top of page

Disa fije floku të Franc Jozefit I-rë ...


Disa fije floku të Franc Jozefit I-rë kushtuan 500 stërlina

Dr Fatmir Terziu

Disa fije të flokëve nga koka e Franc Jozefit të I-rë, Perandorit austriak të shekullit të 19 kushtuan pak kohë më parë mbi 500 stërlina në një ankand në Vjenë. Qimet e Perandorit autriak u mbajtën gjatë nga ish shërbëtori i tij si një kujtim, por që në këtë rast i dhanë atij edhe disa para. Perandori Franc Jozefi I-rë njihet ndryshe si Perandori austriak i Shtëpisë së Hasburgëve. Franc Jozefi, mbretëroi për 68 vite, duke shënuar udhëheqjen e tretë më të gjatë në historinë e aristokracisë evropiane. Elizabeta, gruaja e tij, u vra me thikë në moshën 60-vjeçare nga një anarkist. Djali dhe trashëgimtari i Franc Jozefit dhe i Elizabetës, Princi Rudolf, u lidh me një baroneshë 17-vjeçare dhe shokoi gjithë botën duke e vrarë atë e më pas veten. Si rezultat, Franc Ferdinandi, nipi i perandorit u bë trashëgimtar i fronit. Në vitin 1914, Franc Ferdinandi dhe gruaja e tij, Sofia, u vranë në Sarajevë, ngjarje kjo që u konsiderua si një prej shkaqeve të fillimit të Luftës së Parë Botërore.

Kur vdiq perandori austriak, Franc Jozefi, Abdi Toptani, Bajram Curri, Masar Toptani dhe Nexhip Basha, i dërguan një telegram ngushëllimi perandorit të ri, në emër të kolonisë shqiptare të Vjenës, duke provuar se Abdi beu, sikurse miku i tij Bajram Curri, qenë disa kohë rezidentë edhe më herët atje. Në fundin e vitit 1916, gazeta “Vëllazënija” ka publikuar telegramin për falënderimin që perandori i ri i Austrisë, nëpërmjet ministrit të Jashtëm i dërgoi Abdi Toptanit, ku shkruhej se “Perandori pranoi ngushëllimet nga kolonia shqiptare e Vjenës”.

Lidhja e emrit të Perandorit austriak me Shqipërinë është edhe një fakt me Shkodrën, me ndërtimin e Katedrales së këtij qyteti. Një histori më vete, brenda historisë së madhe të Katedrales, përbën dhe rasti i Gurash Shënkollit, i cili meqenëse ndodhej në Vjenë ditën e martesës së Franc Jozefit, i shoqëruar nga disa shkodranë të tjerë, i shkoi perandorit në tryezë dhe i kërkoi ndihmë financiare për kishën e Shkodrës. Perandori i ri, jo vetëm që i dha Gurashit 150 napolona flori, por dhe e përgëzoi për guximin ‘tipik shqiptar’.

Emri i Perandorit Franc Jozefi lidhet edhe me Prizrenin. Një zbulim i kohëve më parë vërtetonte se vetë Perandori i kishte dhurruar Kishës së Prizrenit një pllakë që shkruhej në shqip. Pllaka është vendosur në një organo. Dhe kjo organo ka qenë dhuratë e Franc Jozefit. Dhurata është bërë në vitin 1897, kur arkipeshkëv ishte shqiptari Pashk Trokshi, i cili ka lindur në Durrës. Organo, në pjesën e poshtme të kapakut të tastierës, mbart pllakën ku Perandori i Austro-Hungarisë, Franc Jozefi, bën dedikimin e tij për Kishën Katedrale të Prizrenit.

Dedikimi është bërë në gjuhën shqipe, mbi një pllakë bronzi, të gdhendur me dorë, në një tekst me nëntë reshta, me shkronja kapitale, të tre madhësive. Reshtin i tretë, ka përmasa më të mëdha të shkronjave, dhe kjo për të nxjerrë në pah Franc Jozefin, Perandorin e Austro-Hungarisë, përkrahësin e arsimit dhe kulturës shqiptare, mbrojtës të krishterimit në Shqipëri. Teksti në shqipen e sotme: “Madhëria Perandor e mbret Zefi i parë, Perandor i Austrisë dhe Mbreti Apostolik i Hungarisë, plot hirshëm, për dhuratë Kishës Katedrale të Prizrenit, në vitin 1897 të shërbyesit tonë.” Kjo organo ka shërbyer, për të shoqëruar korin kishtar të vajzave, të cilat këndonin këngë fetare në gjuhën shqipe. Alfabeti i përdorur është ai i veriut, i cili përdorej prej vitesh nga françeskanët dhe jezuitët.

Dedikimi në gjuhën shqipe, i organos 110 vjeçare, nga ana e Perandorit të Austro-Hungarisë, Franc Jozefit, është një nga sfidat që i bëhej autoriteteve turke dhe elementëve antishqiptarë të kohës. Teksti është shkruajtur me mjaft hijeshi, nga ndonjë gdhendës, ndoshta vendës apo austriak, pra pllaka mund të jetë gdhendur në fabrikën e prodhimit të pianove në Vjenë, ose në Prizren, i cili ka pasur një artizanat tepër të zhvilluar në atë kohë, gdhendës dhe punues të mrekullueshëm të argjendarisë. Në se teksti është shkruajtur në Vjenë, shkrimi në gjuhën shqipe, do të jetë bërë nën konsulencën e albanologëve vendës ose të shqipfolësve, si nxënës apo studentë shqiptarë që ndodheshin për studime në Austri. Por jo vetëm kaq lidhjet e Perandorit austriak me shqipërinë dhe shqiptarët kanë qenë të dukshme. Kjo flet edhe me faktin kur një patriot i madh shqiptar si Elez Isufi u dekorua për merita të veçanta lufte nga perandori i Austro-Hungarisë Franc Jozefi me titullin e lartë “Franc Jozef-Orden”.

Kjo tregon se në kohën kur shqiptarët ishin të pushtuar nga austro-hungarezët dhe i shikonin ata si shpëtimtarë, mjaft shqiptarë, paria e kohës, kanë qarë me lot ikjen nga kjo botë të Perandorit zanafillës të kësaj dinastie të gjatë austriake. Ndërkohë sot edhe disa fije flokësh të Franc Jozefit të I-rë marrin formën e një vlere në ankand. Kështu është kur edhe qimet e kokës kushtojnë para. Mos vallë vetë kjo ‘mesele’ ka kushtuar sa qimet e kokës?

22 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page