Diamanta Zalta: Toka, premtimi virtual dhe paprekshmëria...
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 3 hours ago
- 4 min read

Toka, premtimi virtual dhe paprekshmëria, një poezi e ndërmjetësimit shpirtëror te Diamanta Zalta
Diamanta Zalta shkruan bukur. Lexon. Komenton. Respekton. Një trinom që rreket të flasë dhe në poezinë e saj. E kështu poezia e saj ka vetë këtë trinom si tokë, premtim virtual, paprekshmëri. Poezia e Diamanta Zaltës shfaqet si një hapësirë ndërmjetëse. Një hapësirë ku subjekti lirik nuk qëndron thjesht përballë botës. Ky subjekt shndërrohet në vetë elementin e saj themelor. Këtu, Toka nuk është vetëm metaforë e qëndrueshmërisë apo e origjinës, por një akt vetëflijimi poetik, “bëhem Toka” është një formulë identitare, ku unë-lirika merr mbi vete ankthin e burimeve, frikën e shterimit, përgjegjësinë e vazhdimësisë. Poezia nuk vëzhgon krizën. Diskursivja e saj është se e përthith atë. Kjo e vendos Zaltën në një poetikë të ndjeshmërisë ekologjike dhe etike, ku mbijetesa e lumenjve është e lidhur drejtpërdrejt me vetë qenien njerëzore. Transformimi i subjektit në Hekatë shton një shtresë tjetër, nga toka-mëmë kalojmë te figura arketipore e zjarrit, shkatërrimit dhe krijimit njëkohësisht. Zjarret “kohëshkurtër” dhe fluturat mbi lulen më të bukur përbëjnë një dialektikë të qartë mes përkohshmërisë dhe bukurisë. Këtu poezia e Zaltës e pranon shkatërrimin si kusht të domosdoshëm të shndërrimit, por refuzon nihilizmin: flutura mbetet shenjë e ringjalljes estetike. Shkrimi i zogjve në ajër, “i pakuptueshëm”, e zhvendos kuptimin nga logjika racionale te një gjuhë tjetër, ajo e shenjave të papërkthyeshme, ku poezia bëhet vatër dhe flakë njëkohësisht.
Në poezinë “Premtim virtual”, poetja ndërton një kontrast të fortë mes pafundësisë dhe fragmenteve të vogla të jetës: horizonti përballë saksive të luleve, universi përballë zemrës së ëndrrave. Këtu “virtualja” nuk ka kuptimin teknologjik, por atë ekzistencial: është një premtim që ekziston si mundësi, si ndjesi, jo si realitet i garantuar. Drita, e identifikuar me vetë Njeriun, e zhvendos përgjegjësinë nga jashtë tek brenda. Paqja që kërkohet “me veten e panjohur” është një proces i brendshëm pajtimi, një udhëtim që ndodh në heshtje, në një të qeshur të pavetëdijshme, në gropëza të vogla në faqe. Fragmenti i përjetësisë është gjithmonë idilik, por njëkohësisht i pakapshëm dhe pikërisht këtu qëndron ironia e butë e poetes ndaj çdo përpjekjeje për ta kthyer shpirtëroren në mall. Pyetjet retorike për “shpalosje”, “përqendrim”, “shkollë” që të mëson si të ngjitesh një shkallë më lart, shprehin një dyshim të thellë ndaj mekanizmave që premtojnë rritje, por rrezikojnë ta banalizojnë përvojën njerëzore. “Premtimi virtual” mbetet një pikë e pezullt, një shenjë e të thënave pa fjalë – aty ku poezia refuzon përfundimin dhe zgjedh hapësirën e hapur.
Te “Kontur i paprekshëm”, gjuha bëhet më e ashpër, më ekzistenciale. Greminat personale regjistrojnë “tërmetet e hapësirës së lirisë” që ngushtohet përditë, duke e shndërruar poezinë në një akt dëshmie. Akulli mbi plagë që përvëlon është një nga figurat më të forta të këtij cikli: shërimi i rremë, ftohtësia që dhemb më shumë se zjarri. Në këtë kontekst, vetëm Vepra mbetet dëshmitare – jo fjala, jo premtimi, por akti krijues. Paprekshmëria këtu nuk është izolim, por një kontur shpirtëror që lejon vazhdimësinë përtej vdekjes. Përjetësia dhe Edeni nuk idealizohen; edhe gjarpri bëhet “i mirë”, shoqërues, duke e çliruar mitin nga frika dhe duke e kthyer në bashkëbisedim. Së fundi, era rebele përmbyll ciklin si figurë e ndërgjegjes së lirë. Ajo zhvesh mendimet, i merr poetit kontrollin dhe e lë “pa mend”, duke e rikthyer poezinë në gjendjen e saj më të pastër: habinë. Nuk ka rëndësi koha apo vendi, por arsyeja që gjallëron – një etikë e brendshme e ekzistencës që i jep kuptim edhe shkretëtirës.
Në tërësi, poezia e Diamanta Zaltës ndërton një univers ku toka, premtimi dhe paprekshmëria nuk janë koncepte të ndara, por faza të të njëjtit udhëtim: nga përthithja e dhimbjes së botës, te shpresa e brishtë e fragmentit, e deri te një përjetësi e fituar përmes veprës dhe ndjeshmërisë. Është një poezi që nuk kërkon të bindë, por të zgjojë dhe pikërisht për këtë, mbetet thellësisht njerëzore. (F. T.)
________________________________________
Diamanta Zalta:
SI TOKA . . .

Nganjëherë bëhem Toka ,
pi ankthin e krojeve dhe burimeve
që të mos shterrojnë lumenjtë nga gurët .
Nganjëherë bëhem Hekatë ,
ndez zjarre të mëdhenj kohëshkurtër ,
sajoj më pas qindra flutura , mbi lulen me te bukur .
Një tufë zogjsh të palodhur ,
shkruajnë me sqep dicka te pakuptueshme në ajër .
Kuqëlimi i gërmave imiton flaken, në timen vatër .
PREMTIM VIRTUAL

Në buzët e horizontit ndodhet pafundësia.
Në saksitë e vogla të luleve ndodhet
zëmra e ëndrrave dhe dashuria .
Ngjyrat janë pafajësi .
Drita , je ti vetë o Njeri !
Mbaj në dorë një degëz të gjelbërt ulliri ,
me vehten e panjohur të bëj Paqe ,
Duke ecur , qesh pa e kuptuar . . .
E më bëhen dy gropëza të vogla në faqe .
Ç´të jetë vallë mrekullia e një fragmenti përjetësie ,
gjithmonë idiluese dhe kaq ikanake !
Shpalosje ? Përqëndrim ? Shkollë që të mëson
si të ngjitesh edhe një shkallë,
ende pa u kthyer gjithçka në mallë ?
Ndoshta. . . pikë premtimi virtual ,
në të gjitha të thënat pa fjalë .
KONTUR I PA PREKSHEM

Greminave të mija ,
rënkimet rregjistrojnë tërmetet e hapësirës së lirisë ,
që përditë ngushtohet , e ndryshon .
Akulli mbi plage përvëlon . . .
Vetëm Vepra është dëshmitare në një dëshirë.
Kontur i paprekshëm krijon ndjesinë
se si pas vdekjes mund të jetosh përsëri . . .
Aty larg . . . ku vendi quhet Përjetësi !
Në Eden , do të më afrohet gjarpëri i mirë ,
për të më bërë shoqëri !
E di !
ERA ESHTE REBELE

Keni provuar të shihni brënda syrit të erës ,
ndërsa vraponi në shpellën e ndërgjegjes të gjeni strehim ,
të shtypni melodinë Bethoviane të shiut që bie furishëm ,
dhe sythi në degë të përjetojë thëllim ?.
Nuk ka rëndësi koha ,
as vendi ku gjithçka para teje ka qënë shkretëtirë ,
rëndësi ka arsyeja që gjallëroi bajamen ,
shiun e stinës për të pirë .
Era është rebele . Shfaqet vend e pa vend ,
m´i zhvesh mendimet , ne krahe me merr
dhe . . . më le pa mend !









Comments