DINASTIA MUZAKA NË ALABNIA DHE NË ITALI (PJESA I)
Lutfi ALIA
Siena – Itali.
Disa vepra dedikuar historisë së Albanisë dhe familjeve fisnike arbërore, ende nuk janë studiuar thellësisht, për të evidencuar të dhëna të rëndësishme dokumentare, që ato përmbajnë. Ndër këto vepra rendis:
1. Monografia me shumë vlera e Franz Babinger dedikuar dinastisë Arianiti: “Das Ende der Arianiten –
Bayerische Akademie d. Wissenchaften, Munchen 1960 – beft 4”.
2. Vepra monumentale e Giuseppe Valentini me 25 volume: “Acta Albaniae Veneta”, botimi i “Istituto di Studi
Albanesi – Università di Palermo 1948 – 1977”, me 7254 dokumenta për Albaninë nga vitit 1301 deri në
vitin 1462.
3. Vepra e studiuesit arbëresh Prof. Injac Parrino: “Acta Albaniae Vaticana - Res Albaniae saeculorum XIV et
XV, atque cruciatam spectantia, Tomus I; Acta ex libris brevium excerpta colligens città Vaticano. Biblioteca
Apostolica Vaticana. 1971. Prof. Parrino mblodhi, transkriptoi dhe i botoi në vëllimin “Mbretëria e Albanisë
në shekujt XIV - XV, në pritje të kryqëzatës. Vëllimi I”, ku ka përfshirë 563 akte të nxjerra nga librat dhe
nga letrat Papale, të ruajtura në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit. Shumë prej këtyre dokumentave janë
letërkembime me Gjergj Kastriotin.
4. Vepra “Cronaca dei Tocco”, ku tregohet historia e familjes Toko, zoti i Epirit, ashtu si tregohet për albanezët
e Epirit dhe familjet fisnike arbërore Spata, Mazareki (Mazreka), Zenevesi, Bua, Muzaka etj. Kjo vepër me
autor anonim u botua nga “Accademia Nazionale dei Lincei – Roma”, e komentuar nga Giuseppe Schirò në
studimin “Struttura e contenuto della cronaca dei Tocco: Byzantion, vol. 32, Nr. 1, 1962, f. 203 – 344.
5. Ndër veprat me vlera histroike është dorëshkrimi biografik i vitit 1510 i Gjon Muzaka: “La breve memoria
de li discendenti de nostra casa Musachi - Kujtime të shkurtëra të pasardhësve të shtëpisë Muzaka”, doku-
ment në të cilin në vitin 1515 i biri Kostantin Muzaka shtoi disa të dhëna gjeanologjike rreth dinastisë
Muzaka. Gjon Muzaka, dhespot i Epirit këtë dorëshkrim ia dorëzoi djemëve të tij Teodori, Adriano,
Kostantini dhe vajzave Helena dhe Porfida, si një testament për të mos harruar trojet e tyre në Albania.
Dorëshkrimin e Gjon Muzaka, me shtesat e Kostantin Muzaka e zbuloi Karl Hopf, i cili e botoi në veprën
“Chroniques greco – romanes inédites ou peu connus pubbliées avec notes et tables généalogiques (Famille
de Musachi – Despotes d‘Epire), pp. 270 – 353, Berlin: Weidman 1873”.
6. Një ndër veprat dedikuar familjes Muzaka në Itali, është dhe ajo e historianit Rosario Jurlaro: “I Musachi
Despoti d’Epiro. In Puglia e Salvamento”. Edizione del Centro Librario – Bari/Santo Spirito, 1970”.
Në këto vepra, ashtu si dhe në shumë të tjera, pasqyrohen familjet fisnike arbërore të shquara në shekujt XI - XVI, si Arianitët, Muzakët, Topia, Kastriotët, Dukagjinët, Gropa, Spanët etj të lidhura mes tyre me miqësi, me aleanca dhe krushqi, ashtu si përmenden dhe shumë familje të tjera fisnike, të trajtuara në raporte mes tyre, në raporte me Selinë e Shenjtë, me Perandorinë Bizantine, me Mbretërinë e Albanisë, me mbretërinë e Napolit dhe dy Siçilive, me Mbretërinë Serbe, si dhe me Perandorinë Osmane, pasi i pushtoi trojet arbërore.
Çdo familje fisnike arbërore ka një histori më vehte, ka stemën e vet heraldike, prijësat e tyre kishin tituj fisnikërie bizantine, tituj perëndimore dhe më pas tituj osmanë.
Familja fisnike Muzaka është një ndër më të shquarat në rrjedhat historike të Arbërisë, por edhe të Italisë ku u shquan ata pjestarë të kësaj familje, që emigruan në Itali pas pushtimit nga Perandoria Osmane.
Muzakët janë një ndër familjet fisnike të herëshme arbërore. Fillimisht zotëronin trojet e Maliqit dhe Oparit e më pas i zgjeruan zotërimet në trojet perëndimore të Epirit. [Skender Anamali, Kristaq Prifti. Historia e Popullit shqiptar, vëllimi I, Toena, Tiranë 2002].
Gjon Muzaka, në kujtimet e tij shkruan: ”Parardhësit tonë erdhën nga Kostantinopoja për të dominuar trojet e Epirit të Albania. Muzakët janë pasardhës të Perandorit Bizantin Kostantinit IV (668 – 685 pas K). Fillimisht zotëronin trojet e Molosëve, andaj u quajtëm Molossakët (Molossachi). Mbiemëri Muzaka, është transformim grafik dhe fonetik i emërit Molossia, fillimisht në Molosakët (zotërit e Molosëve - Molossachi), më pas u
shndërrua në Mosachi - Mozakët dhe së fundi Muzaka. [G. Musachi, faqe 278].
Historiani Olshausen, thekson se mbiemëri me lidhje etnike me Molosët është jo shumë i qartë, ndërsa emërtimi i trevës së gjërë Muzakia e Epirit, i dedikohet pikërisht mbiemërit të kësaj familje fisnike. Në traditën familjare të Muzakëve, theksohet dhe varjanti i prejardhjes të mbiemërit të tyre nga emri Moisè (Moze), si e shkruan Gjon Muzaka në kujtimet e tij, kur përmend pararendësin Mosachi Comnino, emrin e të cilit e shkruan dhe Moisè Comnino. [G. Musachi, p. 287- 300] [Olshausen J, Monatsberichte Akademische Wissenschaften, “Malta” 27 Novemb. 1862, p. 197].
Në vitin 1873, Karl Hopf zbuloi dhe botoi dorëshkrimin e Gjon Muzaka të vitit 1510, të cilin e fillon me shtesën e vitit 1515 të djalit të tij Kostantin Muzaka, i cili bazuar gjeanologjinë e perandorëve romakë dhe konstantinopolitanë, të mbretërve, princave të Bizantit, që ia kishte dërguar Andrea Angelo Komneno nga Roma, thekson se Muzakët janë me origjinë nga familja perandorake e Bizantit.
Në shkrimet e Andrea Angelo Komneno theksohet:
- Kostantini, që ishte djali i gjashtë i Perandorit Mikele Paleologu, pasardhës i Kostantinit të Madh, kishte djal
Kominin, i lindur pas vdekjes të Mikele Palologut në vitin 1155 dhe në fron u ngjit Giovanni Dukas, i dinastisë
Komnen Dukas, dega Angeli. Komnini ishte i biri i Zojës dhe i Britanio, që ishte i biri i Teodosia, me origjinë
nga Teodosi - Perandori Augusto i Bizantit.
- Britanio sundonte në mbretërinë e Apolo dhe Illirisë. Britanio dhe Zoja kishin tre fëmijë Mark Britanio,
Helena dhe Lazaro. Lazaro ishte Dhespoti i parë i Serbisë së Poshtëme e quajtur Bullgaria.
- Mark Britanio kishte djalë Jovan Andrea, i quajtur Stefani mbreti i Apolo dhe Illiria dhe zoti i Muzakisë.
- Jovan Andrea (Stefani) kishte tre djem: Vokasioni, Andrea dhe Koiko.
Andrea kishte titullin sebastoncrator dhe ishte zot i Epirit dhe i Muzakisë, si e përmend Gjon Muzaka në kujtimet e tij, madje thekson se duke filluar nga Britanio, janë dymbedhjetë linja pasardhësish, që krijojnë gjeanologjinë e familjes Muzaka.
§ Jovan Andrea, i quajtur Stefani mbreti i Apolo dhe Illiria dhe zoti i Muzakisë.
§ Andrea I – sebastocrator, zot i Epirit
§ Teodori – zot i Epirit
§ Andrea II – Dhespot i Epirit
§ Gjini – Dhespot i Epirit
§ Andrea III – Dhespot i Epirit
§ Gjini II – Dhespot i Epirit
§ Don Jovani (Gjoni) – Dhespot i Epirit
§ Don Kostantini – Dhespot i Epirit, i cili kishte dy djem:
- Don Jovani II (Gjoni)
- Gaspare, ose alias Andriano Muzaka.
Andrea Della Monaca, në veprën “Memoria Historica....” thekson: “Të dhënat në Breve Memorie të Gjon Muzaka, i biri i Gjinit, bashkëshorti i Maria Dukagjinit, vëllai i Andreas, babai i Teodorit, Elenës, Andrianos, Kostantinit dhe Porfidës janë të sakta dhe përfaqësojnë testamentin që iu la fëmijëve. Lidhur me perandorët e Kostantinopojës, princat dhe zotërit e lindjes (Arbor consanguineitatis imperatorum, regum, ducum), të shkruar nga një aventurier nga Drishti, i prezantuar me emërin Andrea Angelo Comneno (Komneni), i cili pretendon se është pasardhës i perandorëve bizantine nuk janë bindëse. [Andrea della Monaca. Memoria Historica dell’antichissima e fedelissima città di Brindisi” Edizione. Pietri Micheli, 1674, p. 20].
Familja e Muzakëve në vitin 1090.
Muzakët dokumentohen në kronikat bizantine të vitit 1090, si familje besnike e perandorit Aleksi I Komnen. Këto raporte miqësie i përshkruan Ana Komnena (1083 – 1153) në veprën historike “Aleksiada”, e cila tregon se i Ati Basileus Aleksi I Komnen, thirri prijësin e Muzakëve dhe i besoi detyrën të hetonte Niqifor Diogjenin. Muzaka e zbuloi, e arrestoi dhe e çoj të lidhur para Perandorit. Ana Komnena tregon se Muzakët ishin përherë krah perandorit Aleksi I Komnen, si rezulton kur përshkruan skenën e firmosjes të “Traktatit të Devollit”, kur normandi i mundur Bohemond iu nënshtrua Atit të saj Aleksi I Komnen, apo kur përshkruan skenën e gjykimit të kushëririt të saj Joani, nipi i perandorit, i cili ishte duka i Durrësit, por kryepeshkopi i Ohrit Teofilkate i Bullgarisë, e kishte denoncuar për tradhëti ndaj perandorit. [Anna Commnena, Aleksiada. Palazzo Comittini, Edizione Palermo 2010, pp. 120 – 121].
Në shekullin XII, Perandori i Bizantit i kishte akorduar prijësit të Muzakisë titullin sebastoncrator dhe e emëroi Dhespot i Epirit.
- SebastonCrator (lexohet Sevastkrator) = Sebaston – i hirësuar, i nderuar, i denjë për t’u nderuar + Cratos – i
fuqishëm, sundues, zot trojesh.
- Despota – Dhespot, në greqisht do të thotë zotëri (sinonim i Kyrios), zotërues, sovran dhe akordohej nga
perandori si titull nderi, që shprehte dinjitet fisnikërie dhe gradën më të lartë në hierarkinë bizantine të njësisë
administrative lokal, por dhe për të cilësuar një formacion shteti, si u përdor për Dhespotatin e Epirit.
Gjoni I Muzaka.
Në shekullin XIII familja fisnike e Muzakëve kishte kryeqëndër Beratin dhe zotëronte territoret e Muzakisë nga lumi Shkumbin deri në lumin Vjosa (Albania qendrore). Zot i Muzakisë ishte Gjon Muzaka I.
Më 21 shkurt 1272, në Napoli në prani të fisnikëve arbëror dhe të parisë të bashkësisë të Durrësit, Karli I Anzhuin dekretoi formimin e Regnum Albaniae (përfshiheshin dhe zotërimet e Muzakëve) dhe shpalli vehten mbreti i Albanisë: Carolus I, dei gratia rex Siciliae et Albaniae. Në dy diploma të kancelarisë mbretërore më 20 dhe 21 shkurt 1272, mbreti Karli, iu premtoi fisnikëve arbëror mbrojtje (protectionem suam) dhe njohjen e privilegjeve, të normave dhe të dokeve "të mira" të mëparshme, por i shkeli premtimet.
Në vitet 1273 – 1280, Gjoni I Muzaka u pozicionua kundër Anzhuinëve të Napolit, andaj mbreti Karli I Anzhuin, në vitin 1279 urdhëroi arrestimin dhe internimin në Brindizi të Italisë, por i ndodhur para kundër-shtimeve të fisnikëve të tjerë arbëror, u detyrua ta liroi.
Andrea I Muzaka.
Pas vdekjes të Gjonit I Muzaka, në krye të zotërimeve të Muzakëve ishte i biri Andrea I Muzaka (1280 – 1319) sebastocrator, të cilit mbreti Karli I i dha titullin Mareshall i Albania. I vlerësuar më këtë titull, kuptohet se Muzakët kishin fituar besimin e Karlit I dhe nderoheshin si familje fisnike. Von Hahn thekson se dhe prijësit e tjerë pas Andrea I Muzaka, i forcuan marrëdhëniet me mbretin e Napolit dhe të Albanisë, madje firmosën disa marrëveshje diplomatike me mbretin Karli II Anzhuin dhe me Princin Filippi i Tarantos. [J. G. Von Hahn, Beiträge zur Geschichte von Mittel Albanien, in Reise durch die gebiete des Drin und Wardar, Denkschriften
de l’Academies de Viene, 1867; pp. 88 - 95]
Karl Hopf, duke analizuar këto kronika të J. G. Von Hahn thekson: “Këto kronika janë perla të materialeve
të lidhura me Albaninë”. [Karl Hopf, Beitrage zur Geschichte von Mittel-Albanien, dans “Monatsberichte
Berliner Academie der Wissenschafin, 1864, pp. 193 - 197]
L. Thalloczy, M. Šufflay, J. von Hahn, E. Ҫabej, Karl Hopf, John Fine, Pëllumb Xhufi etj, prezantojnë dy
dokumenta të 5 dhe 6 shtatorit 1304, me listën e 13 fiseve arbërore, që iu njiheshin privilegjet nga princi Filipi Anzhuin i Tarantos (Dominus Regum Albaniae), pra Zot i Mbretërisë së Albanisë, por jo mbreti. Në këtë listë nuk përfshihen familjet Blinishti dhe Matranga, pasi kishin status special, ndërsa Muzakët, këto privilegje i kishin fituar më parë nga mbreti Karli II Anzhùin (1285 – 1294), babai i Princit Filippi Anzhùin (1294 – 1331).
Në vitin 1305, një fisnik i dinastisë Muzaka, me titullin epistrat, bënte pjesë në parinë e Kostantinopojës. [Pellumb Xhufi. Nga Paleologët te Muzakajt .... faqe 92 – 95]
Në kujtimet e tij, Gjon Muzaka shkruan: “Zoti Andrea Muzaka Sebastoncrator zotëronte dhe sundonte trojet e më poshtëme: Qytetin e Beratit që ishte kryeqendra e Muzakisë, duke filluar në kufirin e sipërm në një fshat të quajtur Karugua dhe fshatrat Xhiosi (Giossi), Basti (ndofta Belshi) dhe Miliota ku kalon lumi i Shkumbinit. Në jug arrinë lumin Vjosa deri në vendin e quajtur Dy Gurët. Sundonin pjesën tjetër të Muzakisë në Berat, e quajtura Tomonista, që është Muzakia e Vogël. Në jug përfshinë Selenicën me shumë fshatra deri në det. Sundonte Tomorricën me 60 fshatrat në luginë dhe në shpatet e malit Tomorr, duke filluar nga Dardhasi (Dardasi) dhe të tjerat deri në Terkotigue. Gjithashtu zotëronte dhe sundonte Sclepari (Skrapari) me 18 fshatrat.
Në zotërimet e Muzakëve ishte Korça deri në fshatin Savoiana dhe Vjosa ku peshkoheshin peshqë e ngjala. Sundonin Devollin e Madh i quajtur dhe Veskopi; Devollin e Vogël deri në Nestramo (qytet i shkatërruar); Gjithashtu zotëronin Maliqin, Oparin (banohej nga skiavonë) dhe fshatrat e banuara nga arbërorë si Festaçi, Beci, Mazreka, Lopari (Lodari), Mariani, Ceriasheli, si dhe qytetin e Kosturit më fshatrat për rreth. [Karl Hopf, Cronique greco-romanes .... tables généalogiques... faqet 270 – 353].
Në lidhje me zotërimet e Tomorricës, në kujtimet e tij, Gjon Muzaka në faqen 296 thekson: “Unë kujtoj se në Tomorricë, në varësinë tonë ishin katër barona: Gjin Bogdani (zotëronte Berlois dhe katër fshatra), Bardi Fachiemiri (Muzaka e shkruan Fakjemiri - la bell visage - Faqemiri), i cili kishte katër fshatrat e quajtura Barçi. Kishim në vartësi Joan (Gjon) Visagni më fshatrat e tij; Dukën Dobril, që zotëronte fshatrat Gurishti; kishim Basan Bilochisi (Bilokishi) me fshtrat e Disguimari. Gjithashtu në zotërimin tonë kishim të quajturin Ajdin me një fshat ngjitur; dy fshtrat e quajtura Cervotai, njëri në zotërim të Giovanni Cervota dhe tjetri i Martin Cervota dhe se fundi Kondi Balguri, që zotëronte fshatrat e quajtura Guerbisi, madje ai ishte dhe Vojvoda i Tomorricës. Në vazhdim Gjon Muzaka tregon: “Si iu tregova më sipër, Tomorrica ishte në zotërimet tona dhe këta baronë ishin vasalët tonë dhe Vojvoda, ishte komandanti i ruajtjes të rendit”. [Giovanni Musachi, memorie, p. 200].
Në faqen 300, Gjon Muzaka shkruan: “Pasi vdiq im atë, na e morën Tomorricën, pra Muzakinë e Vogël, na morën dhe territoret e Komit dhe Randisia, ku im atë mblidhte njerëz për në luftë. Ju njoftoj bijtë e mi, se në Tomorricën tonë, është një vendbanim i quajtur Horcova, që ndodhet ngjitur me malin dhe nga ana tjetër kalon një lum e ndërmjet maleve të këtij vendi është një rezervë ari, andaj po iu informoj të dini se është vendi ynë, në zotërimet tona”. [Giovanni Musachi, memorie, f. 44].
Teodor Muzaka Chiscetisi
Andrea I Muzaka kishte një djalë Teodor Muzaka Chiscetisi (Kishetisi) protosebast, i cili trashëgoi dhe sundoi në territoret e Muzakisë. Teodor Muzaka mbante flokë të gjatë, të thurur gërshet, andaj thërritej Chiscetisi (Kishetisi) dhe këtë veçori Gjon Muzaka e tregon në kujtimet e tij, duke theksuar se Kishetisi në gjuhën tonë albaneze do të thotë gërsheta. [Giovanni Musachi, Memorie. pagine 281]. Teodori u vra në luftime kundër invazorëve turqë.
Teodor Muzaka kishte dy djem, Andrea II Muzaka (1319 – 1372) dhe Mentul Muzaka.
Andrea II Muzaka.
Andrea II Muzaka, ishte sebastoncrator i Muzakisë dhe Dhespot i Epirit. Andrea ishte martuar me Eftimia, e bija e Pal Matrenga, Zoti i Gorës. Andrea luftoi dhe triumfoi kundër mbretit Vukasino i Bullgarisë, që i kishte shtrirë zotërimet deri në afërsi të Adrianopolit. Andrea II Muzaka mblodhi një ushtri të madhe me banorë të zotërimeve të tij dhe marshoi kundër ushtrisë bullgare. Në vitin 1336, ushtria e Andrea Muzakës u ndesh me
ushtrinë bullgare në malin e Peristeri në burimin e ujit Dobrida. Pas luftimesh të ashpra, forcat arbëorore i
shpartalluan forcat bullgare, madje kapën rob mbretin së bashku me djalin e tij Duslandi. Me këtë fitore Albania u çlirua nga pushtuesit bullgarë.
Fitorja e Andrea Muzakës kundër bullgarëve e entuziasmoi Perandorin e Bizantit, i cili në shenjë mirënjohje dhe nderimi i dha të drejtën të përdori në stemën heralddike të Muzakëve, stemën perandorake, pra shqiponjën dykrenore me kurorat mbi kokë, me yllin mbi kokat e shqiponjës dhe i dha titullin Dhespot i Epirit. Gjithashtu i njohu privilegjin të përdori vulën e artë me stemë shqiponjën dykrenore, i dhuroi fronin dhespotal, në pjesën e sipërme me shqiponjën e qendisur me perla. Gjithashtu i kaloi në vartësi qytetin e Kosturit, të cilin në fakt Andrea Muzaka e kishte pushtuar pasi kishte thyer forcat e Marco Craglia (Mark Krajli).
I ndodhur përballë ekspansionit serb në trojet e Muzakisë, Andrea II u afrua me Anzhuinët, duke lidhur aleancë me Roberto i Taranto, madje për garanci më 30 dhjetor 1336 dërgoi peng në Durrës djalin Teodor Muzaka. Ndonëse Stefan Dushani i kishte pushtuar trojet arberore, madje ne vitin 1337 pushtoi Kaninën dhe Vlorën, Muzakët i rezistuan ndërhyrjeve serbe dhe mbajtën në zotërim trojet ndërmjet lumejëve Devoll dhe Vjosa dhe në vitin 1340 i thyen serbët.
Muzakajt luftuan kundër qeveritarëve sllavë, e rimorën Beratin kryeqendrën e tyre. Pas vdekjes të Dushanit, Muzakajt i dëbuan sundimtarët serbë dhe i zgjeruan zotërimet në drejtim të Korçës dhe Devollit, me pas morën Vlorën dhe Kaninën, të cilat ia kaluan Balshajve, si prikë e krushqisë mes këtyre dy familjeve. Muzakët së bashku më Balshajt, e thyen mbretin serb Vukshin dhe e rimorën Kosturin. [Paolo Peta. Despoti d’Epiro e principi di Macedonia: esuli albanesi in Italia del Rinascimento. Argo. 2000]
Në këto fitore të Andrea Muzakës kontribuan dhe Balshajt, me të cilët kishte lidhje krushqie, sepse motra e tij Komita Muzaka ishte martuar me prijësin e Balshajve, ashtu si dhe dhëndërri tjetër nga dinastia Groppa, që ishte zot i Ohrit ishte martuar më Kirana, vajza e dytë e Andrea Muzakës. Gjon Muzaka në kujtimet shkruan: “Qyteti i Ohrit ishte pranë një liqeni, nga ku buron lumi Drin. Në këtë liqe peshkohen me shumicë peshq krap, trofta dhe peshqë të tjerë të shijshëm”.
Andrea II vdiq rreth vitit 1372 dhe e varrosën në Kishën e shen Antonio në Durrës. [G. Musachi p. 282]
Nga martesa e Andrea me Eftimi lindën pesë fëmijë, tre djemë: Gjini II, Teodori, Stoja dhe dy vajza Komita dhe Kirana.
Gjini II Muzaka. Ishte zot i Tomorricës dhe i Kosturit. Pas vdekjes të vëllait Stoya u martua me Suina, e bija e Matreng Arianit Komneni. Gjini II vdiq në vitin 1389. [Giovanni Musachi, memorie, pp. 282 - 283]
Gjini II kishte pesë djem dhe dy vajza.
- Andrea III Muzaka u martua me Anna Sarbiso, e bija e Giovanni Sarbiso zoti i Argiro dhe nga kjo martesë, në vitin 1410 mori në pajë Grabossa. Zotërimet e tij të Devollit dhe Muzakisë u morën nga sulltan Bajaziti I, kur pushtoi trojet jugore të Arbërisë (1389 – 1402). Andrea III Muzaka kishte dy djemë (Gjini III, Teodori dhe dy vajza Maria e martuar më Gjergj Arianitin, prinderit e Andronika Kastriotit dhe Elena (Helena) e martuar me Filipin, fisnik Raguzian. [Giovanni Musachi, breve memorie.... pp. 275, 283, 284].
- Elena (Helena), u martua me Aidino Lopes, zoti i Bresda dhe zevendësguvernatori i Krota (Ne vitet e para të shekullit XV). [Giovanni Musachi, memorie, pp. 286 - 532]
- Matrango. Kishte katër fëmijë: Djali Gjini IV ishte zoti i Gorës, u vra në luftime kundër turqëve.
- Kondisa. U martua me Sulejmanbeun dhe lindën dy fëmijë. [Giovanni Musachi, memorie, pp. 287]
- Blasio. Kishte pesë djem (Bogdani, Giovanni, Ginno, Teodori, Kostantini, të cilët u vranë nga turqit dhe një
vajzë Teodora e martuar me Paolo Zardari. [Giovanni Musacchi, memorie, pp. 286]
- Bogdani. Kishte tre djem: Gjinin, Andrea dhe Pietro. Andrea ishte i verbër u martua me kushërirën Komita
Matrenga dhe kishin në zotërim Gorën. [Giovanni Musachi, memorie, pp. 286 - 287]
- Laldi. Kishte një djal Andrean, i martuar me Teodora Matrenga e bija e zotit të Gorës.[G.M. 286].
Teodori. Sipas Karl Hopf, Teodori ishte Zot i Muzakisë trashëguar nga i ati dhe kishte një djalë Nikolla, i
cili kishte dy djemë Pietro dhe Andrea. Andrea kish katër fëmijë Mighiria, Paolo, Biaxhio dhe Kirana. Teodori vdiq në vitin 1389, në luftimet kundër turqëve. [Giovanni Musachi, memorie, pp. 273 - 283 - 532].
Stoya. Ishte zoti i Kosturit. Nuk ka lënë pasardhës. [Giovanni Musaca, memorie, pp. 282]
Komita. Ishte zonja e Kaninës dhe e Vlorës, zotërime që ia dha i vëllai Gjini II në vitin 1372, kur Komita
u martua me princin Balsha II i Cedda. Komita vdië në vitin 1396. [G. Musaca, memorie, pp. 283 - 532]
Kirana. U martua me fisnikun Groppa, zoti i qytetit të Ohrit. Nga kjo martesë linën një vajzë e quajtura Regina – Rexhina. [Giovanni Musachi, memorie, pp. 282]
Mentul Muzaka
Djali i dytë i Teodorit ishte Mentul Muzaka, ose Matrenga Muzaka. Sipas Karl Hopf ishte konti i Clissania,
por nuk ka të dhëna për martesën dhe as në se ka lënë pasërdhës. [Karl Hopf]
Dhespoti Andrea II Muzaka, ashtu si fisnikët ë tjerë arbëror, synonte të krijonte mevehtësinë e zotërimeve të Muzakëve, andaj drejtoi lëvizjen antibizantine të viteve 1335 – 1341, por dështoi dhe pas shtypjes të kryengritjes, Perandori urdhëroi shpronsimin dhe dëbimin e fisnikëve Muzaka. [Robert Elsie. A biographical Dictionary of Albanian Histrory. I.B. Tauris 2012]
Gjini III Muzaka
(I ati i Gjon Muzaka, autori i kujtimeve të dinastisë Muzaka, shkruar në vitin 1510).
Gjini III, u martua me Kirana, mbesa e sebastonkrator Matranga i Gorës. Gjini III ishte pasardhësi i fundit që ruajti sovranitetin e shtetit të Muzakisë. Gjon Muzaka në kujtimet e tij thotë se i ati vdiq në viti 1417, para se Berati të pushtohej nga Turqit dhe e varrosën së bashku me bashkëshorten Kirana në kishën Shen Maria në qytetin Bunga (?) [G. Musachi, memorie, pp. 275, 282, 283 - 300]
Gjini III dhe Kirana lindën tetë fëmijë, dy djemë dhe gjashtë vajza.
1. Andrea, ishte martuar me Yela Topia. Vdiq rreth vitit 1484. [G. Musachi, Breve memorie, pp 282-532]
2. Suina, ishte e martuar me Muzak Komnenin, i biri Komnen Arianitit, ndërsa më pas u martua me Moisi
Golemin e Dibrës, i njohur dhe Muzak Arianiti i Dibrës. [G. Musachi, Breve memorie, pp 287-302]
3. Giovanni – Gjon Muzaka. Ishte i martuar me Maria Dukagjinin dhe kishin pesë fëmijë:
- Teodori i lindur në vitin 1474 në Berat – Albania.
- Elena e lindur në vitin 1475 në Itali.
- Andriano, i lindur në vitin 1476 në Itali. Pas shërbimit në ushtrinë e mbretit të Napolit shkoi komandant i
kavalerisë në shërbim të mbretit të Francës. Vdiq i helmuar në Francë më 10 maj 1526. [G. M, BM,
pp 273-277-282-314]
- Kostantini, lindi në Napoli në vitin 1478. Ishte martuar me Lucrezia Egidio. Jetoi në Napoli. Ishte
komandant i një reparti kavalerie, në rradhët e ushtrisë të Gjonit II Kastrioti në luftimet kundër turqëve në
Otranto [G. Musachi, Breve memorie, pp 273-282]
- Porfida. Indi në Napoli. U martua me Pietro Roka dhe me rekomandimin e Andronika Kastriotit shërbeu
damë e oborrit të mbretëreshës Xhiovana III e Napolit. [G. Musachi, Breve memorie, pp 282-532]
Gjon Muzaka në vitin 1475 emigroi në Itali.
4. Maria. U martua me Muzak Komnino, i quajturi Dangelino, që ishte nipi i Gjonit II Kastrioti. [G. Musachi,
Breve memorie, pp 282]
5. Elena (Helena). Ishte martuar me Gjergj Blandishi, i biri i Karlit, zoti i Dibrës. [G. Musachi, Breve
memorie, pp 288]
6. Komita. Ishte martuar me Arianitin, djalin e vogël të Muzak Arianit Komnenit. [G. Musachi, Breve
memorie, pp 289-532].
7. Kondisa. Ishte e martuar me Duri, i birir i Aidinit, zoti i Neppe. [G. Musachi, Breve memorie, pp 289]
8. Teodora. Ishte martuar me Goisav Balsha dhe pas vdekjes të bashkëshortit u martua me Lek Dukagjini,
por nuk lindën fëmijë. [G. Musachi, Breve memorie, pp 282-532]
Në vitin 1460 përmendet Martin Muzaka, i cili i dorëzoi Papa Piu II, një letër derguar nga Gjergj Kastrioti, por ai nuk permendet as nga Gjon Muzaka në kujtimet e familjes se tij dhe as në gjeanologjinë Muzakëve të Karl Hopf, ndërsa Papa Piu II në përgjigjien dërguar Gjergj Kastiotit e përshëndet Martin Muzakën, i cili si kuptohet ishte në shërbim pranë mbretit Ferdinand i Napolit. Kjo letër ndodhet në Archivio Status Venetii dhe është e datës 16 qershor 1460, të cilën po e prezantoj në vazhdim:
(1460) VI 29 F. 165(162)v.
Georgio Castriotae Skanderbegum
Ferdinando Regi opem offerentem laudat Pontifex; ab eo tamen petitum auxilium praestare non valet, raram utique eiusdem fidem et constantiam gravibus verbis extollens.
Pius Papa II
Scandarbeg Dilecte fili etc.
Salutem Vemens ad nos dilectus filius Martinus Musiachius miles et tuus orator retulit nobis quemadmodum in his molestis, que Carissimo in Christo filio nostro Ferdinando Sicilie Regi Illustri a suis hostibus inferuntur, Statueras fidelis subditi officium adimplere, et in Regnum Neapolitanum adueniens illi pro uirili tua operam afferre, Addidit, quoque quod cum sine manifesto periculo amissionis locorum que in Albania tenes Discessus tuus esse non posset, permittere tibi uellemus (f. 166 (163) rv) ut cum Turcho posses pasisci (sic): quel in si hoc non probaremus Legatum nostrum istuc mitteremus, qui possessionem defensionemque dominij tui susciperet, Ad hec dilecte fili Respondemus Romano Pontifici non conuenire licentiam dare ut cum infidelibus paciscatur, quorum nulla communio dei offensione est vacua: Mittere autem Legatum qui loco tui partes illas tutetur duximus nec vtile ad id quod queritur esse nec nobis propter impotenciam facile: verum cum veneti paratam Classem Jam habeant (x) et potentes admodum sint Jntercessuros cum eis ut Dominium antedictum protectionem que capiant nec diffidere nos id eos esse facturos, Hoc idem autem tue nobilitati per literas respondemus, dolentes admodum inuentam non esse in principibus Christianis eam deuocionem ad opus fidei quam sperabamus nec tales esse nostras et ecclesie uires vt tue Nobilitati auxilia prestare possimus, que constancie et operibus pro fide susceptis deberi cognoscimus, propositum autem transeundi ad deffencionem antedicti Regis quem de te benemeritum memoras plurimum commendamus, Non dubitantes aduentum tuum magne illi vtilitati ad omnia bene gerenda futurum, Teque ex eo plurimum vere laudis esse consecuturum. Confidimus, quoque Regiam Serenitatem hanc tuam fidei prestantiam attendentem premia retributurum que in tali necessitate sunt debita Nosque ad eum efficaces litteras dedimus, menter sumus hortati vt mentem hanc tuam grate suscipiat, dignamque habeat etiam fidei et Constantie Rationem quam in paucis inuenit Non Dubitamus suam Serenitatem nostras exhortationes et facta tua intuentem honorifica gratitudine erga te esse usurum Datum xxviiij Junij etc. [Arch. Status Venet., Sen. Mar R° 6 c. 183 (182) rt, d. 16. VI. 1460].
vijon në numërin e ardhshëm.
Kommentit