top of page

DUKE TË DASHUR TY MERR KUPTIM ÇDO NGJARJE

Feb 12, 2023
1 min read

Pse vij aq shpesh andej nga lagjja jote plot dritare dhe mollë, e natyrshme m’u bë siç është e natyrshme të bëhet mbrëmje. U shkundën yjet, mjaft, boll, le të ndrisin këngët ku të përfytyroj me ëndje! Ledhatoj me sy shtegun ku e sorkadhtë ke ecur, puth kroin ku ke pirë e mbushe bucelat antike. Vetë ajri fërgëllon si një e qeshur, si një dënesë dashurie. Ja, m’u afrua pranë një kalë dasme i bardhë, a mund ta ngarkoj me ëndrrat e mia? Ti asgjë s’dije dhe këtë radhë se na ndanin vetëm ca pemë dhe drojtja e kotë apo magjia? Pse dole, më ndjeve si një fllad, ku po shkon nën dritaren e hapur si nën hënë? Duajt e grurit ti po i kap, jam unë herë pas here në ata duaj të rënë. Unë e mbolla atë arë, e korra, e lidha dhe ti po e mbart në krahë tani. Kallinjtë po mërmërisin fjalë të florinjta, janë fjalët e mia të rënduara me dashuri.

Duke të dashur ty merr kuptim çdo ngjarje dhe mbrëmja dhe të punuarit lodhës. Po të mos ishte dashuria, s’do t’u bënim fare dritare (sado të vogla) kullave të kohës.

Kukës, Vilë, 197…

*Titulli i origjinalit: “Kërkim dashurie në veri”

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page