Dita e Ujit t’ Bekuem


…Sot, mbas 80 vjetësh:

Kujtime...



Rruga Badra, shtëpia nr. 42. Shkoder...

Nga Fritz RADOVANI...


6 Janar 1940:


Dita e Ujit t’ Bekuem


Njëditë shumë e ftohtë dimni që Shkodres nuk i kanë mungue kurr. Qyteti ka ndjeh i mbuluem me borë të madhe që vazhdon me ra edhe gjatë gjithë ditës. Njerëzit janë ndrye mbrendë ndër shtëpijat e tyne. Pullazet randojnë nga trashësia e borës që i ka kalue 60 cm. Çdo oxhak gati i zhytun në borë nxjerr tym shllunga shllunga. Ndër rruga ka pak e aspak lëvizje.

Baba im Kolë Radovani ishte me sherbim në Burrel.

Në shtëpinë tonë sot mbas orës 10.00 mërrijti zonja Çile Ljarja, mami e njohun në këte qytet prej kohësh. Siç më tregonte tezja Rozë, mbas orës 13.20 mbas dreke, “tek një vazo me karajfila, një engjull kishte lanë një zymbyl me një bebe të vogel mbrendë...”

Daja Mikel kishte vrapue në postë me lajmërue baben se Vidës, i ka le edhe një djalë…

Rreth orës 14.30, shpërndarësit të telegrameve iu dha bakshishi për telegramin e sjellun nga baba prej Burreli, i cili, uronte: “Fritzi me jetë të gjatë. Kola”.

Nga ora 15.45 kishte trokitë dera e shtëpisë. Daja e kishte hapë me vrap dhe kishte ftue mbrendë axhen e vet At Mati Prennushi, bashkë me mikun dhe shokun e vet At Gjergj Fishtën, që sapo këthenin nga një vorrim prej Rrëmajt, me marrë një “të nxeme duersh”, para se me shkue në kuvendin e fretenve në Gjuhadol.

Porsa kanë hy në dhomën e pritjes, ku ishte vendosë një tangar i madh me zjarr, tezja Rozë me bebe hopa të ngjeshun për parzem ka hy në dhomen e miqëve dhe, Ju ka tregue: “Sot na ka ardhë në këte shtëpi një mysafir i panjoftun për ju, e ka emnin Fritz!”

Kanë qeshë dhe janë çue të dy në kambë për nderim të “këtij mysafiri”…



“Hajde bre burrë këtu, e me jetë të gjatë kjosh, që na paske mërrijtë ditën e tre Mbretenve!…”, ka thanë i pari At Matia. Më ka marrë me dy duert’ e më ka kalue tek Miku tjeter i nderuem...

Pra, mbas Tij, më ka marrë në krah At Gjergji, dhe tue më vrojtue u ka thanë: “Rozë, më duket se mue po më njef, shife si mi ka ngulë sytë!..”

Kanë pi nga një kafe dhe mbasi kanë ba urimet, janë nisë për në kuvend…

Pra, Njeriu i parë ndër miqë të Babës që kam takue në këte Botë asht kenë At Gjergj Fishta…

Mue nuk më kujtohet fare!..

Melbourne, 27 Dhjetor 2020.

8 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif