top of page

“Ditëlindja e Vrullshme” e Vivras


“Ditëlindja e Vrullshme” e Vivras


Për ditëlindjen e vrullshme lexuesi që feston me leximin e librave të botuar të një shkrimtari ngre dolli një udhe të mbarë respekti. Vilhelme Vranari Haxhiraj, mbetet ndjeshëm dhe lexueshëm në një kënd të tillë, ku libri dhe talenti, lexuesi dhe respekti, janë dy binarët e kësaj udhe, ata binarë që e bëjnë ditëlindjen e saj një ditëlindje të ndjeshme, të respektuar, të vrullshme, sidomos tek lexuesi. Dy binarë që nisin në vendlindjen e saj Kaninën historike, perla ku kanë folenë dhe prehen perënditë e zbresin në zemër të Vlorës, dhe mes leximit të saj anembanë Globit, ku përditësia sot përballet me moshën dhe arsyet pos saj, por që kurë nuk e zbehin vrullin e shkrimeve dhe po aq botimin dhe leximin nga kushtet e reja që ka afruar teknologjia dixhitale sot. Në kohën kur bota përgatitet të pushojë dhe njerëzit reflektojnë për vitin e kaluar mes parapërgatitjeve të Krishtlindjeve dhe afrimit të Fundvitit, më në fund njeriu kthehet te më i paprekshmi, besimi. Shkrimtarja Vilhelme Vranari Haxhiraj shkruan dhe flet për paravendimet e ndryshme dhe prezencat e besimit në librat e saj, që kapin shifrën aritmetike pesëdhjetë e pesë, dhe që tashmë janë jo vetëm në librari, por dhe në duart e lexuesve të admirueshëm të saj anembanë në pika të ndryshme gjeografike.

Në veprën e saj, në shkrimet e saj, në botimet dhe librat e saj, Vilhelme Vranari Haxhiraj lëviz gjithnjë e më e sigurt drejt temave të ndryshme, historike, edukative, sociale, demokratike, dhe po aq metafizike që pushtuan kohë më parë zemrën e saj të ndikuar nga legjendat e padiskutueshme të letërsisë, të cilët ajo i lexonte qëkur ishte në moshë të re ashtu si mjaft të tjerë në kuadrin e librave të verdhë e të ndaluar nga regjimi në të cilin ajo kaloi rininë e saj dhe vrullin e saj të penguar të shkrimit dhe botimit. Me librat e shumtë të saj, autorja tregon jo vetëm pikëpamjen e saj për rolin aktiv të Njeriut tek besimi tek vetvetja dhe pozitiviteti, por edhe bindjen e saj personale se besimi është i lindur te njeriu, sado i thyer dhe i mbushur me bestytni dhe sforcime diktatoriale, që mund të jetë ai. Vilhelme Vranari Haxhiraj komunikon me lexuesit e saj në dy nivele, si një e vendosur në udhën e saj për liri dhe angazhime demokratike, pra e bindur në lirinë dhe shprehinë e fjalës, dhe si një person që gjithnjë kërkon që gjithkush që nuk e ka humbur besimin tek njeriu, të mbetet duke vazhduar atë, pikërisht atë që mbetet të kuptohet në librat e saj të mëparshëm me tërë angazhimin e saj në thuajse në të gjitha zhanret. E ky është mesazhi më i thukët që ajo jep në botimet e saj.



Libri dhe shkrimi i saj mund të shihen tashmë si shpirti i përulësisë ndaj Lirisë, që preku secilin prej nesh në ditët jetike rinore, në ditët e sakrificave dhe durimit, pai autorja gjithnjë e më shumë është dhe një model i durimit, pasi ajo filloi të botojë vetëm në vitet e demokracisë e për asye të ngjashme të tjera ajo tashmë është dhe një shembull për brezat e tjerë. Autorja e pesëdhjetë e pesë librave të të gjitha zhanreve rehabiliton formën durimtare të diskursit dhe kuptimin e tij në jetën e secilit, duke treguar një shëmbëlltyrë që prek shpirtin në mënyrë të paimitueshme, me fjalë të pakta, por jashtëzakonisht të fuqishme.

Vilhelme Vranari Haxhiraj është një shkrimtare që shpesh për librat e saj zgjedh piktura të mendjes dhe nënkuptime mentale, shprehi filozofike dhe fjalë të gatuara në art, duke ngulur penën e saj gazetareske në stërmundim që të na afrojë letërsi, duke ristruktuar formën më të ndjeshme të mjeshtrave të artit dhe atij figurativ që vjen si ushqesë dhe frymëzim, si koncept dhe angazhim letrar. Te librat e saj të tillë nga diskursi shohim njeriun e lirë në një përqafim jetik dhe dashuror dhe duke mbajtur në memorje tërë atë që i duhet dhe i njihet formës diskursive për të udhëtuar me format më të prekshme që janë paracaktuar për të prurë vepra të lexueshme. Librat e shkrimtares Vilhelme Vranari Haxhiraj janë festë e shpirtit. Është kjo festë e shpirtit që autorja ka fiksuar në rrëfimin e saj, një dhuratë e mrekullueshme për të gjithë lexuesit e saj.

Lexuesi dhe ai që lexon në librat e saj sheh dhe ndjen mesazhin filozofik të shkrimtares Vilhelme Vranari Haxhiraj se njeriu që lexon është i pashëm, dhe më së shumti ai është gjithashtu i pasur. Jo i pasur në anën financiare, por i pasur në emocione dhe përvoja, në urtësi dhe përvojë dhe në shpresë. Kur lexojmë shkrimtaren Vilhelme Vranari Haxhiraj, jo më kot në promovime të shumta thuhet se jemi të qetë, të zhytur dhe, si të thuash, të shpëtuar. I lamë vetes dhe historive në të cilat jemi zhytur një memorje të qartë. Ndaj me këtë nënkuptojmë se historitë e tilla që natyrisht janë të mira, na bëjnë jehonë për një kohë të gjatë dhe na japin bukurinë dhe njohuritë e tyre, të gjitha falas.

Librat e shkrimtares Vilhelme Vranari Haxhiraj janë të ngrohtë dhe komod si vetë ndërrimi i viteve, që jep shpresë dhe gëzim në zemrat e të gjithëve. Pra ata të ngrohin dhe të bëjnë më të mirë në gjykim e mendim dhe më njerëzorë në veprim. E besueshme në stilin e saj për të na treguar historitë e shumëllojshme në emër të secilit prej personazheve të saj, Vilhelme Vranari Haxhiraj „Mjeshtër i Madh“ i thurr fatet si një rrjetë e hollë, gati të fusë në grackë lexuesin dhe ta bëjë atë të dëshirojë të hapë kapitullin e ardhshëm dhe tjetrin... dhe kështu deri në fund.

Metaforat e mrekullueshme dhe shndërrimet metafizike hyjnë hera-herës në një proces të quajtur imaxho, gjurmohet këtu thellë, zhdërvjellshëm dhe po aq dhe në të kundërt. Historitë në librat e rrëfimet e saj janë të lidhura me njëra-tjetrën, duke ndjekur fillin e mëndafshtë të një komploti shumë të përshtatshëm për xhirime, ku ka edhe dashuri e tradhti, gënjeshtra e zbulime, kujtime e ëndrra, plane e ndjenja malli. Duke udhëtuar në territorin e saj narrativ të një morie të madhe botimesh shihet se stili i saj është i ndjeshëm dhe jo i përsëritshëm, frymësues dhe jo shterues.

Duhet theksuar se librat e shkrimtares në fjalë, magjepsin me stilin dhe njëkohësisht butësinë dhe poetikën e fjalës. Dhe kjo nuk është rastësi, Vilhelme Vranari Haxhiraj është një nga autoret më të angazhuara të viteve të demokracisë, ka botuar thuajse të gjithë librat në një kohë të shkurtër tridhjetë e ca vjeçare, është fituese e një sërë çmimesh prestigjioze për letërsi brenda dhe jashtë vendit. Romanet e saj kanë shkaktuar interes të madh dhe tashmë ka fituar një rreth të gjerë admiruesish, të etur për narrativin e saj shumë të bukur dhe femëror. Rrëfimi i lirisë në librat e saj është një diskurs disi më i ashpër, më i destinuar të japë mesazh dhe më i shpërndarë në morinë e personazheve. E megjithatë tek të gjithë librat e saj do të gjeni të njëjtën gjuhë të njohur të lehtë dhe të pabindur, romancën e vendeve të bukura dhe përvojat edhe më të bukura, madje edhe vetëm duke i pritur ato.

Për të qenë i sinqertë, më pëlqeu t'i shkruaj një letër të vërtetë e të sigurtë një zyrtari të lartë, një Kryeministri, një Presidenti, jo vetëm në Shqipëri por dhe në Kosovë e në Maqedoni të Veriut, apo dhe në Mal të Zi, ta fusja në një zarf, t'i ngulte zyrtarisht dikush nga vendi ku jetoj dhe punoj prej disa vitesh një vulë dhe... të prisja një përgjigje për një dekorim më të lartë të saj. Ka një bukuri të veçantë në letrat e tilla që dalin prej shpirtit, se i përkasin librit, sepse ato shoqërohen me meritoren dhe jo me pritjen, dhe me mundësinë për të marrë parasysh çdo fjalë dhe shprehje, për të ndjerë fjalën në detaje për një ditëlindje të tillë të vrullshme, për një ditëlindje që në vite më pas do të na mungojë, prandaj sikurse ajo bëhet model për brezat dhe të jepet pak nga ky model tek vetë ajo, për librat, që kanë brenda jo vetëm dhimbje, dashuri, gjeografi dhe përkushtim por dhe vetë këtë filozofi jete ku mbetet meritorja ndryshe, se aty mëson vërtetë për durim dhe aftësi me të cilën ushqeu jetën dhe librat shkrimtarja Vilhelme Vranari Haxhiraj.

56 views1 comment

1 comentário


Urime dhe mirenjohje per kete shkrim me kaq vlera njerezore dhe letrare-artistike, kushtuar znj. Vivra, e cila meriton me shume kujdes dhe nderim, per pasurine e madhe letrare qe na dhuron ne çdo botim te ri.

Falendertim per te gjithe lexuesit qe kane durim te kendojne shkrime te tilla.

Curtir

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page