal, më fal se kot e lashë jashtë në dëborë…, le të vijë edhe ai këtu se në fakt …. Në rregull e sjell unë…”

“Ju lutem më ndihmoni pak, të hap krejt portën”, u tha dy vetëve që ishin në tavolinën më afër portës.

Dhe pasi e hapi portën, të gjithë kthyen kokat nga porta. Ç’të shikonin. Paulini tërhiqte për kapistre kalin e tij…

E qeshura s’kishte të mbaruar, por më shumë vazhdoi ajo kur ai foli:

“Ne i kemi hyrë në hak këtij, e jo ai neve. Ne po ia konsumojmë elbin…”

***

St Pancras International. Londër 2012…. Kafja tipike në stacionin nëntokësor dhe Ndërkombëtar me të njëjtin emër. Ajo …, (e sypashmja) vjen thuajse çdo javë, që nga koha kur stacioni më i mirë i trenit në Britani u rivu në punë, pas një restaurimi. Dhe vjen për dy kafe, jo për atë që njihet ky vend si një ndër undergroundet ku në të ndodhet bari më i gjatë i shampanjës në Evropë. Nuk vjen për shampanjë, se në fakt me feminitetin e saj dhe bukurinë, kjo do të ishte arsyeja më e mundshme pse ajo vinte aty.

Vjen, ulet dhe porosit dy kafe. Një për vete dhe një për një lodër lepurush që e

St Pancras Renaissance Hotel

mbante në çantën e saj të shpinës. Ulet në tavolinë. E ul lepurushin kukull përballë saj dhe i vë kafenë me pipëz pranë. Pasi pin kafenë e saj, ndërron vendet e filxhanëve. Dhe kështu pin edhe të dytën…

Mos e besoni po të doni. Ajo udhëton nga Parisi gati çdo javë. Të zotët e kafesë e njohin tashmë dhe nuk habiten më me veprimet e saj…

Ky ishte në fakt një detaj shumë banal në krahasim me ndryshimet dhe komfortin e madh që të ofron stacioni. Rindërtimi i stacionit të Londrës veriore, që është pikënisja dhe pikëmbërritja e trenit të vetëm britanik të shpejtësisë së madhe, pati një vlerë prej 1.6 miliardë dollarësh dhe u ndërtua duke iu përshtatur stilit viktorian. Ndryshimi konsistonte në dhënien e një frymëmarrjeje më të madhe përmes shtimit të pjesëve të xhamta dhe të lakuara, rrethuar me çelik, në të cilat nuk mungojnë edhe detajet tipike britanike me tulla të kuqe.

Nëse do të krahasonim vendet e nisjes me ato të mbërritjes, të parat janë më interesante dhe më komode se të dytat. Pasagjerët që vijnë në Londër

përmes Eurostarit nga Parisi për në Bruksel futen menjëherë në një labirint nëntokësor, që nuk i lejon vizitorët të shijojnë shumë nga bukuria e mjedisit. Megjithatë, stacioni është një nga më të këndshmit dhe praktikët e Britanisë së Madhe e kanë një ide për sypashmen…


21 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page