top of page

Dudiana Lela: Sa e thellë është kjo poezi…!

  • 2 hours ago
  • 3 min read

 

Sa e thellë është kjo poezi, e fshehur në çdo varg të saj!

Ajo fiton një sharm të veçantë pikërisht sepse “kornizat” standarde të të bërit poezi i kapërcen me delikatesë, përmes shtrirjes së lirë të vargjeve, duke e bërë të duket më “mbretërore”. E mbi të gjitha, bukuria më e madhe qëndron te filozofia që përcjell.

Kur lexon vargje të tilla, koha bëhet e çmuar.

Është një përshkrim i vërtetë i të qenit të njëjtë në përditshmërinë tonë.

Edhe kur vuajtja është në të njëjtën “kopsë” — një metaforë me simbolikë therëse — valët e frekuencës së trupave njerëzorë përplasen në të njëjtin shkëmb.

Oh, çfarë realiteti!

Çdo gjë njerëzore, e njëjtë.

Dhe pyetjet, si në një përcëllimë të ethshme, mbeten: kur ka qenë hera e fundit që ke ndjerë vuajtjen… po atë të njëjtën?

Një “shtrirje” dhimbjeje në të njëjtën gjatësi të rrugës njerëzore.

Një panoramë që nuk të mbush.

Dhe një ditë kupton se kjo rrugë nuk ka qenë për të të ndëshkuar, por për të të bërë mik me dhimbjen; sepse ajo është e pranishme edhe në të tashmen, që nesër bëhet e shkuar.

Çdo e tashme sot, nesër është e djeshme, dhe dita i lë vendin ditës — por gjithmonë me “miqësinë” e dhimbjes.

Të duket sikur në një çast të merret fryma, sikur nuk ka derë apo dritare nga ku të hyjë pak oksigjen.

Çaste të trishta jete.

Dhe ditët rrokullisen njësoj për të gjithë, të veshura me të njëjtat rroba, me të njëjtat kujtime, me të njëjtën frymëmarrje, derisa të vijë ajo kohë e artë kur ne të gjithëve të na lejohet të ecim të lirë.

Sa e shenjtë kjo lutje!

Shuplaka e së vërtetës ndaj atyre që e krijuan këtë realitet merr një forcë të patjetërsueshme:

të gjithë ne — kushdo qoftë, edhe ai që e quan veten “bos” — do të kuptojmë çfarë është turpi, një ndjenjë që skuthët nuk e kanë njohur kurrë.

Vargu i fundit vjen si një thirrje shpirtërore: megjithëse vuajmë nga e njëjta “kopsë” mbytëse, duhet t’i drejtohemi vetvetes si e vetmja shpëtimtare, për të kuptuar dhe reaguar ndaj asaj që ndodh rreth nesh.

Vetëm kështu kupton se vetvetja është mbështetësja kryesore, ajo që bën diferencën dhe denoncon realitetin; sepse vlera është aureola e gjithsecilit në këtë vorbull jete.

Kënaqësi e vërtetë ta lexoja këtë poezi.

Të falënderoj!

 

Fatmir Terziu: Të gjithë vuajnë nga e njëjta kopsë

 

Të gjithë ecin nën të njëjtin hap,

të gjithë ecin nën të njëjtën dritare,

të gjithë janë në këmbë,

hije që ndjekin një rrugë të ngushtë,

valët që përplasen në të njëjtën shkëmb.

 

Çdo trup shtrihet ngadalë

përballë pasqyrës së njëjtë,

(e njëjta fytyrë)

jakë,

buton,

rrip,

zinxhir

gjithçka që mban nën sipërfaqe

kujtime të ngjeshura

që presin të dalin si pulla nëpër faqe.

 

Dhe pyetjet vijnë njësoj

(përcëllitje të ethshme)

në heshtje të ngurtë,

kur ka qenë hera e fundit

që ndjeve këtë vuajtje të brendshme?

Para shumë hënash

në rrugën që tashmë e njeh

diçka do të ndodhë

një shenjë,

një dridhje,

një prekje,

(që ndoshta nuk shihet)

një kujtesë që shtrihet.

 

Pastaj heshtja kthehet në kohë

dhe koha duket më e gjatë

se sa mendove,

pak më shumë për të kuptuar

pak më shumë për të thënë

që nuk je vetëm ai që mendove,

dhe as ai që të frikësonte.

 

Klasa do mbyllet një ditë

të gjithë do të lënë rrugën e njëjtë,

disa më shpejt,

të tjerët më ngadalë,

dhe do të kuptosh

se rruga nuk ka qenë për të ndëshkuar,

por për të të bërë mik me dhimbjen

në një tashme të shkuar.

 

Rrobat të presin ende,

jakë e buton,

triko e ngrohtë

zinxhirë që mbajnë kujtesën,

dhe shalli që qëndron i heshtur

duke të kujtuar

se gjithçka që pate në dorë

do të të shoqërojë edhe i shtrirë,

deri sa koha të të lejojë

të ecësh më i lirë…

 

… e një ditë do të kuptosh

Çfarë është të quash turp,

(nëse do të quhesh ende bos?!)

vetvetja do të të shpjegoj këtë skup

të gjithë vuajnë nga e njëjta kopsë!

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page