top of page

Dita e Verës ishte të Enjten...


Dita e Verës ishte të Enjten...

Nga Fatmir Terziu

 

Sot, ose këtë vit, Zoti e bekoi Ditën e Verës. E bëri të pikëtakonte të enjten. E dini pse? Nëse ka ndonjë të Enjte të Mirë në Mbretërinë e Bashkuar, mbetet ajo, e enjtja verore. Një gjë e rrallë që kufizohet me egërsinë universale. Është sikur gëzimi i jetës i detyron lëngjet e rritjes në trupat e nënshtetasve mbretërorë dhe ata lëvizin në ekstazë në makinat e tyre andej-këtej. Si enzima në metabolizmin e ngrohur të një zvarraniku. Do të habiteshit se sa fjalë sharje mund të marrë një i huaj nga ballkanasit, i cili sinqerisht dhe me nder vetëm dëshiron të shkojë në punë në një ditë kur, pa përgatitje psikologjike për diellin, nuk këshillohet të largohet nga shtëpia. Gjithçka fillon me një gumëzhimë të paqartë kërcënuese në rrugët fqinje, nga ku, si një tufë grerëzash të acaruara, mblidhen auto-nerva, përtej identifikimit pas rrotave të kaosit të benzinës. Arteriet e rrugëve anësore vërshojnë si shushunjat në trupin e hollë të autostradës dhe protagonistët, të etur për diçka të mrekullueshme që mund të ndodhë vetëm jashtë zyrës, gjatë orarit të punës, shpallin paaftësinë totale të popullsisë për t'u dhënë pas dembelizmit të tymosur në barbekju. ...

Dhe një gjë tjetër... Sepse, sipas rregullave angleze, kështu shkon tundimi për të pasur pak verë dhe ajo vjen në mënyrë të pakthyeshme të enjten, ndërsa fundjava mund të të mbyt vetëm në shi, të ftohtë dhe një gungë të fryrë, në hamburgerë të njomur me birrë të ngrohtë. Raki?! Nëse ke shansin të të vij… të të gëzoj dhurata e ndonjë miku në Atdheun tënd ballkanik. Dhe unë… Unë…

Unë jam tashmë një gadishull filozofik. Nuk ka asnjë mënyrë që të kthehem në kthesën e pafundme të ishullit dhe t'i dorëzohem panikut universal të motit të ngrohjes globale brenda njëzet e katër orëve. E di që festa sikurse është Dita e Verës nuk ka të njëjtin kostum këtu, por sidokudo ajo ka me vete, pak miell, sheqer të imët, gjalpë, hi druri, tigan dhe tepsi bakri, vezë fshati, e ku thuhet të jetë nga Polisi i Vogël, apo Labinoti Mal. Dita e Verës nuk duhet vënë në hall. Ajo do Ballakumet. Do muskuj që të rrahin brumin. Do veroret tek dora. Do këshillën e urtë të fshehur në veshin e djathtë… Dhe më tej sipas vendit dhe kuvendi, pra festimi. Festimi, ku vera është një koncept në të cilin malli dhe dashuria për ikjen dhe ardhjen (ligjin e jetës në Tokë) tret kripën e gurit të lotëve të shtrydhur dhe puth ngrohtësisht ndjenjën se çdo ditë tjetër është... e enjte.

- Sot gjen çdo gjë nëpër tregje, dhe supermarkete - thotë kushëriri im, duke shtrirë një tepsi bakri, të cilën e ka blerë në park, ku shiten të shtunave gjëra të dorës së dytë, por që në fakt ka një vlerë të dorës super të parë në këtë ditë, në rrëmujën e dhomës së vogël. Nuk kam ndërmend të marë të sharra për ballakumet si vitin e kaluar. Po bëhet brumi mjaft i mirë, e dini? Në internet, kjo konsiderohet si një shije e keqe, eh po të lexosh tani „mjeshtrat“ që i shesin ballakumet vetëm për xhepat e tyre. nuk janë më ballakume ato.

Miratimi i shqetësuar i tij dhe i të pranishmëve paralajmëron fillimin e ditës me një rrëmujë në zhvillimin e gjërave. Pas perdeve të tërhequra fort të dhomës, errësira mbijeton me një përpjekje të fundit.

- Kam një sy në qiell. Dhe syrin tjetër tek tepsija e bakrit që dy duar të tjera e lajnë me shkumë dhe gati ia rrjepin lëkurën të shkretës, them me vete. Eh, këto gratë tona si janë kur vjen për punë pastërtie. Unë marr laptopin dhe disa nga gjërat e mia dhe dal jashtë. Nëse dikush ka nevojë për mua, më kërkon nën rododendronët e kopshtit, matanë, atje tutje në oborr. Kam nevojë për fotosintezë. Roza është ngjyra ime e preferuar.

Nëse ndodh që jetoni në Angli, keni nevojë të madhe për fotosintezë dhe roza është ngjyra juaj e preferuar, atëherë dijeni se nuk jeni të sigurt dhe se naiviteti i lindur ballkanik nuk do t'ju shpëtojë. As për atë që do të pasojë. As nga shkurtësia e jetës së tij si insekt. Asnjëri prej jush, që do të gjeni veten në vreshtin tuaj të pavjelur të Ballkanit me një grusht shi, nuk të lë në fytyrë, pasi lexon vazhdimin tim të papritur..., që më ysht tek gdhënjka me mushtin e Moskatit në gotën qelibar, të cilën e mbaj pranë. Është raki safi.

Unë kam jetuar nën diell. Grumbulli i shkresave që lanë në hije shpërthimet pagane të dritës rreth meje vetëm më motivuan të qëndroj i mbërthyer në rutinën e gjërave të mbytura nga masokizmi. Sepse në fund të gjithë profesionalizmave, perfeksionizmave, punëve dhe ekzibicionizmave intelektuale, më pret thelbi më i lumtur i vitit, Familja. Iluzioni i udhëtimit drejt rrënjës, drejt realitetit, drejt vetes. Në të enjtet e bekuara të verës sime. Në të enjtet e shkurtra të pushimeve. Kur gjithçka do të kthehet në altruizëm dhe nuk do të më interesojë fare që tani më duhet të gërmoj, të gërmoj, të lërojë plotësisht arkivën, të rrafshuar si një larvë nën tundimin për t'u çelë sërish në amnistinë e këndshme të jetës. Mos, jeta nuk duhet nënshkruar në vendin e gabuar...

Jeta nuk është ekspozitë. As …, por nëse ndodh të jetë si një ekspozitë,askush nuk mund t'i heqë apo t'i shtojë ekspozitës asgjë. Kështu ndërpritet komunikimi i tepërt. Pjesa tjetër është çështje trajnimi dhe parandalimi i emocioneve të panevojshme... Si do tu tregojmë brezave për traditën, për kulturën tonë, për festimin e Ditës së Verës, nëse nuk e kërkojmë, nëse nuk. epublikojmë, nëse e këshillojmë?!

- Faleminderit arkivë - mërmëris në mënyrë rutinore nën zë, lëvizje në hije, do të bëhesh rozë nga dielli. Heshtja shekullore rreth gjërave që janë strukur e zhdukur më pushton me ndjenjën e diçkaje të jashtëzakonshme. Për diçka unike. Unike-Katërfish. Si një largim i papritur i shpirtit nga një trup i papërgatitur dhe mbetet në ajër, në fluturim. Një shkrepje e shkurtër me lëvizje të ngadaltë më rrëshqet para syve të një realiteti të zbutur nga dielli i shtyrë nga një copë letre të thërrmuar në arkiva. Një mrekulli e materializuar e shkruar me shkronja ndryshe të shtrembër dhe të gabuar u rrudhos në hapësirën e fletës. Ashtu si njerëzit e pastrehë të vendosur në një strehë të përkohshme nga shërbimet sociale të një mendjeje angleze me diell: Mos ia kaloni askujt që ju lëndova. Një pëshpëritje xhami, oshilimë, heshtje. Ajo vjen nga reflektimet e largëta dhe rrjedh nga drita e plagosur. Mungesa e ombrellave në një ditë të ndritshme vere është një bast i sigurt për goditjen e diellit. Shpëtimi i vetëm mund të vijë vetëm përmes shiut.

Sot është tashmë nesër. Po bie shi. Të gjitha dislokimet mendore të djeshme po lëndojnë. Por festivja nuk ishte pak. Dita e Verës u transferua nga porositë dhe këshillat e djeshme të gysheve, nga duart e bardha të nënave, nga duart e bukura të nuseve, sepse malli është i lagësht. Dhe gjithçka rrëshqet në vendin e duhur. Megjithatë, njeriu i sotëm ka kohë që e ka shkëputur lidhjen me traditat e lashta, shumë nga ritet dhe sugjerimet tradicionale sot janë të pakuptueshme dhe të zbatuara mekanikisht.

Dhe shijoj tashmë atë që i duhet Ditës së Verës. Këtë ditë të enjte të vitit 2024, këtë ditë feste e kuptoj. Nuk kam qenë kurrë më i kuptueshëm. Unë hap faqen e fundit të shënimeve të kësaj dite. Nënshkrimi im shërben si pikë në fjalinë mbyllëse. Askush nuk mund t'i heqë apo t'i shtojë arkivës asgjë. Kam ndërprerë komunikimin e tepërt. Pjesa tjetër është çështje trajnimi dhe parandalimi i emocioneve të panevojshme. Sepse... Dita e Verës ishte të enjten.

35 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page