top of page

Delo Isufi: Në Kongresin e Dytë të Shkrimtarëve dhe Poetëve

ree

Pata nderin që të jem i ftuar (individualisht) dhe të marrë pjesë në Kongresin e Dytë të Shkrimtarve dhe Poetve (World Organization of Writers (WOW), që i zhvilloi punimet në Moskë më datat 20 dhe 21 Shtator të këtij viti.

Dua të falenderoj organizatorët e këtij eventi kaq të rëndësishëm zonjën Margarita Al dhe zotin Eldar Akhadov.

Në këtë Kongres ishin të ftuar poetë nga 62 shtete të botës. Dua të vë në dukje se që nga pritja në aeroportet e Moskës (unë zbrita në aeroportin Vnukovo), gjatë kohës së zhvillimit të punimeve e deri në largimin nga Moska na shoqëruan studentë vullnetarë. Akomodimi i të gjithë asamblistëve ishte në mënyrë të shkëlqyer, një organizim i përsosur.

Kongresi i zhvilloi punimet me sloganin frymëzues “We are People of the Same Planet”. Kjo u shkrua edhe në gjuhën shqipe “Ne jemi njerëz të të njëjtit planet”.

Kongresi i zhvilloi punimet në shtatë tryeza të rrumbullakëta paralele. Secila prej tyre shqyrtoi aspektet më të rëndësishme të kulturës letrare globale.


ree

Tryeza e parë e rrumbullakët u përqëndrua në rolin e komuniteteve të shkrimtarëve në formësimin e axhendës kulturore dhe humaniste, ndërsa e dyta në artin e përkthimit si një praktikë e ruajtjes dhe përhapjes së kuptimeve. Pjesëmarrësit e tryezës së tretë të rrumbullakët diskutuan rolin e platformave mediatike në promovimin e letërsisë. Tema e tryezës së katërt të rrumbullakët ishte arsimi dhe universitetet: letërsia si një vektor i zhvillimit njerëzor. E pesta bashkoi shkrimtarët e rinj dhe u përqendrua në mbështetjen e një brezi të ri autorësh si një investim në të ardhmen. Platforma e gjashtë: panaire librash, festivale, shtëpi botuese - kultura letrare si një hapësirë ndërveprimi, dhe së fundmi, tryeza e shtatë e rrumbullakët trajtoi temën e dramës dhe kinematografisë.

Secila prej tryezave të rrumbullakta, kishte tetë deri dhjetë nëntema që lidheshin me temën kryesore.

Unë parazgjodha që të jemë pjesëmarrës në tryezën e dytë me temë “Arti i përkthimit: Fjala si pikë kryqëzimi e kulturave”.

Tema që unë trajtova në këtë Kongres ishte “ Çfarë humbet dhe çfarë fitohet në përkthim?” Tema me shkrim ishte e limituar jo më shumë se katër minuta. Por gjatë diskutimeve dhe rrahjaes së mendimeve në tryezën e rrumbullakët na u la hapsirë që të diskutonim e debatonim më gjerë rreth temës së përzgjedhur dhe temave apo referateve të mbajtuara nga kolegët e tjerë poetë pasi temat e raporteve të tryezës nr.2 ishin dhjetë.

1. Çfarë humbet dhe çfarë fitohet në përkthim?

2. Konteksti kulturor dhe etik.

3. Përkthyes si bashkautor.

4. Shkollat kombëtare të përkthimit.

5. Përkthimi automatik dhe fjala e gjallë.

6. Përgjegjësia për cilësinë e përkthimit semantik.

7. Programet e mbështetjes së përkthimit.

8. Përkthimi si një formë e "diplomacisë së shkrimtarit".

9. Dialogu ndërkulturor përmes përkthimit.

10. Krijimi i një rrjeti të unifikuar përkthimi WOW.

Ishte një experience shumë e vyerë. Të gjithë referuesit trajtuan vlerat e përkthimit të poezive si një urë lidhëse midis kulturave ndërgjuhësore e miqësisë ndërmjet popujve të këtij planeti.

Diskutimet dhe referimet u mbajtën kryesisht në gjuhën angleze dhe rusisht, ndërsa ndokush që nuk i fliste këto gjuhë referonte në një nga gjuhët e OKB-së.

Ndonëse oraret e programit ishin shumë të përpikta, kohët ndërmjetëse të pushimit ishin shumë argëtuese e çlodhëse.

Në Kongres, perveç poetve, kishte edhe shumë të ftuar të tjerë si dhe plot gazetarë e fotoreporterë.

Pas përfundimit të punimeve u dhanë koncerte me këngë e valle.

Ishte një organizim madhështor ku tregoi se letërsia është një urë lidhëse e bashkimi midis popujve të këtij palneti.

Përgëzoj edhe një herë dy drejtuesi kryesor të këtij eventi zonjën Margarita Al dhe zotin Eldar Akhadov.

Ja edhe referimi im në këtë Kongres.

Disa mendime rreth përkthimit të poezive

Përkthimi i një poezie nga një gjuhë në tjetrën është një nga sfidat më komplekse të përkthimit letrar, sepse poezia nuk është thjesht komunikim kuptimor, por një ndërthurje e formës, ritmit, tingullit dhe emocioneve. Në këtë proces ka elementë që humbin dhe elementë që mund të fittohen.

Mendoj se të pëkthesh një poezi, duhet së pari të jesh poet i gjuhes në të cilën përkthehet poezia, duhet të njohësh mirë konceptin, mendimin dhe mesazhin që përcjell autori.

Zakonisht në përkthimin e një poezi mund të humbas ritmi dhe muzikaliteti i vargut kur është me rime. Pasi poezia është tingull, rimë, ritëm, melodi.

Kulturat midis popujve janë të ndryshme dhe, kërkohet një përkudejse e madhe për ta përshtatur në gjuhën që përkthehet poezia.

Figurat stilistike, metaforat, alternacionet që mund të jenë të lidhura ngushtë me gjuhën burimore dhe kulturën, në përkthim mundet që mos jenë në lartësinë e duhur, ose jo shumë të arrira.

Metaforat, lojërat me fjalë, alteracionet mund të jenë të lidhura ngushtë me gjuhën burimore dhe kulturën e vendit nga është autori. Këto kërkojnë njohuri të thella në gjuhën pritëse dhe përqasje sa më origjinale.

Në kulturat e popujve të ndryshëm ka shprehje apo figura letrare, “simbole” që personifiokjnë paqen, dashurine, bukurine- si zogj, lule, pemë e hyjni që në kulturën e një populli tjetër nuk tingëllojnë këndshëm.

Po jap dy tre-raste të thjeshta ku fjalë apo figura letrare të përdorura në poezi të huaja, në gjuhën shqipe, nuk tingëllojnë mirë.

Përshembull. Në një poezi të Viktor Hygoit, përdoren fjalët “ Lule shqope” (Un bouquet de houx vert et de bruyère en fleur.) fjala “bruyère” në gjuhën shqipe nuk tingëllon mire. Duke qënë se druri i Shqopes është i fort në punim, në zhargonin popullor për një person që ështe jo shumë i përpunuar thuhet me ironi “Ai është kokë shqope”.

Po ashtu, disa popuj këngën e shpendit te qyqes e kanë symbol melodie, ndërsa në gjuhën shqipe, kënga e qyqes sjell fatkeqësi, po këndoi qyqja mbi çati, paralajmëron vdekjen. Ja një varg “Try the way a cuckoo’s soothing trill” . Në gjuhën shqipe do të përkthehej : “Provoni të dëgjoni këngë të bukura e cicërima”.

Pra, lind pyetja retorike nëse në këto raste kemi humbje apo fitim në përkthim ?!

Çfarë mund të fitohet në përkthimin e një poezie të huaj?

Përkthyesi mund të pasurojë tekstin me nuanca të gjuhës pritëse, duke i dhënë poemës jetë të re.

Mendoj që arrijtja më e madhe e një poezie të përkthyer në një gjuhë tjetër është që autori të vijë në gjuhën e përkthyer me vlerat dhe fuqin e tij letraro-artistike.

Përkthimi mund ta bëjë poezinë më të kuptueshme për lexuesin e ri, duke i dhënë një qasje më të afërt me kulturën e tij.

Një përkthim i mirë shpesh është një “ribotim poetik”, ku përkthyesi bëhet bashkautor, duke sjellë bukuri të reja që ndoshta nuk ekzistonin në original por vlera e poezisë mbetet po e njëjtë.

Nëse një poezi që do përkthehet e ka rimën A/B/A/B; A/A/B/B, A/B/B/A, është më se e domosdoshme që në përkthim të ruhet kjo rimë.

Në gjuhën shqipe janë përkthyer shumë poezi nga autor të huaj si Rusë, Francezë, Amerikolatinë, Italianë, Grekë, Indianë e nga shumë gjuhë e vende të botës. Dua të permend, Pushkinin, Eseninin, Lermeontovin, Pol Eluar, Pol Verlen, Pablo Neruda, Voktor Hygo etj. Pa frike do të themë se nëse Pushkini do ishte gjallë e do të dinte shqip, po t’i lexonte poezitë e tij në gjuhën shqipe, do t’i recitonte ato.

Përfundim: Përkthimi i poezisë nuk është thjesht transferim i fjalëve, por ripërjetim estetik. Ai është gjithmonë kompromis mes besnikërisë ndaj origjinalit dhe shijes poetike që kërkon gjuha pritëse. Përkthyesi duhet të të ruajë formën apo ndjenjën, tingullin apo kuptimin e poezisë që përkthen.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page