top of page

Dy figura qëndrore të shkollës


OPINION



Shkruar nga : FRAN GJOKA

Mësuesi dhe nxënësi

dy figura qëndrore të shkollës.


Koha e re e lirisë dhe demokracisë e ka detyruar shkollën moderne, për t’i përmbysur këto role të determinuar, këto pozicione të “stratifikuara” të qëndrimit dhe vlerësimit interdogmatik, të marrëdhënieve midis mësuesit dhe nxënësit. Është e sigurt që shkolla demokratike shqiptare është duke krijuar dhe konsoliduar një relacion të ri, interaktiv, në marrëdhëniet midis tyre. Kjo do të thotë se raporti i mëparshëm, që njëri flet dhe tjetri dëgjon ka ndryshuar radikalisht. Në shkollën e sotme, marrëdhëniet midis mësuesit dhe nxënësit janë të tilla, që të dy kanë marrëdhënie që ndikojnë mbi njëri-tjetrin, dhe të dy bashkë mbi të tjerët (shoqërinë). Shkolla nuk është më institucion edukativ i mbyllur në guaskën e relacionit të fosilizuar, determinist të mësuesit me nxënësin. Ajo është institucion social i rëndësishëm, në të cilin kultivohen vlerat e shoqërisë dhe individit. Nxënësi nuk është më njeriu i klasifikuar sipas metodës së vjetër pedagogjike, në rolin pasiv të dëgjuesit dhe të të nxënit. Ai nuk është njësi e thjeshtë statistikore dhe e amzës. Çdo nxënës është një qenie njerëzore me cilësi, botë shpirtërore dhe identitet specifik, që ka qëllimet dhe synimet e veta të personalizuara. Shkolla moderne nuk është më institucion që i ndërton marrëdhëniet e mësuesit me nxënësin mbi parime të vjetra të “paternalizmit mekanicist”, sëmundje e vjetër nga e cila ende nuk është shëruar shkolla jonë. Pedantizmi i mësuesit, mbivlerësimi i rolit të tij dhe nënvleftësimi i personalitetit të nxënësit është njëri nga shkaqet, në mos kryesori që sjell konflikte pedagogjike në marrëdhëniet midis tij dhe nxënësit në shkollë. Personalisht, gjithnjë kam menduar se ka patur të drejtë Kanti i madh, ky filozof universal i iluminizmit kur thoshte se “despotizmi më i keq është paternalizmi”. Kur flasim për këtë raport pedagogjik delikat të natyrës bipolare, për këtë relacion dinamik, midis dy figurave qendrore dhe të vetme të edukimit në shkollë siç janë mësuesi dhe nxënësi, duhet të mendojmë se nuk kemi përballë dy “qenie të zbrazura” apo “njerëz të kulluar”. Mësuesi dhe nxënësi janë dy “entitete njerëzore”, identitete sociale të ndryshme. Kjo do të thotë se ato janë dy figura që kanë mendimin e tyre për njëri -tjetrin, të kondicionuar natyrisht nga relacionet sociale të jetës së sotme në vendin tonë, në kontekstin e të cilës “bashkëjetojnë” mësuesi dhe nxënësi. Ata në kushtet e shkollës moderne nuk duhet të jenë “rivalë”, por partnerë që kanë një mision të përbashkët. Në një farë mënyre ajo që po ndodh në shkollën e sotme, është fakti që këto marrëdhënie tentojnë drejt një partneriteti interaktiv, funksionues dhe të barabartë. Në çdo kuptim që ta shikojmë shkollën moderne, ajo është dhe do të jetë një institucion i madh, jo vetëm pedagogjik por dhe i marrëdhënieve të demokratizuara midis mësuesit dhe nxënësit. Shkolla është vatër e madhe e “demokracisë së vogël”. Aty ndërtohen marrëdhënie midis dy subjekteve që e ndërtojnë hierarkinë e tyre, duke respektuar lirinë, identitetin dhe “rolet” e njëri-tjetrit. Demokratizimi i marrëdhënieve mësues -nxënës, natyrisht nuk ka terren për anarki pedagogjike. Por as shkak për të trembur mësuesin që nuk komunikon demokratikisht, apo argument në favor të nxënësit rebel. Në këtë kontekst, shkolla si çdo institucion tjetër social, ka parime ndërtimi dhe rregulla e rregullore funksionimi që garantojnë marrëdhënie të drejta, lirinë “pozitive” dhe “negative”, për mësuesin dhe nxënësin.

Kjo do të thotë që nxënësi dhe mësuesi janë të lirë të ndërtojnë marrëdhënie produktive, duke u nisur nga parimi demokratik dhe pedagogjik, sipas të cilit në shkollë “liria e nxënësit” mbaron aty ku fillon e “drejta e mësuesit”, dhe anasjelltas, e drejta e mësuesit mbaron atje ku fillon liria dhe e drejta e nxënësit për të gjykuar, menduar dhe vepruar. Në tërë këtë hapësirë lirie, nuk ka arsye pse të kemi përplasje midis nxënësit dhe mësuesit. Këto relacione nuk ndërtohen me mentalitete dhe paranojat e pedagogjisë së vjetër autoritariste, që nuk respekton të drejtën dhe liritë e nxënësit për të qenë figurë aktive në shkollë. Koha kërkon që “hapësirat respektive” të mësuesit dhe nxënësit, për të luajtur rolet e tyre si mësues dhe nxënës, të jenë të qarta. Normalisht sipas meje, liria pedagogjike dhe demokratizimi i marrëdhënieve mësues-nxënës, nuk mund të realizohen duke ndërhyrë padrejtësisht në hapësirat e njëri-tjetrit, duke krijuar anarki dhe kakofoni pedagogjike, marrëdhënie kaotike, të paqarta, që sjellin konflikt midis tyre. Këto situata jo arkaike të vjetra pedagogjike, as me mentalitete paranojake reciproke, midis mësuesit dhe nxënësit. Mbase ka ardhur koha për të riparë këtë relacion, në të dy drejtimet kryesore të demokratizimit të shkollës dhe marrëdhënieve mësues - nxënës. Kjo kërkon që nga njëra anë të ridimensionohet koncepti për “autoritetin e mësuesit”, duke e forcuar dhe demokratizuar jo si “autoritet të jashtëm”, që sjell autoritarizëm dhe konfliktualitet në marrëdhëniet me nxënësin. Por nga ana tjetër, nuk duhet asnjë lëshim në konceptin që liria e nxënësit në shkollë është pozitive, që do të thotë që ai është i lirë të mësojë dhe edukohet duke ju respektuar prirjet, dëshira dhe personaliteti. Por ajo është edhe “liri negative”, në kuptimin që sjellja e nxënësit është e detyruar të jetë e përputhur me rregullat, rregulloret, parimet pedagogjike të shkollës, si institucion social. Ndërkaq mësuesi është i detyruar që me mjeshtërinë, përvojën, aftësinë, fleksibilitetin pedagogjik, (jo me dogmatizëm) të krijojë kushtet normale dhe atë “situatë pedagogjike”, në të cilën nxënësi të ketë mundësi të zgjedhë alternativa veprimi, kulturimi në përputhje me dëshirat, aftësitë dhe prirjet personale. Kjo liri pedagogjike, nuk ka pse të jetë e huaj për shkollën tonë moderne, në se mësuesi dhe nxënësi dinë të respektojnë njëri - tjetrin, duke luajtur secili rolin e vet. Me fjalë të tjera, ka ardhur koha që në shkollë të punojmë që duke e demokratizuar atë dhe marrëdhëniet midis mësuesit dhe nxënësit nga njëra anë, po kaq seriozisht të mendojmë për një “rikonceptim të roleve” dhe statusit të secilit, si mjet për mbarëvajtjen e punës dhe procesit mësimor dhe edukativ. Çështja e njohjes dhe respektimit të statusit të mësuesit dhe nxënësit, ndikon në krijimin e një atmosfere të veprimit të “hierarkisë shkollore”, e cila është e domosdoshme për një institucion të tillë, me mision social dhe pedagogjik siç është shkolla. Në se do të arrimë që në shkollë të kemi përfytyrime të drejta për statusin e mësuesit dhe nxënësit, duke respektuar të drejtat institucionale të secilit, atëherë kemi për të patur një atmosferë marrëdhëniesh të mirëkuptimit reciprok. Kjo është ajo që i duhet shkollës, për të patur eficencë dhe efikasitet socio pedagogjik, rezultate të prekshme dhe gjurmë të thella të relacioneve shpirtërore midis mësuesit dhe nxënësit. Nuk ka pse të ngatërrojmë shkollën me koncepte të skajshme konservatore, arkaike të pedagogjisë së vjetër e të re, që janë provuar se kanë qenë dhe janë kundër produktive, të panatyrshme për shkollën moderne shqiptare, në stadin e sotëm. As nxënësi, por as mësuesi nuk janë ata që kanë qenë dikur, as marrëdhëniet e tyre nuk ndërtohen mbi parime të vjetra që ngatërrojnë “stauset reciproke”, që dëmtojnë punën e shkollës. Shkolla nuk është as vend i “pavarësisë së nxënësit” nga mësuesi, por as fushë beteje për të treguar “unin” apo egocentrizmin pedagogjik të këtij të mësuesit. Natyrisht mësuesi është në një situatë të veçantë, sepse është i detyruar të komportojë sjelljen dhe “unin” e tij, me nxënësit e tij që janë në të njëjtën kohë ”grup”, “tërësi kolektive” që duhet njohur, punuar dhe respektuar jo vetëm si grup, por dhe individualisht. Natyra e profesionit dhe e marrëdhënieve të tilla kontradiktore, të punës me “grupin” dhe “individin” në të njëjtën kohë, është ajo që e bën të vështirë, delikate, me përgjegjësi dhe të lodhshme punën e mësuesit në shkollë. Ndaj është aq shumë e respektuar puna e mësuesit të vërtetë, të cilën nuk mund ta bëjë kushdo. Ai është mjeshtër për të gjetur “masën”, midis lirisë dhe disiplinës që duhet të respektojë nxënësi në shkollë. Kjo do të thotë që duhet me kujdes të shikojmë atë raport delikat të të drejtave dhe lirive të natyrshme që ka nxënësi (liria pozitive), me atë të drejtë që ka shkolla dhe mësuesi për nxënësin që të respektojë rregullat dhe parimet e ndërtimit dhe funksionimit të shkollës (liria negative). Sipas mendimit tim midis këtyre “dy lirive”, midis mësuesit dhe nxënësit është ajo situatë që ndikon në përcaktimin e statusit të tyre, është pikërisht ajo gjendje që mundëson funksionimin ideal të marrëdhënieve, pa cenuar dhe nëpërkëmbur të drejtat e njëri - tjetrit. Shkolla është institucion dhe natyrisht që ka nevojë për “hierarki” vlerash dhe njerëzish, që kanë role të ndryshme bashkëpunuese. Konceptet e vjetra të shkollës hierarkike, janë shpesh shkak për konflikte dhe situata të pakëndshme, midis mësuesit dhe nxënësit. Në se do të duhej të gjeja një term, që mund të përcaktojë se si duhet të jenë në kohën tonë marrëdhëniet e mësuesit me nxënësin, unë do të preferoja që ato në esencë të jenë në pozicionin e “hierarkisë së harmonishme”. Nuk mund të ndërtohet shkolla e re e demokratizuar me mësues që kanë në mëndje ide dhe konceptet e shkollës së vjetër totalitariste që e shtypte lirinë e nxënësit. Tani është kohë tjetër dhe natyrshëm shkolla është e detyruar të mbajë “barrën e lirisë”, të institucionit të lirë, që nuk ka për mision të edukojë nxënës të trysnuar me parime të moralit dhe pedagogjisë së vjetër. Shkolla tani është një institucion që ka tjetër mision, të edukojë qytetarë aktivë, të guximshëm, humanë, antikonformistë, me personalitet të fuqishëm e të pavarur. Këto vlera dhe cilësi që duhet të kultivojë shkolla, nuk mund të realizohen me konceptin e vjetër të statusit të mësuesit si tutelë mbi nxënësin pasiv, timid, të flashkët, pa vetëdije personale. Shkolla është vendi i parë ku nxënësi kërkon të afirmojë personalitetin dhe identitetin e vet të dallueshëm Kjo kërkesë dhe dëshirë e natyrshme e nxënësit, nuk ka pse të cenojë personalitetin e mësuesit të “lëkundur”, i cili nga që mund të mos jetë i aftë të përballojë këtë kërkesë legjitime, trembet e kap paniku dhe nervozizmi pedagogjik. Dëshira e nxënësit për të afirmuar personalitetin, nuk cenon aspak, nuk e vë në krizë autoritetin e mësuesit të talentuar, që di të kuptojë këtë aspirate të nxënësit, duke ndërtuar ndërkaq marrëdhënie të mira ndikuese me të. Nuk është e drejtë frika që kanë disa mësues, për “kufijtë” e cenuar të autoritetit të tyre. Sipas mendimit tim, pavarësisht proceseve demokratizuese që kanë përfshirë shkollën tonë, ka për të qenë kurdoherë e pranishme dhe e diskutueshme pyetja e mësuesit se “deri ku duhet të shtrihet autoriteti” i tij. Por ndërkaq edhe nxënësi ka po aq të drejtë të pyesë, se “deri ku janë kufijtë e lirisë” së tij. Kjo situatë dikotomike midis “autoritetit të mësuesit” dhe “lirisë së nxënësit”, është dhe do të jetë problem i përjetshëm, ekzistencial i shkollës. Asnjëherë shkolla nuk është normale, në se nuk ka të kristalizuar misionin, qëllimin, funksionin dhe natyrisht edhe statusin dinamik të dy figurave të përjetshme të saj: mësuesit dhe nxënësit.


Prindërit e kanë për detyrë të ushtrojnë kontrollin e tyre se si e shfrytëzojnë kohën dhe në shoqërinë e kujt ndodhën çdo ditë fëmijët.

(Në prag të fillimit të vitit mësimor parauniversitar)


Niveli i një shoqërie të emancipuar dhe të qytetëruar nuk mund të arrihet pa një gjithëpërfshirje të të gjithë aktorëve dhe faktorëve që janë të interesuar për mirërritjen dhe mirëdukimin e fëmijëve. Ky formim i vlerave dhe i normave kulturore të kohës nuk mund të sigurohet vetëm me punën dhe kontributin që bën institucioni i edukuimit, sado i kualifikuar dhe i vazhdueshëm të jetë. Janë shkolla dhe familja, mjedisi social, komuniteti dhe shoqëria civile, strukturat e nxënësëve dhe prindërve me bordet e tyre në shkolla, që janë ngritur dhe funksionojnë sot në shoqërinë shqiptare, të cilat mund dhe duhet të vihet më mirë në efiçencë që të ndërthurin cilësisht veprimtarinë e tyre të përditshme. Natyrisht, disa prej strukturave të mësipërme, si: shkolla, familja e mjedisi shoqëror, ku rriten dhe edukohen e ardhmja e vendit, marrin më shumë vlera dhe kanë ndikime më të mëdha në formimin e karakterit dhe të personalitetit të tyre. Është një përfundim jetësor dhe real për një shoqëri që pretendon se është gjithëpërfshirëse në të kundërtën, përjashtimi i kujtdo ështe me pasoja katastrofike. Kërkimet e sotme shkencore kanë provuar se përfshirja e prindërve në jetën e brendshme të shkollës është çelësi për të ndihmuar fëmijët e mësuesit, që ata të jenë të suksesshëm në shkollë e në komunitetin e prindërve. Konstatojmë me kënaqësi përfshirjen e prindërve në të gjithë aspektet e jetës shkollore, kontaktet individuale dhe ato në rrugë informimi të pandërprerë që bën shkolla e mësuesi për fëmijët. Kjo është mjaft e rëndësishme, pasi ata mund të arrijnë të shfaqin plotësisht potencialin e tyre në shkollë, kështu ata ndihen më mirë me veten e tyre, mësojnë se si të marrin vendime dhe të jenë përgjegjës për rezultatet e këtyre vendimeve. Për të realizuar me sukses këtë imazh të nxënësit, kërkohet kujdesi ritmik për formimin, edukimin dhe kulturimin e tyre, gjë që s’është kurrë e tepërt për prindërit, jo vetëm kaq, por është një nga detyrat organike të familjes së sotme shqiptare, si kolona e parë e përfshirjes së tyre në edukim, ku ka mjaft kapacitete natyrore për të plotësuar këtë objektiv. Natyrshëm ndihet sot një merak i pandërprerë i prindërve për të krijuar në familje e shoqëri fëmijë të mbarë, të guximshëm, punëtorë, konkurues, të edukuar e human. Tendenca e prindërve të sotëm është për t’u krijuar kushte sa më optimale fëmijëve të tyre. Në këto përpjekje të natyrshme duken edhe dukuri shpërpjesëtimore, “prokupime” të tepërta, sforcime të panatyrshme të disa prindërve për t’u krijuar fëmijëve “supërkushte” e plotësim kërkesash e pretendimesh të tepruara. E keqja është se disa prindër të integruar “në garën“ për të dëshmuar epërsinë materiale të familjes së tyre, nuk janë në gjendje të përceptojnë dëmet morale, psikologjike e sociale që u bëjnë fëmijëve të tyre. Kjo kategori fëmijësh të përkëdhëlur, që nuk u mungon asgjë në aspektin ekonomik, të cilët kanë vështirësi në perceptimin e drejtë të raportit të tyre me jetën e përditëshme, duke u mësuar fëmijëve shumë më tepër të drejta se sa detyra, detyrimisht kjo ka bërë që fëmijët e të rinjtë të bëhen “të pavarur“, nuk e vrasin mendjen për asgjë, pasi gjithçka e gjejnë të gatshme nga prindërit e tyre “zemërmirë“. Në tërë këto privilegje që u bëhet fëmijëve të intelektualëve të dëgjuar, me emra, paraqiten më të prapë, janë të orientuar drejt akteve të pahijshme me veprimet e tyre keqdashëse se sa shumë fëmijë të tjerë të familjeve të varfëra, që me vështirësi sigurojnë çdo ditë bukën e gojës. Me këta të dytët, që s’kanë një qindarkë në xhep, që ushqehen e vishen keq, përsëri shikon një vullnet të paparë në të sjellurit me prindërit dhe mësuesit e tyre. Prindërit e sotëm duhet të jenë këshillues dhe përkrahës në vendimarrje, ndryshe humbasin raportin e të drejtave dhe detyrave që kanë ndaj fëmijëve. Në mendimin sociologjik botëror ka sot një shqetësim serioz për këtë dukuri sociale, që lind dhe zhvillohet në gjirin e familjeve me strukturim të lartë ekonomik. Në realitetin e sotëm shqiptar fatëkeqësisht po ballafaqohemi me një brez të ri, që po piqet gjithnjë e më shpejt nga pikëpamja zhvillimore, por jo nga pikëpamjet e tjera më të rëndësishme, padrejtësisht u dalin në krah duke ua falë gabimet, duke i mbrojtur shumë herë pa të drejtë para mësuesve dhe ajo që është më e rëndë, prindërit nuk ushtrojnë kontrollin e tyre se si e shpenzojnë kohën dhe në shoqërinë e kujt ndodhen çdo ditë fëmijët e tyre. Dhe fëmija i prindit indiferent dhe i “punëve të mëdha“ e kupton shpejt shfaqjen e dobësive të prindit të tij, ndaj livadhisin poshtë e përpjetë, duke mos ditur nëse ka përgjegjësi prindërore dhe kur rrëshqet në drejtim të gabuar. Sa për informacion: Në Perëndim dhe shumë vende të Bashkimit Europian është bërë traditë që prindërit të punojnë vullnetarisht në ndihmë të mësuesve të tyre dhe të shkollës në tërësi, ndryshe tek ne ka mjaft prindër që harxhojnë shumë kohë e përpjekje për të siguruar fonde për shkollën. Kjo kohë e harxhuar nuk ka atë vlerë që do të kishte përfshirja e tyre në programet e veçanta të edukimit të fëmijëve. Në gjykimin tim, partneriteti shkollë–familje mbetet tepër i vlefshëm, sepse do të njohin më mirë dy palët sistemin e punës mësimore-edukative dhe mjaft probleme të tjera socialpedagogjike që ka shkolla. Ka ardhur koha që çdo shkollë, në qytet apo fshat, të hartojë një politikë të caktuar për përfshirjen e prindërve në edukimin e fëmijëve, ndryshe shqetësimet me të rinjtë do të agravojnë më tej dhe shoqëria shqiptare do të gjendet përballë krimit të rrugës. I bëjmë këtë pyetje vetes: -Pse është rritur kaq shumë numri i të rinjve të dhunshëm? Sepse shoqëria shqiptare mbetet ende e dhunshme, sepse në familje ka dhunë dhe detyrimisht po rrisin fëmijë dhe të rinj të dhunshëm. Të gjitha këto veprime bien ndesh me Kartën e të Drejtave të Fëmijëve, ku mbi ata ushtrohet dhunë psikologjike e fizike si tek prindëri dhe mësuesi dhe ajo që i shpreh rrezikshmëri është dhuna e të rinjve me njëri-tjetrin. Kujtojmë këtu një shprehje të popullit: ”Prindi është pasqyrë e fëmijës.” Ndodh shpesh te prindërit, nëna tregohet “zemërgjerë“ dhe plotëson çdo dëshirë të fëmijës, kurse babai jo. Qëndrimet e kundërta të fëmijës i bën ata tekanjozë, duke i futur në debat edhe vetë prindërit. Nëse njëri prind e ndërton dhe tjetri prish, fëmija çekuilibrohet, nuk di kë model prindëror të ndjekë, kur dihet se dy prindërit kanë përgjegjësi të barabartë para ligjit në edukimin dhe shkollimin e tyre. Detyrë parësore e prindërve është që të dinë në çdo kohë me kë shoqërohet, luan fëmija i tij, kur dihet që edukimi i fëmijëvë është një proces i gjatë e i vështirë, që nuk mbaron me ditë e muaj, por me vite, që kërkon kujdes, durim e angazhim maksimal, duke e konsideruar shkollën vendin e dijes dhe të kultures. Për këtë problem, në kohën e tij, ka folur dikur edhe Gjergj Fishta: “Si ka me u rritë, siç e lyp arsyeja e detyra po qe se prindërit nuk janë të qytetënuar e përparuar. Prandaj për në daçim që shteti shqiptar të përparojënë udhë të qytetenisë së vërtetë, përpara çdo pune tjetër duhet pasë parasysh edukata e familjes shqiptare tue ba që prindët si dhe fëmija e tyne të jenë të qytetnuem”. Kaq rëndësi i vë ai këtij problemi. Pra, mësimi dhe edukimi mbeten një proces aktiv që zhvillohet pandërprerje çdo ditë. Më mbetet në kujtesë biseda e një prindi, ku shprehet: “Fëmijëve duhet t’u japësh gjithçka, veçanërisht dashuri e qetësi, virtyte që do ta shoqërojnë për gjithë jetën. Me fëmijët duhet të komunikosh njësoj si me të rriturit. Në rradhë të parë është dashuria ndaj fëmijës dhe fill pas saj vjen disiplina, që për mua është dhurata e dytë e më e rëndësishme që mund t’i bëhet një fëmije. Mendoj se kjo është mënyra për t’u dhënë atyre një shembull.” Kemi një kategori tjetër prindërish, që u lejojnë një sjellje tejet tolerante e më shumë liri se sa duhet dhe as që diskutohet kërkesa e llogarisë ndaj tyre. Kjo kategori fëmijësh bëjnë çfarë të duan dhe nuk kanë kufi si dhe rriten pa patur aftësitë më të rëndësishme të jetës. Ndaj stili i prindërimit ndikon pozitivisht ose negativisht në moshën e adoleshencës. Kemi prindër që nuk njohin tipet, të tjerë nuk ia kanë idenë e krizave që përjetojnë fëmijët e tyre në kufi të një moshe. Kemi prindër që s’duan t’ia dinë për interesat që të rinjtë kanë për jetën, shkollën e kulturën në tërësi. Jo pak prindër i konsiderojnë të përfunduara detyrimet ndaj fëmijëve me plotësimin e kushteve për veshmbathje, ushqim dhe shkollim, kur ata kanë nevojë edhe për argëtim dhe edukim plotësues. Të rinjtë kanë nevojë për një jetë intensive sociale me pjesëmarrje në vendimmarrje, për bashkëpunim e ndërveprim të detyrave të ngarkuara. B. Shou i këshillonte të rinjtë se nëse rruga nga kaloni nuk përbëhet nga kthesa dhe vështirësi, dijeni se ajo nuk ju shpie gjëkundi. Parandalimi i krimit tek fëmijët mbetet një problem seroiz për shtetin e shoqërinë shqiptare, padyshim është dhe pjesë integrale e politikave që MAS duhet marrë urgjentisht masa të forta ligjore që arsimi dhe edukimi në Shqipëri të bëhet pjesë e pandarë e komunitetit prindëror dhe atij vendor.

19 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page