top of page

Duart i mbusha me lot


Gladiola JORBUS



Krahët hap drejt qiellit,

pas angështisë së mostingëllimit.

Aroma jote,

bëhet hyjnore dhe e përjetshme.

Erërat e tua enden pa busull.

Nga njëshi te dymbëdhjeta,

secila syresh mbart një emër -

e acartë, e tërbuar, e ngrohtë, flladitëse,

e lehtë, e butë, e lagësht, e fortë,

e lindjes, e jugut, e veriut, e perëndimit...

Dhe trëndafili i tyre –

një tjetër krijim i përkryer i Zotit,

si trupi i hijshëm i gruas,

vishet me drithërima mëkati.

Trëndafili i dymbëdhjetë erërave!

Eremit i vetmuar i gjithësisë!

Llamburin mbi shpresat e përlotura

në yjësinë e mallit.

Petalet e tua ngjajnë si tafta e mëndafshtë,

me faqe të shndritshme.

Të çmuara - si qumështi i derdhur nga gjiri i Herës

mbi dritësinë spirale të Via Lacteas.




Fjollë dëbore


Po bie dëborë e qelqtë.

Udhëkryqi – i tëri u zbardh.

Flaka u shua.

Vështrimet u bënë cingërimë.

Aroma e myshkut tutje fluturoi,

u bë e shkuar....

Dhe ndjenja përngjante

me një fjollë dëbore.

Në qiell pikturonte

sfondin e mjegullt të shpirtit,

aureolën e hënës

dhe puthjen që shkithej në ajër.


Epoka e dinozaurëve

Më mbaruan fjalët...

Tek ti u përmbytën

çastet dehëse të lumturisë.

Po iki...

Perënditë verbohen

nga vozitja hënore mbi ujëra të akullema.

I ngjaj muzgut të përgjumur,

trishtimit kapriçoz,

puthjes së lamtumirës.

Edhe dueli zemër – mendje u shua...

nga pasqyrimi gjigantesk i zhgënjimit.

Dashuria u zbeh, u zhbë...

si një krijesë prehistorike.

Për të mund të lexojmë

e ta hasim veç në libra,

njëlloj si epokën e dinozaurëve.


Krijesë e brishtë

Koha ndalet në sytë e saj.

Një grua e trishtuar - është historia

e mijëra grave zemërngrira.

Buzëqeshjet mbyten në lumenj lotësh.

Flokët e mëndafshtë struken në diell.

Dëshirat femërore shtegtojnë larg...

Përtej kufijve të asaj bote,

që e mbiquajti gruan,

krijesë të brishtë.


Duart i mbusha me lot


Duart i mbusha me lot.

Për gjithçka humba në shakullinë e jetës.

Të dashurit, ëndrrat, pjalmin e zemrës.

Mos më pyesni për lotët që rrjedhin,

as për parajsën e zbehur eliziane.

Buzëmbrëmjet vetmitare përndriten.

Lule Bahu, qirinj flakëvagëllues,

pakëz muzikë dhome në sfond,

një shtrat i trishtë,

i hijeshuar me mbulesa kadifeje luksi.

Dhe pikëllimi endet në ajër

si një brerore e shndritshme,

që përqesh lumturinë.

30 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page