top of page

DELEGATI FIERAK NE KONGRESIN E LUSHNJES DHE FATI I TIJ TRAGJIK


Nuri Plaku

Në pragun e mbajtjes së Kongresit të Lushnjes, Fieri si qytet i ri e në zhvillim, e kishte formuar bërthamën intelektuale të kohës e cila përfaqësohej nga Vrionën, Xoxët e Kilicët. Këtu përfshiheshin edhe vëllezërit, Bektash e Hajredin Cakrani të cilët kishin ndikim të fuqishëm në opinionin e gjerë popullor. Por pavarësish kësaj, në zgjedhjen e delegatëve për në Kongresin e Lushnjes, në parinë fierake, pati një ngërç të dukshëm që vinte si shkak i angazhimit të Sami bej Vrionit në qeverinë e Durrësit i cili mbante postin e ministrit të Punëve Botore, Bujqësisë e Tregëtisë. Ndërsa Kryetari i Përlimtarisë Qemal Vrioni nuk e mori mandatin e përfaqësimit, pasi vetë ai së bashku me Loni Xoxënkishin qenë delegatë në Kongresin e Durrësit. Për herë të parë Fieri përfaqësohej në një kongres vetëm me një delegat, kur dihet se kërkesa e Komitetit organizativ ishte për dy të tillë. Bektash Cakrani ishte gjithashtu përfaqësues i vetëm i Mallakastrës, ndërkohë kur i vëllai, Hajredin Cakrani së bashku me Kamber Belishovën e kishin përfaqësuar këtë krahinë në Kongresin e Durrësit. Këto element janë tregues domethënës se elita fierake, në relacionin midis dy kongreseve, ka mbajtur një qendrim të hijezuar ndaj atij të Lushnjes. Vetëm vonë në periudhën e kristalizimit të rrjedhës historike të ngjarjeve post kongresiste, në zgjedhjet 21 prillit 1921, Qemal Vrioni zuri vendin e deputetit në Parlamentin shqiptar.

SPIRO PAPA - DELEGATI FIERAK NE KONGRESIN E LUSHNJES DHE FATI I TIJ TRAGJIK

Përkundër këtij qendrimi, masat e gjera popullore, shprehën që në fillim mbështetjen e tyre të plotë e të fuqishme ndaj Kongresit të Lushnjes. Kjo ishte shenjë e vullnetit dhe ndjenjës së thellë patriotike që demostronin fierkët në periudhën e nxetë të shtetformimit të vendit. Rreth 500 forca vullnetare të mobilizuara e të udhëhequra nga patrioti Hysni Toska u pozicionuan në Urën e Hasan Beut, e së bashku me forcat e Veis Sevranit, rrinin në gadishmëri të plotë për tu hedhur në sulm nga çasti në çast në mbrojtje të kongresit.

Gjithsesi elita fierake pavarësisht qendrimit të saj të hijezuar, bëri një zgjedhje përfaqësimi mjaft dinjitoze. Ajo vendosi të shkohej në Kongresin e Lushnjes me një figurë të re e të veçantë, krejtësisht të panjohur më parë e të paangazhuar në asnjë nga ngjarjet e mëparshme politike. Ky ishte Spiro Papa. Zgjedhja e Papës ishte aq e përshtatshme sa mjafton të përmendim faktin se ai, ishte i pari dhe i vetmi fierak që kishte mbaruar në mënyrë të kompletuar studimet e larta universitare.

Spiro Koli Papa u lind në Fier në lagjen “Pasha” në vitin 1886 në një familje me origjinë voskopojare. Shkollën e mesme e kreu në liceun rumun në Manastir ndërsa studimet universitare i kreu në Bukuresht, në fakultetin e jurisprudencës. Pas diplomimit në vitin 1905 emigroi në SH.B.A, ku qendroi deri në mbarim të Luftës Parë Botërore. Gjatë kësaj periudhe, krahas punës mbaroi edhe studime plotësuese në Universitetin Berkli në Kaliforni. Gjatë vitit 1919 u mor me aktivitet tregëtar në qytetin e lindjes dhe me zgjedhjen e tij si delegat i Fierit në Kongresin e Lushnjes, për Papën filloi kariera e gjatë dhe e suksesshme politike.

Me Spiro Papën Kongresi pati një delegate me performancë të re intelektuale. Njohuritë e thella që kishte marrë nga studimet e kryera, edukimi qytetar në qendra të njohura si: Manastir, Bukuresht e Kaliforni, gjuhët e shumta që zotëronte si anglisht, rumanisht, greqisht, italisht e frëngjisht, e bënin atë një përfaqësues të një brezi të ri të shqiptarëve që rrezatonte kulturë perëndimore.

Deri tashmë, përfaqësuesit fierak pjsëmarrës në ngjarjet më të rëndësishme të kohës si në Kuvendin e Sinjës mbajtur më 23 korrik 1912, Kuvendin e Fierit mbajtur më 10 gusht të po këtij viti, delegatët e shpalljes së Pavarësisë apo edhe ata të Kongresit të Durrësit, vinin nga kultura lindore dhe marrëdhëniet historike që kishin trajtuar ata, rridhnin nëpër shtratin e njohur patriotik përfaqësuar me lider që vinin nga administrata dhe mendësia e Perandorisë Osmane. Për Fierin e atyre viteve kemi një realitet shoqëror të veçantë, ku individ të tillë si Spiro Papa po shfaqeshin si protagonistët e klasës së re të sapo lindur, borgjezisë tregëtare.

Papa i përkiste ndërkohë edhe shtresimit të intelektualëve që do hynin në historinë e politikës shqiptare me një frymë të re properëndimore, veçanërisht proamerikane. Pikërisht te ky relacion duhet parë edhe kontigjenti i ri i politikanëve shqiptar të viteve ‘20 shek. kaluar të cilët fillojnë të shfaqen që me Kongresin e Lushnjes e që do ndikonin mjaftë në krijimin e profilit perëndimor të vendit tonë përgjatë Mbretërisë Shqiptare.

Gjatë punimeve të Kongresit të Lushnjes, Spiro Papa u angazhua në grupin e punës për hartimin e akteve juridike të Statutit. Nga Kongresi, Papa u nominua gjithashtu në Këshillin Kombëtar.

Në periudhën e parë të aktivitetit të tij, Këshilli Kombëtar hasi pengesa e vështirësi në normalitetin e punimeve, për shkak të mungesave të theksuara të këshilltarëve dhe të abandonimit të tij nga një pjesë e tyre. Më 24 nëntor 1920 Spiro Papa figuron në grupin e 18 deputetëve që nënshkruan deklaratën e shpërndarjes së lëgjislativit duke argumentuar këtë akt me dorëheqjen apo mospjesëmarrjen në mbledhje të 4 deputetëve të Korcës, grupit të Matit, Dibrës, të Visarion Xhuvanit e të Kol Thacit.

Në zgjedhjet e 21 prillit 1921 Papa u mandatua sërish si përfaqësues i Fierit në Këshillin Kombëtar. Me krijimin e partive ai u radhit në partinë Popullore.

Jeta politike e Spiro Papës vazhdoi deri në vitin 1932, për 12 vjet pa shkëputje që nga Kongresi i Lushnjes.

Gjatë kësaj periudhe ai krijoi një emër të nderuar në radhët e ligjvënësve shqiptar. Duke pasur një kulturë të gjerë juridike Papa operonte në diskutimet e tij, duke e ballafaquar legjislacionin shqiptar me atë të huaj, ç’ka ndikonte jo vetëm në efektivitetin e ligjit, por edhe në frymën properëndimore të tij. Në një debat për të drejtat e bujkut në një nga seancat plenare të qershorit të vitit 1921, Papa kërkoi të ndryshohej kanunorja, “... pasi ajo që kemi në veprim, - thoshte ai, - shkakton abuzim mbi kurrizin e bujkut, ndaj lypset me i ba një revizjon”. Më tej ai spiegonte se ishte e domosdoshme që ky ndryshim të bëhej veçanërisht në raport me pasurinë e shtetit. Ndryshimi duhej bër edhe për unifikimin ligjor të vendit, pasi në këtë periudhë, në Korçë vepronte kanunorja franceze e cila e mbronte bujkun nga sistemi i taksimit, ndërsa diku gjetkë, vepronte kanunorja otomane e cila e dëmtonte atë nga pikëpamja ekonomike. Konkretisht ai doli me propozimin, të hiqej e dhjeta mbi pjergullat dhe pemët e tjera frutore e të merrej vetëm nga prodhimet e arave.

Një nyje tjetër e kanunores që diskriminonte bujkun e që duhej rinovuar ishte edhe detyrimi për angarinë. Një fshatar detyrohej të punonte 10 ditë por së bashku me kafshën e punës i vinte detyrimi suplementar. Ndërkohë një qytetari i kërkohej vetëm 10 ditë punë. “Ku është drejtësia ligjore midis nënshtetasit tanë? – pyeste ai.”

Ali Këlcyra e konsideronte këtë propozim të Papës si “prekje të plagës sociale e shtetërore e cila kërkonte reform prej themeli.”

Në vitin 1922 ai hartoi një projekt për ndryshimet ligjore mbi tagrin doganor për të krijuar ekuilibër midis import - eksportit “duke vendosur taksa të rënda mallrave që importohen por që mund të fabrikohen në vend.”

Në debatet e shumta që zhvilloheshin midis deputetëve vihej re edhe ndarja klasore midis tyre. “Bejlerët vijn të parët,-ironizone Noli në vitin 1922, - oratorët vijnë të dytët”. Pikërisht në këtë kategori të oratorëve, ashtu si Fan Noli, futej edhe Spiro Papa.

Më 21 Janar 1924, Papa u zgjodh sërish përfaqësues i Fierit në Kuvendin Kushtetues dhe më 2 mars 1925, së bashku me Sami Vrionin u zgjodh senator. Ndërsa në votimet e Senatit, u zgjodh sekretar i kësaj dhome me kryetar Pandeli Evangjelin.

Jeta parlamentare në senat, për Spiro Papën ishte mjaft aktive. Me propozimet dhe sugjerimet e tij, jan bër korigjime e ndryshime të shumta në legjislacionin e kohës. I tillë ishte ligji për doganat, importin e drithrave e sidomos për koncensionet. Në historinë e viteve të para të parlamentarizmit shqiptar do të mbetet i paharruar debati i tij në mbrojtje të Kol Boriçit, zbuluesit të minierës së bakrit në veri të vendit,i cili për arësye financiare nuk mund ta shfrytëzonte atë. Spiro Papa kërkonte me insistim që Boriçit t’i ktheheshin shpenzimet e bëra. “Ligjet e shteteve të tjera si Rumania apo Turqia do tja kishin njohur të drejtën e shpenzimev, - thotë ai, - Ky është i vetmi shqiptar që ka bër aq sakrifica dhe ka zbuluar një minierë.” Debati zhvillohet me përfaqësuesin e qeverisë Musa Jukën, Ministër i Punëve Botore e Bujqësisë, i cili këmbëngulte që kjo mundësi nuk përfshihej në ligj.

- Kjo kërkohet, se mungon në legjislacionin shqiptar, - këmbëngulte Papa, - Kjo na shtrëngon të plotësojmë të metat e ligjës!

“Iluzioni i popullit shqiptar, - thoshte Noli, - është që ky parlament do të ketë një frymë oksidentale.”Pikërisht këtë frymë oksidentale dha edhe Spiro Papa në vitet e para të parlamentit shqiptar.

Në përpjekjet e qeverisë shqiptare për autoqefalinë e kishës sonë, Spiro Papa ka qenë pjesëmarrës në komisionin e bisedimeve midis palës shqiptare dhe Patriarkanës së Stambollit.

Në raport me Mbretin Zog, Papa ka qen kritik dhe kjo u bë shkak që ai të zëvendësohej në vitin 1932 me Zoi Xoxen.

Në vitin 1935 mori pjesë në Kryengritjen Antizogiste të Fierit dhe më 7 shtator të po këtij viti, u dënua me vdekje. Pas amnistisë, u mor me aktivitet tregëtar duke dhënë një kontribut të rëndësishëm edhe në jetën kulturore të qytetit. Me ndihmën e tij jan krijuar disa shoqëri sportive dhe artistike, jan zhvilluar aktivitete të ndryshme, madje ka sponsorizuar edhe botimin në Terni të Italisë të një siti kartolinash me pamje nga qyteti i Fierit.

Mbas vendosjes së regjimit diktatorial, Spiro Papa, ashtu si shumë patriot të tjerë, pati një histori të trishtë. Ai u arrestua dhe u torturua në qelitë e burgut nga oficerët e sigurimit, të kapur nga ethet e verdha të floririt dhe vdiq më 1947 në duartë e tyre. Për dhjetra vjet emri i tij ka qën i anatemuar e i harruar nga kujtesa publike e qytetit të Fierit. Vetëm në vitet e demokrcisë emri i tij u shfaq sërish në historinë e kombit shqiptar.

Në vitin 1995, Presidentii Republikës Z. Sali Berisha e ka dekoruar atë me urdhërin “Për veprimtari patriotike të Klasit të parë” me motivacion:”Për veprimtari të shquar patriotike në organizimin e mbarëvajtjen e punimeve të Kongresit Kombëtar të Lushnjes”.

Ndërsa Bashkia Fier, në vitin 2012, në kuadër të 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, e nderoi me titullin “Qytetar nderi i qytetit të Fierit”. Një rrugë e këtij qyteti mban gjithashtu emrin e tij.

Këto pak rreshta të kushtuara në kuadër të 100 vjetorit të Kongresit të Lushnjes, janë një homazh për emrin dhe veprën e këtij burri i cili dha aq shumë në jetën e brishtë të parlamentarizmit shqiptar dhe përjetoi prej diktaturës fatin më të kobshëm të një intelektuali; masakrimin fizik dhe anatemimin e emrit të tij nga kujtesa e historisë!

157 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page