top of page

Ditëlindja e Kullës, një ndalesë urimi dhe respekti


Nga e djathta: Pëllumb Kulla dhe Fatmir Terziu

Ditëlindja e Kullës, një ndalesë urimi dhe respekti


Fatmir Terziu


Ende takimi dhe koha me mikun e rallë, Pëllumb Kullla, në sytë dhe në mendjen time ka mbetur si arti i komunikimit me "Mjeshtrin e Madh" Kulla.


Ai është i tillë në të gjitha ditët e vitit…, pasi thuajse në të gjitha ditët ai i dhuron lexuesit grimca nga magjia e tij e krijimit, nga perlat e talentit të tij të veçantë e të ndjeshëm. Por për ditëlindjen e tij duket se na takon ne të gjithëve, të rikthejmë sadopak atë që “kulla” na fal … Dhe kjo është një ditë në ditët e viteve të tij…

Një ditë tjetër që vjen një herë në vit. Një ditë për Ju, për Ju, dhe në fakt jo vetëm për Ju. Se Ju i nderuar mik, koleg, shkrimtar dhe Njeri i Letrave, i përkisni një familjeje të madhe, një shoqërie të gjerë, një populli të tërë. Dhe numrat në këtë ditë që pason ardhjen në jetë më 10 janar 1940-të, duket se janë vetëm numra festivë. Ndaj dhe ju festoni këto numra, që të gjithë vazhdojmë t’i numërojmë, duke kujtuar sa më shumë jetojmë me krijimtarinë dhe vlerat, me humorin dhe të qeshurat, me thumbimin dhe profesionalizmin, me shkollën serioze Kulla për brezat që rriten dhe do të vijnë, aq më shumë ndajmë ato mesazhe që ka lënë për ne pena juaj e artë. E ndërsa kthehemi tek mesazhet duket se gjithnjë ato na diktojnë, atë që ju ndani përzemërsisht gjithmonë: “Mos harroni miqtë dhe familjen tuaj, duke i mbajtur afër, pasi ata do të jenë me ju gjithmonë në trup, mendje dhe shpirt. Do të arrini atje ku po shkoni, në gjatësinë më të madhe të jetës, megjithëse një udhëtim akoma më i gjatë ju pret akoma në vitet e ardhshme”.

Të Kuqe. Blu. Balonat kalojnë nga dora në ajër. Lidhja e tyre e tërhequr meton në tela përkujdesjen e fjalëve që mbartin, urimet për ditëlindjen, që nisin me tabakanë e kafesë së humorit të “kafesë së Zenepesë” (O moj Zenepe sa e mirë që je) dhe shestohen me prerjen e tortës së ditëlindjes, ose shkrirjes së akullt të qindra grimcave të humorit, që u ndanë dhe shkulën së qeshuri artistë e shikues, miq e lexues në tërë hapësirën shqiptare e matanë, nga skena në Vlorë e Fier, Elbasan e në Tiranë, kudo në qytetet ku skena e priste dhe e pret gjithnjë fjalën tënde të rallë.

Ish shokët e kursit në degën mekanike të Politeknikumit “7 Nëntori” ende tregojnë atë djalosh që me seriozitetin dhe fjalën e tij kishte lënë shenjat e para të talentit që i kishte dhënë Zoti, talent të cilin do ta plotësonte me studimet e larta në Shkollën e Lartë Teatrale “Aleksandër Moisiu”. Më pas regjisori i Estradës së Vlorës, vetëm një vit më pas do t’i bashkohej trupës së aktorëve të Teatrit të atij qyteti, por nuk do të lihej rehat pasi më 1967 bie viktimë e luftës së klasave dhe biografia me njollë e çon për riedukim në gurore, minierë e më pas në ofiçinë. “Riedukimi” do ti zgjaste po aq sa iu desh për të kryer studimet e larta, plot katër vjet. Më tej tetëmbëdhjetë vitet si aktor në Teatrin e Fierit, regjisor i Estradës dhe Teatrit, do të tregonin se “kulla” tashmë ishte jo vetëm talenti, por edhe suksesi për këtë institucion kulturor. Ishte koha kur “kulla” tashmë kishte kthyer çmimet më të larta në festivalet kombëtare për Teatrin dhe Estradën e Fierit.

Firmos libretin dhe regjinë në pesëmbëdhjetë spektakle, ndër të cilët

“Çobo Rrapushi me shokë” u bë një sukses kombëtar afatgjatë, sikurse kishte ndodhur dhe lme ibretin dhe regjinë në pesëmbëdhjetë spektakle. Shkrimi i më se 300 skeçeve dhe komedive një aktëshe, 40 kupletete dhe 23 monologjeve, shumica e të cilëve u shfaqën në TV e tregoi jo thjesht se “kulla” tashmë kishte ngritur lart vlerat, por se ishte koha e artë e tij që pasohej nga botimet voluminoze nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” nën titujt që u bënë mjaft popullorë dhe të dashur për shqiptarët. E kush nuk e mban mend dhe ende shkul të qeshurën me “Lipe Shtogu në listë”, “Shoku Niqifor”, “Portrete pa makiazh”, “Po martojmë Malon” ‘Këshilla për fëmijët e moshave nga 5 deri 55 vjeç, si edhe ato që botoheshin në buletinin “Teatër”. Më të plotë letërsinë e tij për skenën e gjejmë në pesë vëllime, në një botim të bukur financuar nga Bashkia e qytetit të Fierit, me titullin e përbashkët “Teatri kjo lojë magjepsëse”. Dhe “kulla” nuk duhet të ndjehet vetëm për ditëlindje…

Nga 1977 deri më 1990 ishte bashkëpunëtor i përhershëm i TVSH për spektaklin e Vitit të Ri. Më 1987 i jepet Çmimi “Naim Frashëri” i Klasit të Dytë. Paralelisht me punën në Estradë, realizon dhjetë produksione dramatike, të gjitha drama ose komedi të shkruara prej tij, nga të cilat shquhen “Shoku Niqifor’, “Dy krismat në Paris”, “E bukur shtëpi e vjetër”. Produksionet shfaqen me sukses në të gjithë vendin, si edhe në festivalet kombëtare, por nuk arrijnë kurrë më lart se çmimi i dytë. Përjashtimin e bën komedia “Sa shumë gjethe të thata atë vjeshtë”, vënë në skenë nga regjisori me emër dhe mjaft i talentuar, Siro Duni në Teatrin “Skampa” të Elbasanit, që fitoi çmimin e parë në Festivalin Kombëtar të vitit 1989.

Më 1990 largohet nga Fieri, për të nisur punën si pedagog, e më pas Dekan i Fakultetit të Artit Skenik, në Tiranë. Karriera e tij pedagogjike nuk zgjat shumë, pasi zëvendësohet nga ajo diplomatike. Më 1992 emërohet Sekretar për Kulturën dhe Shtypin në Ambasadën e Shqipërisë në Bonn, Gjermani dhe një vit më pas Ambasador në Misionin Shqiptar pranë OKB, në Nju Jork (1993-1997). Pas përfundimit të shërbimit diplomatik shtetëror doli në pension dhe u vendos me familjen më parë në Waterbury, Connecticut. Shumë shpejt u rikthye në Neë York dhe u angazhua për afro dy vjet si gazetar dhe editing manager i gazetës shqiptaro-amerikane "Illyria". Gjatë qëndrimit në SHBA prodhimtaria e tij u pa e begatë. Botoi një seri librash që u pritën me interes. E nisi fillin me essenë e gjatë me një studim të gjithanshëm të humorit nën diktaturë, "Si qeshnim nën diktaturë" dhe vijoi me romanet "Rrëfenja nga Amerika", "Lejlekët nuk vijnë më" dhe "Vdekja e Enver Hoxhës". Ndërkohë Shtëpia Botuese TOENA e përfshiu autorin në kolanën e Tregimeve të Zgjedhura të Autorëve Shqiptarë me vëllimin me tregime "Pushtimi i Amerikës" (2005) teksa Shtëpia tjetër Botuese GEER ia përmblodhi edhe një herë më gjerë novelat dhe tregimet e tij nën titullin atraktiv "Rrëmbimi i nuses në Nju Jork" (2012). Pa u shkëputur nga librat e tij shënojmë një botim të bukur të Universitetit Europian të Tiranës me afro 700 faqe nën titullin emblematik "Luftë pa Fund" ku gjenden tërë shprehuritë politike të autorit në periudhën e tranzicionit të zgjatur të vendit të tij. Aty janë që nga bashkëpunimet e para me gazetën "Rilindja Demokratike" e pastaj me tërë gazetat e shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë, Itali, Greqi dhe ShBA. Vlen të theksohet që edhe në tokën amerikane nuk pushoi bashkëpunimi i tij në fushën e skenës teatrore për të sjellë pranë shqiptarëve të emigruar humorin e vatrave të mëmëdheut dhe për këtë u angazhua shumë me koncerte duke shfrytëzuar bashkëpunimin me aktorët e njohur shqiptarë të vendosur me banim të përhershëm apo të përkohshëm në qytetet amerikane. I takon skenës përkushtimi në shkrimin e një sërë komedive të plota që pastaj u realizuan në atdhe. Këto janë "Kërcuri" (2003), "Milioneri" që u cilësua vepra më e mirë në Festivalin e Dramës Shqipe në Gjilan të Kosovës (2011), "Dikush duhet të vdesë" (2011) dhe "Shshsht! Ule zërin" (2013). Ndërsa në fushën e letrave, një tjetër ndihmesë e Kullës është përkthimi i autorëve të njohur si Pirandello, Çehov, Gogol, De Mysse, Buzzatti etj.

Është vlerësuar me titullin "Nderi i Qarkut" Fier (2005) dhe me dekret të Presidentit Alfred Moisiu i është akorduar titulli "Mjeshtër i Madh" (3 dhjetor 2003).

Por ndërsa u ndala tek Ditëlindja e Kullës, si një ndalesë urimi dhe respekti, natyrisht u habita kur nuk e gjeta emrin e tij tek “Nderi i Kombit”, pasi ai në fakt ka vite që e ka merituar atë. E në fakt ai është “Nderi i Kombit”, se mbarë shqiptarët, mbarë Kombi ynë është ndjerë krenar dhe ndjehet krenarë me këtë talent të rallë.


207 views1 comment

1 Comment


Kozma Gjergji
Kozma Gjergji
Jan 10, 2020

Më pëlqeu shumë ky shkrim i mrekullueshëm i prof. Terziut për z.Pëllumb Kulla, një nga magjistarët e mëdhenj të skenës teatrore dhe ikon e veçantë e letrave shqipe.

Edhe unë, një ndër miqtë e adhuruesit e shumtë të z.Kulla bashkangjitem dhe e uroj: Gëzuar ditëlindjen i dashur Pëllumb! Jetë të gjatë dhe me plotë gëzime familjare e krijuese!

Kozma Gjergji

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page