top of page

Fatmir Terziu: Shtërmeni,  një vatër e hershme e demokracisë shqiptare

Shtërmeni,  një vatër e hershme e demokracisë shqiptare

 

Në fillim të viteve ’90, kur Shqipëria po përjetonte një nga periudhat më të vështira të tranzicionit politik, Shtërmeni i Elbasanit u shndërrua në një nga vatrat më të gjalla të mendimit demokratik dhe rezistencës qytetare ndaj trashëgimisë së diktaturës. Kjo nuk ishte një rastësi, por fryt i një komuniteti me traditë demokratike dhe intelektuale dhe me njerëz që kishin paguar shtrenjtë bindjet e tyre politike. Pak kohë më pas, drejtoja shkollën më të madhe të zonës, Shkollën e Shtërmenit, që përfshinte dhe Shkollën e Malasenit, afër Cërrikut, dhe kisha ndjerë se e gjithë ajo zonë u bë edhe një pikë takimi e mendimit të lirë dhe e diskutimeve demokratike. Pikërisht aty u shfaq qartë shpirti i zjarrtë demokrat i një grupi intelektualësh dhe qytetarësh, të cilët do të linin gjurmë në historinë lokale të pluralizmit politik.

Ndër figurat më përfaqësuese të kësaj lëvizjeje përmenden, Vladimir Toska, Llazar Mema, Kristo Mema, i cili kishte vuajtur vite të tëra burg politik gjatë diktaturës, Iftimi Kuqja, Bujar Luta, Engjëll Luta, Mark Ranxha, Gjergji Mema, Pandeli Mema, Nos Mema, Viktor Shani, Sotir Panxhi, Sotir Rrasa, Llazar Rrasa, Jorgji Lushi, Gëzim Gjergji, Vasil V. Çullhaj, Tasim Topi, Petrit Çalja, Ilir Merdani, Josif A. Mema, Vladimir Merdani, Ridvan Mema, si dhe shumë të tjerë që kontribuuan në heshtje, por me bindje të palëkundura.

Prania e këtyre emrave nismëtarë të seksionit të PD-së, në jetën publike të Shtërmenit dëshmon se demokracia nuk u ndërtua vetëm në qendrat e mëdha urbane, por edhe në komunitete ku fjala e lirë kishte mbijetuar përmes sakrificës personale dhe kujtesës morale. Një moment domethënës i asaj periudhe mbetet vizita e të ndjerit Pjetër Arbnori në shkollën e Shtërmenit. I njohur si “Mandela i Shqipërisë” për vuajtjet e tij shumëvjeçare në burgjet e diktaturës, Arbnori do të shprehej me një fjali që mbetet sot një dëshmi e qartë historike dhe morale: “Nëse një ditë Partia Demokratike do të lëkundet, duhet të vijë në Shtërmen, e në vatra si Shtërmeni të ringrihet nga rrënjët e saj të dhimbshme.”

E njëjta frymë përshkonte edhe diskutimet e asaj dite me Emin Haxhiademin, Kristo Memën, Fatbardh Dokon, si dhe me intelektualë e qytetarë të tjerë që e shihnin demokracinë jo si përfitim politik, por si detyrim moral ndaj së ardhmes. Sot, duke parë pas në kohë, Shtërmeni përfaqëson një shembull domethënës të rolit që kanë luajtur komunitetet lokale në rrëzimin e frikës dhe në ndërtimin e pluralizmit politik në Shqipëri. Historia e këtij fshati është pjesë integrale e historisë së demokracisë shqiptare, një histori e shkruar me guxim qytetar, me vuajtje reale dhe me besim të palëkundur në lirinë njerëzore.


Nismëtarët e PD-së Shtërmen:

(Kryetar për shumë vite, Vladimir Toska)


Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page