Dr Arif Hasani, një hero i denjë për një film me titullin “Kur hapen dyert e jetës”

Updated: Nov 8, 2019


Dr Arif Hasani

Dr Fatmir Terziu


Pak memorje


Në fund të vitit 1969 dhe në fillim të vitit 1970-të një virus gripal ra thuajse në tërë territorin e Shqipërisë. Virusi mbeti i panjohur, por nga vështirësia e tij u quajt si një lloj i Gripit Spanjoll të kohës së Luftës së parë Botërore. Por duke ditur se sëmundje të ndryshme e kanë shoqëruar njerëzimin që nga fillimet e tij e deri në ditët tona, në ato kohë dhe ky virus ishte një gangrenë e madhe, por që dukej se mjaft mjekë dhe punonjës të shëndetësisë kishin një zemër të madhe dhe një iniciativë konkrete të bënin maksimumin e mundur. Në shumë raste prej tyre viruset gripale ishin vënë nën kontroll, ose ishin reduktuar plotësisht, pikërisht falë disa njërëzve pasionantë si Doktor Arif Hasani, që ishin akoma në hapat e para të mjekësisë. Doktor Arifi që e dinte se mjaft sëmundje, ishin akoma të tmerrshme në forcën e plotë të tyre, do të bënte të pamundurën t’u gjendej njerëzve të tij, të afërmve dhe miqve, madje të shkonte deri në Poliçan të Skraparit të bënte sa “detyrën” e tij mjekësore, aq dhe shëndetësore.

E aty me ndihmën e një figure të nderuar të mjekësisë shqiptare, Dr Ajli Alushani, ai bashkërisht do të ndërhynte dhe në infektimin virusal të tim Eti, që në atë kohë drejtonte punimet e Zonës “D”. Kështu që nga vitet 1970, kur dihet se janë më shumë se 20 sëmundje, të panjohura më parë, për të cilat ende nuk është identifikuar një trajtim i plotë dhe efektiv, puna e Doktor Arifit e bënte atë që të merte jo vetëm vlerësimin e Doktorit Alushani, që më pas u bë dhe Ministër i Shëndetësisë, por dhe të fitonte respekt të gjerë në mjaft familje shqiptare, e sidomos familjeve dibrane.

Doktori Arifi me qetësi, kulturë e maturi shpjegonte se “Raste të aspekteve virusale shihen në çdo vend të botës, mjekësia po monitoron zhvillimin dhe po përpiqet çdo ditë e më tepër ta kufizojë përhapjen e sëmundjeve të tilla, si dhe të zbulojë vaksina e kura të reja, pa përmendur këtu zhvillimet më të fundit në progres: si inxhinieria gjenetike, zbulimi i plotë i gjenomit njerëzor (harta e gjeneve), manipulimet cito-molekulare e deri te nanoteknologjia e kohëve të sotme që i vjen në ndihmë të mjekësisë. Sot gjërat kanë ndryshuar dhe vetë Doktor Arif Hasani, duke vëzhguar udhëtimin e tij nga pas, nga ato kohëra të vështira, e di se disa prej këtyre sëmundjeve, të cilat janë ndër më të rejat, të cilat sjellin frikë te ekspertët e mjekësisë si dhe në mbarë popullatën, kërkojnë përkushtim, dëshirë për të qenë human dhe mbi të gjitha angazhim profesional. Kjo e bëri atë, pikërisht djaloshin e lindur në një familje me një baba të edukuar, dhe që kërkonte nga fëmijët e tij vetëm shkolla, të mbetet j thjesht një emër, por një respekt Kombëtar.


Jeta e vrullshme e specialistit


Arifi Hasani u lind në 27 tetor të vitit 1947 në fshatin e largët Trebisht të Gollobordës, në një familje të varfër dhe me plot fatkeqësi shëndetësore. Babai i Arifit, Sefedin Hasani, ishte i përkushtuar ndaj fëmijëve të tij. Duke spikatur zgjuarsinë e të birit, pas mbarimit të shkollës 7-vjeçare në fshat e dërgon në Tiranë në Politeknikumin Mjekësor për ndihmësmjek, të cilin e përfundoi me rezultate të shkëlqyera në vitin 1965. Djaloshi i ri, gjithë energji dhe pasion filloi punën në fshatin e lindjes. Punoi aty për 3 vjet dhe në vitin 1968 ndoqi fakultetin e Mjekësisë në Tiranë deri në vitin 1973. Pas mbarimit të fakultetit emërohet mjek i përgjithshëm në Peshkopi. Të njëtën gjë, i ati Sefedini, bëri dhe me fëmijët e tij të tjerë në fakt, ku djalin tjetërHajredinin e dërgoi dhe e specializoi për Stomatologji.

Në lidhje me rrugëtimin mjekësor të Dr Arif hasanit, kemi dhe një përkujdesje mjaft profesionale nga kirurgu Irfan Jashari. Dr Jashari, duke parë aftësitë e mëdha të Dr Hasanit, e përzgjodhi atë për ta dërguar dhe specilizuar në fushën e kirurgjisë dhe më pas për ta pasur koleg në sallë. Dhe rrugëtimi i Dr Arif Hasani mori dimensione të mëdha respekti. Punoi dy vjet në Peshkopi dhe tri vite të tjera në Bulqizë. Në vitet 1982-2006 ka punuar sërish në spitalin e Peshkopisë. Në vitin 1991 zgjidhet me votë deputet i Gollobordës në Kuvendin e Shqipërisë. Ka qenë edhe anëtar i Këshillit Bashkiak të Dibrës në vitet 1992-2006. Në vitet 2007-2015, derisa doli në pension, punoi në shërbimin e kirurgjisë në spitalin rajonal të Durrësit.


Qytetar Nderi i Dibrës


Dr Arif Hasani shkurt dhe thjesht mbahet mend për fjalët e tij ndërsa bëhej Qytetar Nderi i Dibrës “Unë e desha shumë profesionin e mjekut e specialitetin e kirurgjisë. I desha të sëmurët që ishin bashkëfshatarët dhe bashkëqytetarët e mi. U shërbeva ditë e natë, u qëndrova dhe u mbajta dorën pranë shtratit. U shërbeva atyre pa as më të voglin dallim. Ata për mua ishin të barabartë, barazi që u buronte nga sëmundja e tyre që kërkonin shërim e kujdes nga unë. Atyre u dhashë shërbim, gjithmonë të shoqëruar me shumë dashuri, e ata ma shpërblyen me respekt dhe me mirënjohje të thellë. Për këtë, unë u jam borxhli ndaj tyre dhe mirënjohës për të gjithë jetën dhe do u shërbej sa të kem frymën”. Çaste gëzimi dhe duartrokitjesh, si ato kur titullarë të qarkut dhe Këshillit Bashkak të Dibrës, u ngjitën në skenë dhe i dhanë dr. Arifit titullin Qytetar Nderi i Dibrës janë ndjerë në mjaft raste në dhe në mjaft zona nga Dibra në Durrës, nga Berati në tiranë e më gjerë në mjaft zona të tjera, ku doktori mbante bluzën e tij të bardhë, gjithnjë me vete. Madje nuk ka dasëm, nuk ka gëzim tjetër, ku Dr Arifi të mos e ketë veshur bluzën e tij të bardhë, për të bërë atë që mungonte shpesh herë dhe për të shpëtuar jetë njerëzish. Por, jo vetëm kaq, ka bërë dhe “operime” të vështira dhe në kushte mjaft të vështira, që në fakt doktorin e filmit artistik shqiptar, që operon në kushte të vështira dhe me telefon do ta kishte lënë disa herë në klasë.

Doktor Arif Hasani ka treguar vetë më parë se si ka bërë 42 operime të paligjshme në sallën e spitalit të Bulqizës gjatë viteve 1979-1982. Lidhur me këtë shkruhet se “Ndonëse salla e kirurgjisë në Bulqizë nuk ishte e aprovuar nga Ministria e Shëndetësisë, kirurgu, i shtyrë nga misioni human dhe ambicia për profesionin, ka mundur të sfidojë edhe frikën. Varfëria e madhe e banorëve të zonës së Peshkopisë e Bulqizës, paragjykimet dhe bestytnitë e ndryshme, kloni i kufirit me Dibrën e Madhe kanë qenë sfidat me të cilat janë përballur për shumë vite bluzat e bardha në veriun e vendit. Doktori ka treguar se shërueset popullore kuronin më së shumti me kripë, thëngjij të shuar në ujë, bukë dhe në ndonjë rast të rrallë, tek ndonjë plakë me më shumë përvojë, përdorej ndonjë bimë mjekësore e grumbulluar në kohë vere në malet që rrethonin Trebishtin. Kirurgu tregon se përdorej çaji i malit dhe ishte shumë i mire, por për një të sëmurë me ethe, bajame, dhembje të veshkave, të ftohur, çaji nuk kishte asnjë efekt shërues, për të mos përfshirë këtu rastet e helmimeve, dhembjet e veshkave etj. Ndihmësmjeku që më pas do të bëhej kirurg shumë i njohur në Peshkopi, vendosi t’i merrte gjërat me ngadalë duke synuar të futej me shumë kujdes si ndihmësmjek në shtëpitë e fshatit të qetë. “Mua më donte fshati, por si Arif jo si ndihmësmjek. Ata besonin tek plakat dhe shërbimi i tyre”, - thotë Hasani. Të moshuarat merrnin në prehër fëmijën e sëmurë dhe pasi shuanin thëngjij në ujë ia jepnin fëmijës ujin për ta pirë të bindura se u ulej temperatura dhe u largohej e liga. Në një rast tjetër merrnin kripë dhe pasi ktheheshin me kurriz nga zjarri e hidhnin kripën në zjarr që nga këmbët dhe lëviznin buzët me idenë se kështu largonin të këqijat nga trupi i të sëmurit. “Kur dola ndihmësmjek mësova shumë gjëra në fshatin tim që nuk i dija edhe pse isha lindur e rritur aty”, - thotë kirurgu.


Doktori i jetës


Këto e mjaft kujtime të tjera e shpien rrugëtimin me bluzë të bardhë të Dr Arifit dhe në një udhë me kolegët e tij, kirurgët e njohur Shaban Dedej, Ismet Balla dhe Osman Dafku. E shpien në kujtime të tilla si në rastin kur 22-vjeçarit Naim Keta nga Vajkani, që kishte vetëm pak kohë që ishte liruar nga ushtria, i shpëtoi jetën, kur ishte e vetmja mënyrë për të ndërhyrë. Mjeku duhet të jetë profesionist, por edhe të marrë vendime të prera dhe në kohë. Dhe këtë Dr Arifi e bëri mrekullisht. Sot ai ka hyrje e dalje të rregullta me familjen e tij. Dhe natyrisht emocionet shkojnë më tej kur vetë Dr Arifi shton: “I dhashë gjak dhe në raste të tilla njerëzit bëhen vëllezër. Në çdo rast unë jam i pranishëm tek shtëpia e tyre dhe ata në shtëpinë time. Raste të tilla kam pasur shumë.”

Në karrierën e tij si kirurg atë e ka ndihmuar shumë edhe literatura në gjuhë të huaj. Studionte në frëngjisht e anglisht dhe njihte edhe serbishten. Për këtë ai tregon: “Një herë më vjen një pacient. Quhej Ashim Basha dhe ishte 44 vjeç. Kishte pësuar infeksion kalbëzues rreth uturakut. Në gjuhë mjekësore infeksioni quhej Flegmona Foirnioer. Shkak ishin bërë mikrobet anaerobe (qeliza që jetojnë pa oksigjen). E ndeshja për herë të parë. Infeksioni kishte përparuar duke arrirë në pjesën e pasme nga shpatullat deri në gropat e gjurit, kurse para nga gjinjtë deri tek gjinjtë. Shpina, kofshët, kërthiza të gjitha të ënjtura. Lëkura i kishte marrë ngjyrë kafe në të errët, rridhte lëng me ngjyrë plehu dhe erë shumë të rëndë. Kur e mjekoja duke ia prerë lëkurën e kalbur me gërshërë të gjithë pacientët e pavijonit dilnin jashtë, në oborrin e spitalit. Testikujt i qenë zbuluar plotësisht, pasi lëkura qe rrjepur e gjitha. Kërkova ndihmë por nuk gjeja asnjë mundësi për ta diagnostikuar. Iu futa librave mjekësorë në frëngjisht dhe pas shumë përpjekjeve e gjeta. Duhej që me gërshërë t’ia prisja lëkurën disa centimetër në trupin e shëndoshë me qëllim që kur të vinin mikrobet të ndeshnin në oksigjen dhe të ngordhnin. Pra duhej bërë i njëjti veprim si në rastet kur bie zjarr në pyll: hapet kanali disa metër larg nga vatra e zjarrit për ta izoluar. Për tre muaj m’u desh të luftoja për ta mbajtur këtë pacient në jetë. Ia dola. Disa vite më pas, teksa unë po ngjitesha në Sauk për tek senatoriumi në Tiranë dikush më thërret në emër. U ndala dhe pashë një çoban që zbriti kodrën dhe m’u afrua. Ishte pacienti me sëmundjen e rrallë që e kisha kuruar në Peshkopi. Më tha se ndihej mirë dhe se nuk i ishte shfaqur më ajo sëmundje.”


Konkluzion


Ndoshta fjalët janë të pakta, ndoshta kujtimet s’kanë fund, por ai dhe emri i tij janë të lidhura me të gjitha nyjet me jetën dhe respektin ndaj Njeriut. Ja pra ky është Doktor Arif Hasani, ndoshta një hero i denjë për më shumë se një film me titullin “Kur hapen dyert e jetës”.


#arif #hasani #fatmir #terziu

0 views

Shkrimet e fundit