Kopi Kyçyku
(Përsiatje e një ish-ateisti)
Deus ex machina (latinisht) përkthehet: “Zoti që zbret nga një makinë”. Kjo shprehje në teatrin antik tregonte Perëndinë që, teksa zbriste papritmas nga lart me anën e një mekanizmi, shuante një konflikt, gjë që nuk mund ta bënin dot protagonistët - njerëz në skenë. Në kuptim më të gjerë sot kjo flet për “dikë apo një ngjarje që zgjidh papritur situata tepër të ndërlikuara, duke i mbyllur me fund të lumtur”. Këtë dhunti njerëzve ua fal vetëm Zoti.
Zotin e nënën i kujtojmë vetëm kur kemi hall, por duhet t’i kujtojmë gjithmonë, që të mos ankohemi: “Pse nuk po më ndihmon Zoti?”
Në rastin më të mirë jemi si milingona në një kulaç: aty lindemi, aty ushqehemi, aty jetojmë e aty vdesim, pa e marrë vesh se kush dhe kur e gatoi kulaçin, pra Tokën!
Nuk më është hequr nga mendja për asnjë çast shkatërrimi që i bëri botës shpirtërore shqiptare regjimi i kaluar: kisha, xhami, teqe e faltore të tjera u rrafshuan. Qëllimi: duke mos e përfytyruar dot si ishte një objekt kulti, brezat e rinj do të besonin se Zot në qiell e në tokë ishte partia. Kështu synohej të përjetësohej diktatura.
Nëse me shumë aspekte të doktrinës komuniste isha dakord, me guximin e çartur për t’i shpallur luftë Zotit nuk mund të pajtohesha kurrsesi. Isha rritur në gjirin e një familjeje besimtarësh (jo praktikantë!), të edukuar me frikën nga Perëndia. Kisha lexuar edhe për fizikanin nobelist italian Gulielmo Markoni (1874 -1937), i cili e shpiku radion në një kohë kur në Itali zotëronte një rrymë e fortë ateiste. Gazetari që e intervistoi Markonin, e pyeti qortueshëm: “Si shpjegohet që një shpikje kaq të mrekullueshme ia dedikoni një fuqie të mbinatyrshme, apo Perëndisë, siç e quani ju dhe që nuk ekziston?”. Duke mbajtur në dorë mikrofonin në trajtë katërkëndëshi, Markoni iu përgjigj: “E shihni këtë kuti, që e ka emrin mikrofon? Është prej ebaniti, pra nuk ka shpirt. Por, tani që po flas, komunikon me qindramijëra, me miliona shpirtra. Po kjo kutia ime (dhe tregoi kokën e vet), që i dha shpirt kësaj kutie pa shpirt, a nuk komunikon me një kuti tjetër, të epërme?”. Pasoi heshtja.
Më 9 shtator 1972 pësova një aksident të rëndë në minierën e hekur-nikelit në Çervenakë, ku isha duke bërë stazhin e kandidatit të partisë. As qorr isha, as budalla, as jeta m’u mërzit e as ndonjë trimëri s’bëra, por në punë e sipër, pasi m’u fik llampa e karbitit, u ndodha pranë vdekjes, duke u rrëzuar në një thellësi të madhe. . Shpëtova në mënyrë krejt të pashpjegueshme, pas dyzet e pesë minutash pa ndjenja! Minatorët me përvojë u shprehën me habi: “Edhe njëqind vetë, edhe sikur t’u bënim dritë, nuk do të shpëtonin!”. Kush mund ta bënte një mrekulli të tillë, përveç Zotit?
Në verën e vitit 1981, kur punoja në Ministrinë e Punëve të Jashtme, pasi ministri Nesti Nase iu përgjigj pozitivisht kërkesës së profesorëve Aleks Buda dhe Stefanaq Pollo që të shkëputesha nga puna dy muaj për të shkruar një monografi për Mustafa Qemal Ataturkun, me rastin e 100-Vjetorit të lindjes së tij, më sajuan një intrigë. Synimi ishte të më shkarkonin nga detyra e shefit të sektorit, për të vënë dikë me lidhje të ngushta në sferat e larta. Vazhduan dy muaj ankth e frikë. Natën sidomos kaloja nëpër kriza të papërfytyrueshme. Kokulur, megjithëse fajtor pa faj, çapitesha strehëve e rrugicave, i braktisur nga shokët, miqtë e të afërmit. Kisha dëgjuar se një grusht me tableta luminali të çonte pa zor e pa dhembje në botën e përtejme. Kështu kish ndodhur me Bato Karafilin, ish-sekretar i Komitetit të Partisë të Ministrisë së Punëve të Brendshme: qe ngrysur e s’qe gdhirë. Bleva edhe unë një sasi të mjaftueshme luminali dhe në mesnatë, pasi lexoja letrën-amanet që kisha shkruar, u gatita të gëlltisja tabletat “qetësuese”. Herën e tretë sa s’i kapërdiva, por i nxora me shpejtësi dhe e shplava gojën me ujë të bollshëm sepse terrin e trurit ma ndriçoi sakaq një “llampë” e sapondezur: po t’i jap fund jetës, jo vetëm do të kënaqeshin shpifësit, por edhe do të kishin “të drejtën” të thoshin: “Vrau veten se ishte fajtor”. U binda se sërish ishte pikërisht Zoti që më shpëtoi. Pò Zoti ishte Ai që ua errësoi logjikën keqdashësve duke i frenuar të më bënin një shpifje më të tmerrshme përmes futjes në gojë të ndonjë gabimi të rëndë politik nga ato që as më kishin shkuar ndërmend. Kështu e shpjegoj “lajthitjen”e atyre qënieve të etura për të sajuar të keqen atje ku nuk ishte. Në fakt provuan ta bënin këtë me dëshmitarë të rremë, por ishte vonë!
Comments