top of page

Duro Mustafai, ndërroi jetë më 22 dhjetor 2019


Duro Mustafai

U NDA NGA JETA SHKRIMTARI DURO MUSTAFAI Nga Luan Çipi Pas një sëmundje të shkurtër, në moshën 86 vjeçare , u nda nga jeta Duro Mehmet Mustafai. Duro Mustafai, është pa mëdyshje, një nga shkrimtarët më të hershëm dhe më të dashur të vendit tonë. Bashkëkohës dhe shok i Ismail Kadaresë dhe Dritëro Agollit, me të cilët punoi edhe bashkërisht te gazeta “DRITA”, (gazeta letrare më e rëndësishme për shumë vite rresht), ku ishte kryeredaktor. Duro Mustafai, më së shumti gazetar, është dhe poet dhe shkrimtar produktiv dhe mjaft i spikatur. Ai, veç gazetar te “Zëri i Popullit” dhe Kryeredaktor te “Drita”, ishte dhe Kryeredaktor edhe te gazeta “Shqipëria” për Diasporën, si dhe te gazeta dhe revista “HORA”, gazetë lokale, ndofta nga më të mirat në vend. Duro Mustafai, gjatë më shumë se 60 viteve, ka botuar në një punë pa ndërprerje, në të gjitha gjinitë e publicistikës: artikuj, kryeartikuj, skica, portrete, reportazhe, vëzhgime e fejtone, si dhe poezi e tregime. Njëkohësisht, gjatë shumë viteve, është angazhuar edhe si pedagog i jashtëm, në Degën e Gazetarisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës. Për veprimtarin e tij letrare dhe gazetareske, Duro Mustafai është vlerësuar me urdhra e dekorata dhe së fundi është shpallur “Mirënjohja e qytetit të Vlorës”, “Personalitet i Shquar i Labërisë” dhe “Qytetar Nderi” i Vranishtit. Shkrimtari dhe poeti Duro Mustafai, botimin e tij të parë letrar, novelën “Qielli i turbullt i Prishtinës” e ka qysh nga viti 1966 dhe pas kësaj ka botuar ndër vite pa ndërprerje 24 libra me tregime e poezi, ku spikasin skenar filmi, ditar dashurie, përshkrime udhëtimi, përshtypje e portrete shokësh e miqsh, ngjarje trimërie dhe heroizmi nga vendi, Vlora e Vranishti, si dhe ngjarje intime historike krahinore, farefisnore e familjare, etj. Duro Mustafai, ndërroi jetë më 22 dhjetor 2019, në Spitalin ‘’Nënë Tereza’’ Tiranë, pas një sëmundje të shkurtër kardiake.

U NDA NGA JETA DURO MUSTAFAI

Fjalët e trishtuara më gjetën larg, ‘’Duro Mustafai, u nda nga jeta”, Në ter çdo gjë, për rreth e qark, Kush i beson, si të vërteta?

Me poetin ishim tok pesë ditë shkuar, Për kopertina librash po diskutonim, Katër vepra të reja kish përfunduar, Dhe po mendonte si t’i botonim...

Unë, dje u nisa për në Holandë, Për në Krishtlindje, e Vit të Ri, Këtu u njoha me të kobshmen mandatë, Vranisht e Vlorë, veshur në zi!

Për shokun e vegjëlisë, me lot po qajmë Gazetarin, shkrimtarin, poetin e ndjerë, Na iku Durua dhe s’ kthehet më Po na la vepra dhe punë me vlerë:

Njëzetekatër libra madhore botuar, Në disa gazeta, kryeredaktor, Nuk rreshti gjashtëdhjetë vjet duke shkruar Kryelartë u largua me penën në dorë!

Roterdam, 22.12.2019


12 views0 comments

Commentaires


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page