top of page

DUHANXHIU


STEFAN MARTIKO

DUHANXHIU -Sipas poemës Duhantorja të Fernando Pessoas- Përballë zyrave-rrugica. Drejt e te lumi. Erë duhan bie fryma përbrenda. Cigarja e shuar e thithur përgjysmë. Njeriu i Zyrës sheh hirin. Bota është e mbyllur. Kapak floriri heshtja.Heshtja e pirë përgjysmë. Gjer te rruga Nacionale 500 hapa për t'iu ngjitur. Një kodre ovale. Por zhurmat treten te kjo heshtje e blerë me kubikë floriri. Këtu te kufiri i një bote tjetër ku pushteti bëhet i frikshëm. Njeriu i zyrës lexon gazetën më tej gjithçka në kapakët e saj mbyllet. Gjer këtu nuk vjen oshëtima e lumit. Kapak i mbyllur heshtja. Ditë vere me zogjtë mbi plepa. Përtej pushtetit ka një jetë tjetër. Njeriu fshihet pas gërmave dhe mbyllet në vetvete. Nuk është mirë të shpërthejë dhe shtyp bishtin e një cigareje tjetër. Në dhomën tjetër është një grua. Ajo bën sikur shkruan. Në fakt ajo lexon fytyrën e tij që është duke e dashuruar. Të dy veç e veç duken edhe më tepër se një njeri i vetëm. Sheh orën dhe ditën që ndërron ngjyrat tek kapërcen një kodër tjetër më të lartë. Është një mister që hyn në botën e njeriut të Zyrës prej një dritareje të vetme. Kohë tepër e ngjeshur njeriu del përpak dhe blen një kulaç por edhe një tjetër për gruan e zyrës tjetër. E urren harresën dhe le shenjën e cigares mbi tak e tuke. Del me të drejt kthimit ku e pret heshtja. Ajo nuk këmbehet dot as me lira të shtrenjta. Nëpër fletët e regjistrit koha ka ngecur. Një çast trembet sikur dikush po e lexon brenda vetes. Sapo kaloi njeriu i pushtetit dhe ai përherë ka një pyetje. Njeriu i Zyrës ul kokën sikur s'është këtu por te një botë tjetër. Ai e ka zbuluar kodin në faqen 4 të gazetës. Rregullon jakën e xhaketës gravatën në fyt që po e mbyste. Ai trembet por nuk e tradhton veten së cilës i bën vazhdimisht pyetje. Para muzgut i bën shenjë gruas së zyrës tjetër. Po vjen makina e pushtetit. T'i çojë në shtëpi një gjysmë e gjallë dhe gjysma tjetër e vdekur Kjo është poema e dyshimit të asaj që të shfaqet e varur prej numrit të miopisë Tani që nuk ka më betejë në këtë fushë lufte në qetësi mund të përfytyrojmë në të vërtet çfarë ka ndodhur. Koha e ndalesës ka qënë kaq e vogël sa një frymëmarrje Njeriu i Zyrës tani në vetmi po pi kafen e Mbasdites. Përshkoi gjysmën e gjysmës së qytetit për të mbërritur në qendër. Pa qindra njerëz mos zbulonte mes tyre një vete. Dhe përsëri ai ecte te trotuari ku nisnin vizat e bardha të pushtetit Duke pirë kafen befas papritur sheh vrima të hapen në mure ku në secilën prej tyre shfaqet një sy i pushtetit Përpiqej të fshihte dashurinë gruas që ia kishte rrëmbyer një tjetër. Bota po i përmbysej nën thundrën e shumë pushteteve njëherësh. S'po dilte dot prej rrethanave dhe po shpikte mitin e ribërjes së vetes por ndoshta as tani vetes nuk do t'ia tregonte të vërtetën

42 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page