top of page

Fatmir Terziu: Qershori, rastësi apo zgjedhje?

  • 7 hours ago
  • 3 min read

 

Qershori është një muaj i piketuar historie. Në historinë shqiptare ai mbart plagë, përplasje dhe dilema që vazhdojnë të na ndjekin edhe sot. Prandaj pyetja shtrohet natyrshëm: a është qershori thjesht rastësi, apo një zgjedhje që historia na e rikthen përherë para syve?

Në qershorin e vitit 1914, shteti shqiptar ishte ende foshnjë. Pavarësia kishte vetëm pak muaj që ishte shpallur dhe themelet e saj ishin të brishta. Pikërisht atëherë shpërtheu lëvizja e njohur si haxhiqamiliste, e cila kërkonte largimin e Princ Vidit dhe orientimin e vendit drejt një tjetër boshti politik e kulturor. Parulla e saj më e njohur, “s’duam princ katolik, duam princ turk”, mbeti një simbol i përplasjes së madhe ndërmjet orientimit perëndimor dhe rikthimit pas drejt modeleve të vjetra sunduese.

Në të njëjtën kohë, ushtria greke pushtonte Korçën dhe zonat përreth saj, duke ulur flamurin shqiptar dhe duke ngritur flamurin grek. Shqipëria gjendej e sulmuar nga jashtë dhe e përçarë nga brenda. Një skenar që historia e kombeve të vogla e njeh mirë, kur mungon uniteti kombëtar, fuqitë e jashtme gjejnë gjithmonë terren për të avancuar interesat e tyre.

Ngjarjet e atij qershori sollën pasoja tragjike. Patriotë, intelektualë, klerikë atdhetarë, pronarë, tregtarë dhe përfaqësues të elitës qytetare u bënë objekt i dhunës dhe i hakmarrjes politike. Ishte një kohë kur Shqipëria humbi jo vetëm jetë njerëzish, por edhe një pjesë të energjisë së saj më të ndritur kombformuese.

Historia ka debatuar gjatë mbi natyrën e asaj lëvizjeje. Për dekada, historiografia komuniste e trajtoi si një lëvizje revolucionare, duke i dhënë një interpretim ideologjik që vazhdon të ngjallë polemika. Shumë studiues të periudhave të mëvonshme kanë argumentuar se ngjarjet duhen parë në kompleksitetin e tyre historik dhe jo përmes filtrave të propagandës së një epoke të caktuar.

Sot, më shumë se një shekull më vonë, Shqipëria përjeton forma të tjera proteste, pakënaqësie dhe polarizimi. Nuk janë të njëjtat rrethana dhe as të njëjtat aktorë, por pyetjet themelore mbeten të ngjashme: drejt kujt modeli shoqëror po ecim? A po ndërtojmë institucione më të forta apo po ushqejmë përçarje të reja? A po mbizotëron dialogu apo retorika e konfliktit?

Protesta është një e drejtë demokratike dhe një shprehje e shëndetshme e lirisë politike. Mirëpo historia na mëson se kur zemërimi kolektiv manipulohet nga interesa të ngushta, kur emocionet zëvendësojnë arsyen dhe kur flamuri i përbashkët zbehet përballë flamujve të kampeve politike, atëherë shoqëritë rrezikojnë të humbasin busullën e tyre kombëtare.

Shqipëria e sotme nuk ka nevojë të kërkojë armiq imagjinarë, por të përballet me sfidat reale, emigrimin masiv, varfërimin e zonave rurale, korrupsionin, mungesën e besimit te drejtësia dhe krizën e përfaqësimit politik. Këto janë betejat që kërkojnë energjinë e qytetarëve dhe përgjegjësinë e klasës politike.

Kujtesa historike nuk duhet përdorur për të hapur plagë të reja, por për të shmangur përsëritjen e gabimeve të vjetra. Qershori i vitit 1914 na kujton se një komb mund të dobësohet kur humbet unitetin dhe kur interesat e momentit vendosen mbi interesin kombëtar. Ky mësim mbetet po aq aktual edhe sot.

Prandaj, kur shohim protestat, debatet dhe tensionet e ditëve tona, vlen të pyesim sërish: a është qershori rastësi apo zgjedhje? Ndoshta përgjigjja qëndron te vetëdija jonë qytetare. Historia nuk përsëritet mekanikisht, por ajo paralajmëron. Dhe kombet që dinë ta dëgjojnë kujtesën e tyre, kanë më shumë gjasa të zgjedhin të ardhmen e duhur.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page