top of page

Diçka e gjatë


Fatmir Terziu

Diçka e gjatë


Tregim nga Fatmir Terziu


Qumështi i derdhur do të thoshte se ishte një bum lajmesh. Shkoi në alb-referimin e të gjitha gazetave nën një dritë rruge të vetme për lëvizjen e lotëve në lëvizje.

“Populli juaj po vuan, por, ende nuk e di se si të predikojë!”, ia behu grykëmbushur Zëri i Parë.

“Ju korrni arsimimin e të shtirurve dhe mënyrat e shkrirrjes dhe bashkimit të hekurit të nxehtë, të tubuar…”, shtoi Zëri i Dytë.

“Kompostoja ishte plot me pluhur hekuri dhe armë”, vazhdoi Zëri i Tretë.

“Fara mbin paksa pa shije në mendjen time”, shkunda kryet dhe vazhdova të pasojë turmën. “Paragjykimi është simptoma më e madhe e pranishme e keqkomunikimit me vetveten kur mbaron pa një fillim…”, nuk e kuptoja as vetë pse po vazhdoja si për inerci të tre zëravetë mendoja ende për atë ....

“Dikush e mori atë, ylli i rishkruar është i lumtur!”, shtonte turma trezërëshe, ndërsa zbutja dukej akoma më e gërvërtë se e para.

Ju u mbërthyet. Kjo u pa në vallëzimin tuaj në petrikorin e predikimit dhe ndjenjës së papritur e të… të uritur.

“Ë, pra thuaju! Thuaju…Thuaju se po shkurtoj rrugën time në jetë për fituesit e kunjit të imunitetit. Realiteti më diktoi paqe.” Duart tentonin gjithnjë të kapnin hekur të ftohtë. Trupi lëvizte si një shtangë në duart e një peshëngritësi mbipeshë.

E pashë me sytë e mi…

E dëgjova me veshët e mi lajmin tuaj të trinomit të trezëshëm.

Kalimtarët ishin tërësisht të zhgënjyer për të rimobilizuar veten në këtë shkretëtirë të djegur. Kur na trajtoni sikur të jemi lesh sheqeri edhe pulset e kënaqësisë bien. Dhe tashmë cirku i rrëmbyeshëm sapo mëshoi mbi zilen e ansamblit të përsëritur. Nga të qeshurat bezdisëse, gjithçka duhet të jetë politike kur portretizoni hijet bjonde në formë murrizi në vizionet e perdeve në dhomën tuaj. Të kulluar në ditët e marrëzisë. Si mundet dielli akoma të arrijë në skutat tuaja?

Trupi tashmë fluturon si shumëgjuhësh, dhe duke rënë në krah të përgjumjes së fuqisë së budallait në grindjen me vetveten, ka nevojë për një fjalë, e vetme ndoshta aq sa për të dashur të qeshurën time. Në mënyrë të këndshme. Sigurisht e juaja dhe natyrisht, le të jetë fundja e juaja. Kam përdorur pak forcë dhe unë po jap dorëheqjen duke luftuar gjatë gjithë kohës mes kësaj turme. Hekuri po bëhet akoma më i ftohtë. E ftohta…, e ftohta… ethet…, frika… temperatura… Ju me siguri e kuptoni që unë përqafova ca dashuri për pendimin që zhbiroi trinomin tuaj. Po kërkoni për dikë të humbur në një turmë? Po, e thatë vetë, që je i zezë si macja!? Kalimi në rrugën e jetës, lirisë, vetvetes, jashtë trinomit tuaj të zhurmshëm…, jashtë llumit dhe plehrave të pista… Kjo nuk është pendim!

Vendimi i arsyeshëm dhe faturimi është aq i qartë, dhe leximi është aq pompoz. Është i harruar si dantellat e fëmijërisë mbi gjumin e këpucëve fëminore dhe librave me “Djemtë e Rrugës Pal”, apo dhe me “Xhimin…”, djaloshin me ngjyrë.

Merr qumështin nga dera tjetër … në Jug. Unë e pashë me pamjen më të vështirë këtë tërbim. Dhe tërbimi në fytyrën e saj plot mjerim. Shenjat me erë që iu ngjizën pemës së mbuluar me të butat e pambukut në atë kënd.

“Suksesi është për njerëzit”, shtoi Zëri i Parë.

“Për pushimet e ardhshme, ju mund të jeni më të lumtur pa kujtimet e mia”, theksoi Zëri i Dytë.

“Jeni tumbuar nga gjaku i vluar”, ulëriu Zëri i Tretë.

Këto janë nga librat? Edhe këtu në këtë ftohtësi të akulltë, në këtë lakuriqësi të kapur pas hekurit, vërtet librat duhet ti mendojmë? Eh, jeta është dhe nuk është libër. Unë e jetoj jetën time duke mos menduar kurrë për librin më elokuent të poezive. Megjithëse, unë jetoj në epokën luftarake të poezive, në epokën me vendosmëri trilli dhe me të vërtetë të lagur nga të gjitha ujësirat, po aq të pluhurosur nga të gjitha pluhurat. Dhe jam duke e mbajtur në raftin e tyre epilogun më idiotës e më shpajtues.

“Ju keni mbetur në rrugët e afreskut të bredhit si një nomad duke shitur stuhinë e fitimin e afreskut të bredhit dhe duke jetuar në shëtitjen e tij rrumpallë në dimrin më arrogant të epokës”, duhej të ishte Zëri i Parë.

“Nga një njeri i rënë dhe një tifoz më shumë, grimi i solidaritetit stoik ka ngrirë në shpirtin e tij,” vërtet u duk sikur ishte Zëri i Dytë.

“Ferr, ferr … u ndje i gjallë”, dhe ky me siguri ishte Zëri i Tretë.

Më mirë të arrish në kohë të humbur, kur duart vazhdojnë të mos binden në tentativën e kapjes së të ftohtës. Kërkojnë hekur, hekur të akulltë. Kjo është autostrada e lirë e tyre. Dhe aty ku shtohen grindjet, mosbindjet, goditjet… Goditjet… dhe unë ende nuk kam vdekur. Në jetën shpesh me ndershmëri, ka disa që presin. Dhe ndonjëherë është një vend i një natyre flegmatike të njollosur. Hijëzimi i ferrit të tij dhe filozofia ekzistenciale mund të shkatërrojë altruizmin e besimtarëve në një lokal të tillë zhurmash ku së bashku bëjnë një fllad për bredhin dhe hijen e tij. Shumë keq, askush prej tyre nuk pi, por, ata u afruan më shumë rreth marrëveshjes se alkooli ishte i pakuptimtë. Nëse nuk do të kishit vëzhguar tërë racën njerëzore të intoksikuar nga bukuria e poezisë së shekullit të trembëdhjetë ju na sollët në këtë pluhur me më shumë fjalë në ujë.

Atëherë ka mungesë të njerëzve për ta kundërshtuar atë më së fundi, duke rrahur argumentin e erës së fryrë në shtratin e këtij shtrati të hekurt e të ftohtë. Fjalët janë shterpë, pasi erërat që fryjnë në pyje, janë dhe erërat që na bëjnë ne me pluhur. Po kështu, specifikat e kohës bien nëpër këto grimca të pajetë të njerëzimit.

“Dënimi dhe thirrja e dikujt të quajtur “idiot”, dhe përsosmëria e të gjitha dyshimeve djallëzore tashmë kanë një rrugëdalje.” Ishte Zëri i Parë.

“Biseda zbriti në gjuhë të shumicës duke sjellë bisedime për ndryshime reale”, ishte Zëri i Dytë.

“Dhe parashikimi i premtimeve paraprake të kauzës kaotike të mundshme, rrethanat janë për dëmshpërblim nga dilema e të burgosurit”, ishte Zëri i Tretë.

Si njeri i thjeshtë, pashë lidhjen e syve të skalitur të shqiponjës që u sillej ajrisht marrëzive të zhurmshme. Nga marrëzia sfilata shkonte tek marrja e butësisë përmes autografit të nënshkruar. Koka në re e la limuzinën time në gjysëm të udhës mes të ftohtës së hekurt, u ndala ti fus benzinë.

Dhe pashë nga ndalesa ime se aty të gjithë janë përtej rrugëve të personalizuara, të cilat janë të destinuara për një zyrtar që merr fatura nga xhepat e tua.

Droga juaj është nën sytë tuaj, dhe le të mos flasim për ideatorin bruto të kësaj teologjie të kuqe Alpine, që e bën gjysmën e shiut tonë në Atdhe, si gjuhësia e foljeve të theksuara në këtë ftohtësi të trupit.

“Neve na mungon gabimi gramatikor i mënyrave tona.”, ishte Zëri i Parë.

“Dhe ne vazhdojmë të shkruajmë në fletoret e gabuara.”, shtoi Zëri i Dytë.

“Kjo shkakton vetëvrasje. Studimi është si një borxh ndaj shoqërisë.”, përforcoi Zëri i Tretë.

Dënim? Dënim…?! Duart ishin të gatshme të dënoheshin duke kapur me përpëlitje të ftohtën në ngritje e sipër.

Dënim nga ndjekja e mëposhtme e snajperëve, që ju shikojnë me një shkëmbim të thjeshtë bashkëshortor midis një luftëtari dhe një ushtari nënujor. A nuk ishte kjo çështje e përsosur, frymëmarrje e rëndë në jetë, si djalë i rritur mes dhjamit të dy veshkave? Ndaj ne qamë kur kemi lindur, dhe e qeshura na vjen kur fryma të jetë zhdukur. Unë nuk do të flas deri sa të vdes, është vetëm një e folur që të çlirojë pasionet e tua vjershërore. Vjersha e vjetër presidenciale e presidencës presidenciale e dyshimit të arsyeshëm, këto janë fjalët e zjarrit (përkushtim i këndshëm). Ndërsa unë dëgjoj kohën time dhe poezinë që ju shkruani për vetë humorin tuaj dembel dhe kuriozitetin nervor. Kjo është arsyeja pse ata rimojnë, dhe krijohet mundësia, sepse koha juaj është një epokë.

Zelli ishte gjithandej…

Sepse, në kohën e tanishme më pëlqen të përmbahem në metra dhe jam i përfjetur në humbjen time për fjalë nga akulli i jetës së ndezur me tritot e doktrinave të pavërteta për këtë jetë në plot me profesionin e përcaktuar të dashurisë, që thjesht bëhet i papërcaktuar duke na treguar se si jemi vërtet. Kështu përshkruam zakonisht Këndin Letrar, Rrethet Jashtëshkollore, xhepat e thërrmimeve po bien ende në vjersha për trinomin.

Poetët e tjerë mbetën me një filxhan çaj gjysmë të zbrazët.

Në tabaka, bashë me filxhanët e çajit, kishte zbritur vetë rruga. Ajo me vete kishte natyrën dhe paqen e fenerave të modus operandi të brohoritjes së madhe piramidale.

Kishte ca të vërteta në marshimin protestues që më zgjoi 1997-ta. Por, kuptova nevojën e një personi para çajit dhe e kalova fenë time për këtë bindje poetike të brohoritjes për lirinë e parasë, poezisë, propogandës, popullit, petllave, puplave dhe të gjithave që fillojnë me p…

për jetën e drejtë me shpirtëra të ngjashëm këtu në depozitimin e preferuar të shkrimeve të shkruara, “Rroftë Madhëria e saj P…!”

“Kjo është Errësira për ta luftuar atë me errësirën në bibliotekën e përgjumur të njohurive njerëzore në vëllazërimin metalik me njohuri të kudondodhura,” ishte Zëri i Parë.

“Epifania shpresëdhënëse shërohet nga gjunjëzimi i thellë në gju, dhe buka që ndamë me nënat tona ishte dashuria e tyre që të ndajmë kafshatën mes nesh…”, ishte Zëri i Dytë.

“Unë bëj Abstenim…Abstenoj!”, ishte Zëri i Tretë.

Shpresoj, se kjo po krijon njëfarë ëndrre, më pëlqejnë poezitë e gjata dhe ndjej për shkencën që prek rrjedhat e personit pranë jush me të njëjtën ADN, dhe manipulon informacionin njësoj si ju.

Kjo më mban të interesuar. Dhe pastaj vargjet vijnë nga personi që ende është i pastër aty brenda, po aq edhe nga adoleshenti i parakohshëm që mbeti tek ty, edhe pse ishte pak i qaramantë.

Kjo duhet të flasë. Kjo është arsyeja pse Hajku u ngrit për Japoninë e epokës Edo? Ju vendosët që njerëzit të lexojnë për ishullin përtej tokës së dyshimit dhe eksplorimit, dhe vargu me rrjedhë të lirë është i lidhur me mendimin e qetë të filozofisë?

Dhe vitet 1600 të periudhës së Rilindjes kishin njëfarë thjeshtësie në komplekset bukuroshe të fjalës. Zot i fuqishëm ilirian në pemët me krahët e gjera në krahinën tënde të bukur, duke kënduar këngën për kohën e jetës. E kemi kënduar ndonjëherë? E kemi pasur ndonjëherë? E kemi harruar ndonjëherë?

Spontanitet jetësor ka. Ka sepse është edhe tek fëmijët nënpeshë në luginën ku mbaron harresa dhe kujtesa e jetës dhe rrjedhës. Aty ku përditë vazhdon zbrazja. Një këngë për mbijetesën mungesë-izuese të mbjelljes dhe mbirjes.

Gjëja që duhet të kërkoj nga ju, është se sa ju pëlqen filozofia dhe jeta, dhe ju sa herë ju bie në dorë një poezi për Atdheun tim, sa respekt ka mbetur?

Ekzistencialisht, unë jam në një vend që është metaforikisht i gjallë.

“Jeta dhe feja dhe qendra e vëmendjes prishet kur një fjalë e folur ka hijet e muzikës metaforike të Zotit të përjetësuar në baladë.” U shestua fjala nga Zëri i Parë.

“Poezia është vetëm një ese për këngën.” Shtroja erdhi nga Zëri i Dytë.

“Mos e shkruaj dy herë, je i trishtuar dhe i mbaruar.” PërfundoiZëri i Tretë.

Është mirë, unë jam në errësirën në anën e rrugës, ndërsa duart e mia vazhdojnë të mos binden të kapin të ftohtën e hekurit që mban në këmbë shtriqjen e trupit tim, aty ku truri trazohet në zhurmësi të ndjeshme…


60 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page