top of page

Durim Çaça, me një risi të re poetike


Durim Çaça

Fatmir Terziu


Vjen me siglën e mirrënjohur të botimeve „Ombra GV“ dhe më nëntekstin dedikues „poezia bashkëkohore shqipe“. Autori është Durim Çaça. Titulli „Hymne providence“ dhe emetohet si Poezi perfomiste. Falenderimi i përzemërt u shkon përzemërsisht miqve të autorit: Sokol Rashiti, Ferizaj, Kosovë, (emigrant në Zvicër) dhe Fadil Avdija, Tetovë, (emigrant në Itali), që ofruan me fisnikëri, mbështetje (të pjesëshme) financiare, për mundësimin e këtij botimi artistik. Dhe përkushtimi dedikues është për Lejlën, Sarën, Talhain, për Lidin, Selmën, për Roelin, e natyrshëm me dashuri nga vetë autori i këtij libri. Libri është një vëllim poetik.

Vëllimi poetik “Hymne Providence” (2019: Tiranë) përmbyll pentalogjinë lirike (të nisur me “Poezi njerëzimi”, dhe të vijuar më tej me “Fytyr’ pafundësie”, “Sharme shamani” dhe “Hiper-ritme në shend”), si një përpjekje, nëpërmjet shprehësisë estetike të performatizmit, paradigmës së re artistike të dhjetëvjeçarëve të parë të shekullit XXI, - të “vetëmodelimit” dhe “të të bërit të vetvetes”, në një “hapësirë pozitive” të “optimizmit metafizik” të aktit të shkrimit lirik, si një akt diskret transhendence dhe intimiteti bipolar të besimit të vetes dhe të të tjerëve, pra, përmes kësaj estetike të performancës artistike poetike. Në këtë pikë zbulohet dhe ridimensionohet qëllimi poetik i këtij vëllimi, tek i cili qaset thelbësore dhe tejet diskursive, transhendenca.


Rëndësia transhendente


Poezitë e këtij autori nisin me një ndjesi të natyrshme, që lidhet me një sferë shpirtërore. Kjo sfërë shpirtërore ka një rëndësi tipologjike mes vargut dhe mesazhit. Kjo rëndësi është transhendente. Rëndësia transhendente, është ajo që formon dhe frymëzon idenë dhe mesazhin që delegohet prej shpirtit, një mesazh që më pas bëhet adekuat për shpirtin e secilit person që e lexon. „Vals, 1“ është një model i tillë: „botë e gdhendur nga drita e mëngjesit/me spikatje fërgëllimash, aromash e horizontesh/shtëpish që bien erë mollë mes kopshtesh të verës/e psherëtima e ëmbël e vajzës që rrëshqet/nëpër qiellzën e saj të re si mjalt’ prej vështrimit/të djalit që shket si mëndafshi mbi qelq/porsi te një e vërtetë poetike/që duhet të besosh gjithçka dhe asgjë/nëna, vdekja…“.

Kjo poezi dhe mjaft të tjera që pasojnë formojnë Kapitallin e Parë të vëllimit poetik. Dhe kështu sikurse e cituam më lart, Kapitulli i Parë i këtij vëllimi nis me valse, e pikërisht këto valse janë valse transhendence. Valsi i kësaj transhendence shpirtërore poetike merr hua nga periferitë ndriçimit shpirtëror. Ai pasqyron një mos trupëzim brenda modeleve të perceptimit vizual, induksioneve të konfuzionit dhe ideologjisë së transcendencës që gjendet në një vend të harrimit ose fugës: „ah, se te një e vërtetë poetike/duhet të besosh gjithçka dhe asgjë“. Përmbajtja e tij u mblodh përmes intervistave, pjesëmarrjes në konventa dhe gjeti materiale që mblidheshin në një koreografi midis familjaritetit, konfuzionit dhe paqartësisë. Ky vals transhendence të delegon në brendësi të mesazhit, ku diskursi duket se absorbohet në periferi, aty ku fokusi dhe vëmendja nuk janë të fiksuara në perceptimin vizual, por potencialisht mund të lëvizin brenda tërë ndriçimit shpirtëror.

Kjo imagjinatë transhedence është një vlerë. Kjo vlerë tejkalon të gjitha dallimet dhe bashkon një grup perceptimesh në „Vals, 2“ dhe „Vals 3“ e më tej në vazhdim. Ky vazhdim hyn më tej në përvojën besimtare. Në përvojën besimtare, vetë krijohet transcendenca. Në këtë rast ajo është një gjendje e qenies që ka kapërcyer kufizimet e ekzistencës fizike dhe sipas disa përkufizimeve është bërë gjithashtu e pavarur prej saj. Kjo në mënyrë tipike manifestohet në varg, seanca, meditim, psikedelikë dhe "vizione" paranormale: „dielli që kullon fjalën prej çdo vështrimi t’errët/pishnaja ku drenusha ndalet me thundrën në ajër/një re e bardh’n’horizont që bën statuetën e bukuristënde“.


Forma poetike me instalacione dhe remikse


Vargjet e tilla „lulëzimi mishtor me ngjyra purpuri të errët/e trupit të afshtë të gruas së re në fshat/mbetur vetëm ball’ për ballë me fjalët e netët“ na shpien tek poezia e përzier (e quajtur decoupé në frëngjisht) e cila me këtë rast na jep mundësinë që mund të gjenerohet rastësisht në perceptim. Ashtu sikurse, poetët e poezisë së prerë dhe të përzier, edhe autori i këtij vëllimi zgjedh të organizojë fjalët e gjetura në linja gramatikore dhe strofa. Fjalët e padëshiruara, sikurse shihet në shembullin më lart nga „Remiks 1“ hidhen poshtë. Në anën tjetër vihet dhe një prurje e poezive të tipit instalacione, që ndihmon në emetimit natyral të natyrës, sikurse bën në fakt „Instalacion 2“: „heshtja e vjetër e dhembjes, nokturnet e shopenit/dhe vjeshta e re, ah, për gruan prej zjarri/që e dua para se gjaku im t’përzihet me stuhit’ e bletët.“


Poezitë e tilla të këtij vëllimi poetik formojnë përmbajtjen e Kapitullit të Dytë, i cili është sikurse e theksuam plotë instalacione dhe remikse. Autori mes këtij kapitulli ka tentuar për të bashkuar linjat poetike natyrale dhe për të krijuar krahasime të papritura. Ndërsa poezitë e këtij kapitulli mund të duken shqetësuese, është e qartë se Çaça e ka bërë këtë zgjedhje të qëllimshme. Vini re gjendjen e tmerrshme, por të qëndrueshme në këtë fragment nga një poezi që autori e ka nga përditshmëria: „të shkruash përdit’ nga pak pa shpres’, pa dëshpërim/pa dhembje siç shkruan deti shkrolën e vet/me gjuh’ të argjendtë shkume të shndritme/për ecjen në diell, mes mureve të verdh’ të verës/për ëmbëlsin’ e trishtimit të fëmijërisë/për gojën e trëndafiltë të gruas së re/që digjet si plagë nëpër trupin/e qenies tënde,/për korijen e vidheve e paqen e shenjtë/të hardhisë vezëllitëse/karrigen, perden e dritares, pirunin, vëthin/e nënës, për gjërat e përditshme që marrin fuqi/të pamatë tronditëse,/vetmin’ e fërfërimës së panjës/ku këndon një mëllenjë…“

Çdo lloj vargu që plotëson këtë Kapitull të këtij Vëllimi është lojë e ndershme. Autori formon gjuhën tiplogjike të tij për të ngritur dhe për të gjetur në strofa, shton pajisje figurative poetike si rima dhe metri, dhe zhvillon një model të tillë, që hera herës ngjan edhe si një limerik, ose edhe si një sonet. Kjo jo në të gjitha poezitë e këtij vëllimi, por në disa që qasen më shumë nga froma diskursive e trajtës së instalacionit dhe remiksit.


Ritme performatiste


Poezia me ritme performatiste është një poezi që vjen nga interpretimi. Ritmet e saj janë të tilla, sikurse vetë termi, pasi ajo synon të formojë një diskurs më vete në trajtesën e gjerësisë së mesazhit që përcjell. Natyrisht, në këtë format ky term, është një term i gjerë, që përfshin një larmi stilesh dhe zhanresh. Shkurtimisht, është poezia që është kompozuar në mënyrë specifike për, ose gjatë një qasjeje para një ndjesie të ndikuar me imazhin e gjerë të një prezence të detajuar publike në sytë e krijuesit. Poezia „Sinfoni verore, Bardhor“ na jep këtë shembull „vera e madhe që na plagos/sa që harrojm’ pashmangshmërisht/se kemi qen’ hyjnorë/s’mund ta përballoj lumturinë/që vjen prej detit e që të bren/të mbaron, të sfilit/dita e nxehtë e afshtë/me gjinkallat që laracojnë/ajrin si të qe xham…“ Kështu është dhe poezia „Sinfoni në flaut, mars“, apo „Sinfoni Hyjnore“ dhe „Bolero“.

Kjo lloj poezie paraprin të gjitha gjërat me të cilat krahasohet dhe e ka thelbin tek rikthimi memorial i aktit normativ të saj, tek gjërat dhe vlerat që u kujtuan dhe u përsëritën nga personi në person. Skema e fjalëve të folura dhe të përdorura tek ky Kapitull i këtij vëllimi është pothuajse po aq e ndjeshme sa edhe vetë fjala e shkruar bukur që në këtë rast plotëson imagjinatën e autorit. Ajo ka majat dhe kumtet e saj si të gjitha format e artit, por ndryshe nga të tjerat ajo kthehet kohë pas kohe, si në këtë qasje të mirëfilltë të autorit Durim Çaça. E rigjeneruar, e rivendosur por po aq emocionuese dhe me kthesa të reja dhe bashkëkohore të shtuara në truket e saj të hershme, është me të vërtetë një lëvrim e një stil adekuat i formave poetike të artit dhe ka aftësinë për të tërhequr në thelbin e saj të gjithë lexuesit „petale mangoje të përkulura nga bletët/vrulle nostalgjish prej arome jonxhe t’porsakositur/e buke të sapopjekur/si vendi ku njerëzit duan t’shkojn’ her’ pas here/për t’u ndier të gjallë/në të tashmen e vetes/seç pasuri ajo që cicërin n’përfytyrim/për një nat’ të kaluar me të dashurën/me aromën e saj në frymë/n’ashkun shpirtëror të dëshirës e kujtesës/në korijen me pemë molle e kuaj/që përtypin lulnajën e egër.“ (Ritme performiste, 5).


Nga forma memoriale tek struktura plot variacione dhe imazhe


Në vazhdim ky vëllim poetik ka përzgjedhur dhe seleksionuar më vete „Kushtime dhe memoriale“ ku dhjetë poezi paraprijnë Kapitullin tjetër me një titull domethënës „Variacione dhe imazhe“. Në rastin e parë kushtime dhe meoriale synojnë të kujtojnë në vargje, një dëshmi të së shkuarës, sikurse janë vargjet: „në kampet komuniste të përqëndrimit/të ishujve të largët Sokolovski*/rojet vritnit dallëndyshet e detit që t’burgosurit/të mos çonin me to kumte/nga ajo përtej botë/n’kampet komuniste të përqëndrimit/buz’ lumejve rusë Irtysh e Ob/t’burgosurit sharrëxhinj pritnin gishtrinj të tyre/që i lidhnin në trungje të lundronin/në lumë si kumte/prej asaj përtejbote/dimër e verë/e liria shtangej pafuqishëm/përball’ dhembjes...“ (Memorial, 5). Në formën e tyre parësore për këto forma nuk ka stile ose rregulla uniforme të lidhura me poezinë përkujtimore, por janë një risi e trajtuar mjaft mirë poetikisht nga autori në këtë kapitull.

Më tej në vazhdim të kapitulli tjetër autori tenton medoemos të largohet nga faktorët e rrëndomtë në poezi sikurse janë kaosi dhe kontrolli. Klasikisht, këta faktorë i atribuohen Dionisit (aspektet dioniziane ose kaotike) dhe Apollonit (aspekti apolonian ose formal i poezisë.) Ashtu si dy perënditë greke të poezisë që ishin Apollo dhe Dionysus, çdo poezi e madhe ka elementë të kaosit dhe kontrollit nënë termin unik.

Për këtë autori në çdo poezi përdor aspektet formale (të shëndosha dhe vizuale) të gjuhës për të kontrolluar aspektet kaotike (kuptimplote dhe shprehëse) të gjuhës, ndaj poe sjellim të plotë poezinë e tij „Nënt’ variacione imazhesh hënore, I“

„1.

pela e bardh’ e hënës po hyn n’Alahambra

shaluar me ndriçimin e me frer’ të agimit

të yjeve Plejada

2.

një shkulm’ i verdh nis ndrit pas një gërmadhe s’largu

po lind hëna në Sardenjë

si zjarri i një oshënari a kaçaku

3.

ja, trëndafi li i madh i verdh’ i hënës po çel

mbi lofatat e qumështoret e kodrës

së Gërmejit

4.

n’trupin mëndafsh t’agimit kjo hën’ e zhveshur greke

mbështjell plagën e saj të terrt’ me velin e vet t’ngrirë

e mbytet e qetë tej bregut të heshtjes

5.

ah, e dashura, si një hën’ e kaltër kubane

gjysmëfl ak’ e kthjellët veshur me sythe gjethesh

në këtë natë të përmallme

6.

shiko këtë hën’ që po ngrihet e ftohtë, e zbehtë

rrëqethëse, shpirthumbur, n’Melburn, si fantazma

e një dielli që porsa ka vdekur

7.

ja, harku i ri i hënës në Hauai

tek feks si një bujashkë e hollë, e shqitur

prej një shufre ari

8.

gishti i harkuar i verdh’ me nikotin’ i hënës në maj

po shfl eton fl etët e poemave

frymëzuar prej saj

9.

Oj, e bukura, në Synej porsi hëna në verë

që ndriçon veç gjërat, ah,

e përjetshme...“


Autori ka përkushtim të ndjeshëm tek forma, pasi në këto poezi ajo shihet qartë se përdoret për të kontrolluar dhe frenuar gjuhën për ta bërë atë të tretshme, më të fuqishme dhe të përmbajtur për lexuesin. Autori, si përdorues i gjuhës së zgjedhur, nuk ndikohet me zhgënjimet dionisiane të gjuhës. Fokusi i tij mbetet tek aspektet formale të çdo poezie. Por kjo nuk do të thotë se poeti nuk ka lejuar një kaos në poezi, por meqenëse një poezi është një gjë e strukturuar dhe ne nuk mund të "kontrollohet" nga aspekti kaotik, në vetvete me çdo mjet është imponuar një strukturë e paracaktuar mbi të, që ka kuptim dhe mesazh të qartë. Nga forma memoriale tek struktura plot variacione dhe imazhe vëllimi në tërësi mban të balancuar dhe mbartet në terren delikat të imponuar nga perceptimi i autorit, gjë që e bën këtë vëllim të vendoset aty ku ndodhet poezia më e mirë. Kjo ndodh dhe në kapitujt e tjerë „Kompozione dhe akuarele“; „Hymne prividence“, apo dhe qasjet narrative teorike të autorit me tematikën „Ravgime për një stratagjemë të poetikës performatiste“ dhe së fundi tek „Një selitje performatiste“.


Duke përfunduar


Duke përfunduar, së pari duhet të theksojmë se vëllimi ka një përgatitje të admirueshme estetike, mënjanon përsëritjet, gabimet ortografike, është shkruar dhe paraqitur në mënyrën më të bukur grafike. Në fund të këtij vëllimi shënimet janë një bukuri e ndjeshme sqaruese, lehtësim kuptimi të disa fjalëve dhe vendeve, emërtesave dhe citimeve, dhe mbi të gjitha është një formatim mjaft tërheqës.

Në aspektin e prurjeve poetike natyrisisht është një tentativë ndryshe, që kërkon lexim profesional, natyrshëmëri dhe mirëkuptim vargor. Autori, me një natyrë të qetë ka prurë një risi të re poetike, e cila tashmë kërkon një vëmendje më të gjerë, një arsye kjo që duhet të mbetet tek përkushtimi dhe qasja me atë që shkon në përshtat me nivelet më të përparuara të botës krijuese.


@copyright

81 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page