DORA E GRUAS
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Apr 23, 2022
- 1 min read

Vullnet Mato
DORA E GRUAS
Dora e gruas, lë imazhin e vet,
sapo mbaron gatimin në stufë.
Për këdo që ushqehet në tryezë,
dora e saj, bëhet shije në supë.
Gishtat i bëhen, tela në ballkon,
të thajnë teshat e lara në diell.
Bëhen fshesë, tapetet pastron,
bëhen petë lakrori, me miell.
Dora e gruas, bëhet lule saksie,
çel petale, nëpër dritaret tona.
Ajo ndrit paraqitjen e fëmijëve,
që ushtojnë klasave, në shkolla.
Dora e gruas, bëhet hekur i nxehtë,
heq rrudha veshjes, jaka, kravata,
bëhet lugë, pirun, filxhan i kafesë,
shkumon ujin, në tenxhere e pjata.
Dora e gruas bëhet pastërti pallati,
tund krahët, me tërë forcën në trup,
shkund natën, nga çarçafët e shtratit,
pllaka dyshemeje, zbardh me shtupë.
Dora e gruas bëhet qelq transparent,
kur firmos kontratën e ndershmërisë.
Lodhjen dyfishe, në zyrë ose terren,
përballon, si shqiponja e kaltërsisë.
Dora e gruas, bëhet blerëse në treg,
kur do të zgjedhë, menynë familjare.
Përpiqem ngarkesën t’i bëj më të lehtë,
por para saj, dora ime ndjehet mjerane.
Ah, dora e gruas ndalet, veç kur perëndon,
për mirazhe ëndrrash, nga valët e lumit.
Por dhe pas lodhjes, ajo prapë më sfidon,
kur më puth ëmbëlsisht, përpara gjumit...
Comments