top of page

Dy emocione që nuk mund t'i japim mjaftueshëm


Dashuria dhe respekti dy emocione që nuk mund t'i japim mjaftueshëm

Fatmir Terziu


Fatbardha Topuzi dhe Dhimitraq Topuzi nuk janë vetëm artistë të mirënjohur të Elbasanit. Ata janë dhe një simboli i respektit dhe dashurisë mes kolegëve. Këtë e vërtetojnë edhe sot. Edhe sot e vërteton prezenca e tyre. Në fakt, në këtë rast, ne u takuam me mikun tonë të hershëm, dhe thuajse përnatë e shihnim Taqon, sikurse quajnë miqtë, në shëtitjen e përnatshme, disi të konvertuar nga tradicionalja e xhirros tipike elbasanase, në udhën që të shpie përgjatë bulevardit kryesor, deri tek Stadiumi i Elbasanit. Tashmë Dhimitraq Topuzi mbetej në shoqëri të ndryshme.


Çifti Topuzi

E kështu në këtë xhirro tipike, të risisë në vit tjetër, në kohë tjetër, ne fiksuam si shenjë respekti një fotografi, dhe po aq shkëmbyem memorje nga koha kur na bashkoi arti, kultura, shkrimi dhe përkushtimi për një qytet, për një vend të tërë, për një kauzë të ndjeshme e të sinqertë. Dhimitraq Topuzi nuk ka ndryshuar, nuk ka lëvizur nga „istikami“ i qëndresës së tij miqësore…

Vetëm pesë vjet më parë dy artistët e mirënjohur të Elbasanit, burrë e grua, Fatbardha Topuzi dhe Dhimitraq Topuzi, i bënë një vizitë surprizë ish-aktorit të Elbasanit, Mehmet Ademi, që është dhe xhaxhai i time shoqe Luçianës, pra aktorit elbasanas Mehmet Ramadan Ademi, që tashmë ka ndërruar jetë. Fill pas këtij takimi në udhëtimin tim të parë, duke biseduar me të Mehmetin, mësova shumë rreth kësaj vizite kolegësh, që kishin qenë bashkë për disa vite me radhë. „Respekti dhe dashuria për njëri-tjetrin“, - më tha Mehmeti, atë kohë, „ishin dhe mbetën gjërat që nuk na ndanë“. Dhe ky respekt me po atë dashuri vazhdoi dhe jetoi mes tyre në vite. Edhe kur interpretuan në skenë, edhe kur luajtën në filma.

Vizitë tek Mehmet Ademi, 15 shtator 2023

„Mbaj mend“- më thoshte Mehmeti, - „kur bëhej “Mbrëmja e Madhe”, me nxënësit më të mirë e shkollave dhe kur merrnim pjesë edhe ne, që me humorin tonë e bënim atë eveniment m ëtë bukur. Ne shpesh ishim bashkë, dhe njiheshim si trupa e pandarë e Estradës së Elbasanit, dhe që mbeteshim të tillë edhe pas shfaqjes. Dhe ishim përherë bashkë sa mbetëm Mehmet Duduci, Suzana Qatipi, Dhimitraq e Fatbardha Topuzi, e natyrisht mes tyre edhe unë“.

Aty mësova se Dhimitraq Topuzi ka pasur mjaft dashuri për profesionin e tij, përkushtimin etij në vite, lojën në skenë, e për më shumë për ato që ai i nxorri në dritë vitet më pas. Ai tashmë, ndërsa afrohen Krishtlidjet, është në një siklet tjetër, që vjen nga thirrjet eshumta të shkollave dhe qëndrave të edukimit, që i kanë dërguar thuajse me dhjetra ftesa, se ai tashmë njihet edhe si Babagjyshi i Krishtlindjes në Elbasan. Këtë profesion e donte që herët, por e profesion që e (ri)zbuloi pasi që kishte kohë që ai e donte më shumë se edhe vetë fëmijët. Dhe kështu biseda e lirë shkonte në këtë shtrat, dhe vetëm për pak, pasi këmbët e tij janë gjithnjë në lëvizjen e qartë të mbrëmjes në Elbasan.


Elbasan, mbrëmje Nëntori 2023

„Nuk kam as slitë,“ – na thotë Dhimtraqi, duke buzëqeshur, „nuk kam as drerë dhe nuk ngjitem nga oxhaku, por kam një thes të mbushur me lodra dhe në qytet nuk gjen asnjë derë ku unë të mos kem hyrë pa trokitur tashmë në vite.“ Flet dhe shikon nga shoku e miku i tij i xhirros që ka në krah. Ai, tjetri, flet ngadalë dhe shpotit „Dhimitraq Topuzi është Babagjyshi i Krishtlindjes në Elbasan, një profesion që e zbuloi rishtaz“. Pastaj disi sikur don ta miratojë me një nënqeshje të lehtë dhe na thotë:

“Unë shkoja nëpër shkolla dhe vishesha si klloun, se klloun njihesh kjo puna e Babagjyshit të Krishtlindjes në Elbasan më përpara. Mirëpo, kur kohërat ndryshuan, mësuesit dhe mësueset thoshin pse nuk vjen dhe babagjysh te ne, të kemi dhe si kloun dhe si babagjysh. Po mirë thashë, po vij dhe babagjysh. Unë me fëmijët jam marrë gjithë jetën dhe kam luajtur dhe në teatër të kukullave, pse të mos bëhem dhe unë një Babagjysh profesionist i qytetit”, rrëfen Topuzi.

Tashmë dhe në kohën e Krishtlindjeve ai është personazhi më i dashur i festave. Si askush tjetër ai merr përqafime dhe buzëqeshje fëmijësh pafund. Dhimitri na thotë në këtë minutazh të shkurtër të bisedës me të, se „asgjë s’ka të krahasuar me lumturinë që të falin fëmijët e lumtur.“

Më shumë se 40 vite aktor teatri për Dhimitrin kanë shërbyer si eksperiencë shumë e mirë për të qenë një Babagjysh i besueshëm tashmë që legjendën pak kush e beson. “Disa thonë nuk ka babagjysh të vërtetë, është i sajuar. Kështu që më ka dalë një problem, të maskohem e të vishem si babagjysh. Mirëpo njerëzit thonë babagyshi nuk është i vërtetë, ka vënë paruke, prapë kur vjen babagjyshi gëzojnë. Më kënaqin”, thotë ai.

Në kohën e Krishtlindjeve miku i tij në krah na tregon se „në shtëpinë e tij çdo gjë flet për babagjyshë. Dhimitri është bërë një me rolin e tij. Ai mezi pret Krishtlindjet për të shpërndarë dhurata dhe për të marrë dashuri.“ Dhe ne dëgjojmë me kujdesin më të sinqertë. “Më përqafojnë njëherë, bëjmë dhe fotografi pastaj marrin dhuratat. Është një përballje shumë e këndshme, emocion të jashtëzakonshëm që të japin fëmijët. Ka dhe fëmijë që qajnë. Ata i dua më shumë”, thotë më tej Topuzi.

Më tej ne ndërhyjmë dhe e pyesim, se „kush ka qenë dëshira më e çuditshme që ai ka dëgjuar nga një fëmijë?“ Ai menjëherë na e kthen përgjigjen. “Një vajzë çuditërisht donte qen. U vura në siklet. Më mori një ditë e ëma, mora një kosh të madh me qenin që i thosha mos bëj ‘ham, ham’. Shkova në klasë dhe goca tha unë nuk i besoja deri tani babagjyshit, po tani që babagjyshi më solli qenin që doja unë e besoj plotësisht babagjyshin. Sot duhet të jetë në klasë të katërt e të pestë, më thotë babagjyshi. Unë jam babagjyshi i them. Jo më thotë, ai babagjyshi që më solli qenin në klasë është babagjyshi prej vërtetë”, tregon ai.

Edhe pse legjenda e Babagjyshit besohet gjithmonë e më pak, Dhimitri thotë se ajo është një traditë e bukur që nuk duhet të zhduket. Madje ai propozon që çdo fundviti në qendër të qytetit të vendoset një kuti postare e drunjtë ku të mblidhen letrat e vogëlushëve. Në ato letra shton ai do të ketë me siguri pak nga ajo që dikur ishte kryefjalë për ne, respekti dhe dashuria për njëri-tjetrin. Në fund të fundit, respekti do të thotë që ju keni një admirim të thellë për cilësitë, aftësitë dhe arritjet e dikujt. Dallimi kryesor midis dashurisë dhe respektit qëndron në këtë: dashuria është një ndjenjë dashurie ndaj dikujt, ndërsa respekti është një admirim për ta bazuar në atë se kush është si person.

Ndaj me këtë rast mësojmë dhe thelbin. Ka shumë emocione që përjetojmë dhe shumë janë të rëndësishme në komunikimin tonë të përditshëm. Ne përpiqemi të jemi pozitivë kur komunikojmë me njerëzit, duke ruajtur vetëm gjërat e duhura për rastin e duhur. Ne përpiqemi të mos e lejojmë zemërimin tonë të na kontrollojë, dhe në vend të kësaj, ta lëshojmë atë në një mënyrë të shëndetshme. Emocionet janë të vështira për t'u kontrolluar, por duke e bërë këtë, ne mund të jetojmë një jetë më të lehtë.

Ka dy emocione që ne i shohim si diçka që nuk mund t'i japim mjaftueshëm, dhe kjo është dashuria dhe respekti. Shumë besojnë se nëse do të kishte më shumë nga këto dy emocione, bota do të ekzistonte në harmoni të përsosur, dhe është e lehtë të kuptohet pse. Respekti dhe dashuria janë dy emocione që të gjithë duam t'i marrim dhe shpresojmë se jemi njerëz mjaft të mirë për t'ua kthyer atyre në këmbim.

31 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page