top of page

DRITAN ÇELAJ, ME 400 TABLLO ...


Pas 23 vitesh punë e përkushtim me talent të rrallë çel ekspozitën e tij të parë


DRITAN ÇELAJ, ME 400 TABLLO JETËSORE NË GALERINË E ARTEVE


Halil RAMA-Mjeshtër i Madh

Plot 23 vite punë me talent e përkushtim të rrallë për të sjellë për publikun më shumë se 400 tablo, kryesisht duke ushtruar ekspresionizëm me teknikën e vajit. Shikues të shumtë janë mrekulluar teksa kanë vizituar këto ditë ekspozitën e artistit Dritan Çelaj, i cili nëpërmjet pikturës së tij, ka arritur të gjejë vlera tek arti dhe prania me artin. Filozofia e artit të tij bart vlera, qoftë dhe duke shijuar gjëra të vogla.

“Gjithë filozofia që unë kam kuptuar është të shijosh gjërat e vogla. Nëse i japim vlerë gjërave të përditshme dhe gjërave të vogla që bëjmë, e gjithë jeta jonë merr vlerë dhe jeta e shoqërisë merr vlerë”, pohon Çelaj, i cili tashmë përveçse si sipërmarrës i suksesshëm prezantohet për publikun edhe si piktor me talent të spikatur.

Dhe kur “punimet” e një piktori të “heshtur”, si Çelaj vlerësohen nga të mëdhënjë e artit të Pikturës si Abaz Hado, s’ka dyshim për cilësinë e veprave të prezantuara në këtë ekspozitë. Drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, Abaz Hado është shprehur se kjo është një nga ekspozitat më të bukura të hapura deri tani. Sipas Z.Hado, natyrat e qeta janë trajtuar me një mjeshtëri nga Dritan Çelaj, e cila është për tu admiruar.



“Unë kur kam parë këto materiale kam thënë wow. Dhe nuk është një reagim që e bëj shpesh, për mua kjo ekspozitë është një befasi”, shprehet Z.Hado, i cili shton se natyrat e qeta janë trajtuar me një mjeshtëri e cila është për tu admiruar.

Gjithkush që viziton këtë ekspozitë nuk e ka të vështirë të dallojë figuracionet, ekspresionizmin në kolore, gjendjet reale dhe sureale që karakterizojnë pikturën e Dritan Çelajt. Sipërmarrësi me vlera të spikatura njerëzore dhe intelektuale duket se e ka patur pikturën pjesë të rëndësishme të jetës së tij, ndaj nuk çuditemi kur na zbulon tablotë plot gjendje në ekspozitën e tij të parë, të cilësuar të arrirë artistikisht nga shumë artistë dhe kritikë. Kjo edhe për faktin se ekspozita me emrin sinjifikativ “Allow Colors” ose “Lejo ngjyrat” shpalos brendinë shpirtërore të këtij autori.

Që prej vitit 2000 kur nisi të krijonte, Çelaj ka realizuar më shumë se 400 tablo kryesisht duke ushtruar ekspresionizëm me teknikën e vajit. Ajo çfarë i karakterizon pikturat e tij është energjia pozitive, freskia që vjen si rezultat i ngjyrave të ftohta që përdor, por që shpesh i balancon me simbole të theksuara me ngjyra të ndezura.

Në veprat e ekspozuara në këtë ekspozitë dallohet qartë subjekti inspirues i artistit Çelaj, natyra në tërësi dhe natyra njerëzore në veçanti që janë në shprehjen sintetike të nivelit më të lartë të veprave në artin e pikturës: Kohë-Lëvizje-Hapsirë. Në këto vepra këto janë shprehur me ngjyra të ëmbla, të thekshme dhe transparente përmes një realizimi mjeshtror dhe emocional jo vetëm në ngjizje e realizim por edhe në lëvizje fizike në inspirim dhe për tu ekspozuar. Nuk mungojnë portretet e trajtuara shpesh me një lloj brishtësie që e karakterizojnë punën e tij, përgjithësisht intuitive. Në to spikat larushia e ngjyrave dhe tematika e larmishme.

Çelaj nëpërmjet pikturës së tij, ka arritur të gjejë vlera tek arti dhe prania me artin. Në më shumë se dy dekada ai ka guxuar të realizojë mjeshtërisht portrete, me gjithë kompleksitetin e tyre si dhe trajtimin me detaje të mjediseve.

Ajo çfarë i karakterizon pikturat e tij është energjia pozitive, freskia që vjen si rezultat i ngjyrave të ftohta që përdor. Nuk mungojnë portretet e trajtuara shpesh me një lloj brishtësie që e karakterizon punën përgjithësisht intuitive të artistit.

Qoftë dhe nga një këndështrim sipërfaqësor mund të konkludojmë se pikturat piktorit Dritan Çelaj kanë një interdialog dhe komunikojnë njëra me tjetrën, pavarësisht faktit që secila pikturë në vete përmban aspektin filozofik dhe estetik.

“Allow Colors” ose “Lejo ngjyrat”, vjen si një rrëfim i përjetimeve të tij brenda tranzicionit të shoqërisë shqiptare. Kërkimi i tij artistik kalon përmes peizazhit dhe natyrës njerëzore duke trajtuar gjithë kompleksitetin e saj. Megjithëse çdo periudhë ka treguar se një vepër arti merr jetë kur del jashtë studios, Dritan Çelaj ka zgjedhur që për vite me radhë t’i mbajë të pa ekspozuara punimet e tij, duke mos lejuar që publiku të ndjekë nga afër ato.

Ky është hapi i parë i Dritan Çelaj drejt publikut, i cili duke e njohur atë si një personalitet të fushës së biznesit, përveç dashamirësisë, ka treguar edhe kuriozitetin apo vlerësimin për krijimtarinë e tij, të cilën tashmë mund ta ndjekim nga afër të gjithë.

Në ekspozitën e çelur në Galerinë e Artit që do të qëndrojë e hapur deri në fund të muajit Mars, morën pjesë shumë personalitete nga fusha të ndryshme, ku vlerësimet kanë qënë mjaft pozitive.



24 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page