DE RADA, HERODOTI…DHE GREKËT


Agim Shehu

Agim Shehu

DE RADA, HERODOTI…DHE GREKËT

Në shkollat e mesme na ka ecur e verbër një ‚padituri‘ lidhur me poemën «Milosao» të De Radës. Mësuesit tanë të letërsisë e kalonin si pa rëndësi. Të tillë ua përcollëm edhe ne nxënësve pasi na dukej një enigmë brënda së cilës nuk hynim dot ta spjegonim, dhe e kalonim si të vetëkuptueshme. Kurse ato vargje qenë një ndërhyrje e thellë shkencore e kombëtare në poemën gati hyjnore, ku lirizmi harmonizohej me lashtësi historie. Ato vargje që s’i kuptonim pse qenë futur aty, autori i vuri për t’i forcuar rrënjët një poeme të brishtë të një djali arbëresh 22 vjeçar që guxoi dha një poemë sa tokësore dhe qiellore.

Poema Milosao nis me vargjet tërë rezatim pranvere e vitalitet rinie: «Lis jeta kish ndëruar/. Ujë të ri në det/ kaltëronte në ditën e re…». Pastaj, befas vinë vargjet ‘problematikë’ si një ndërhyrje ardhur nga diku larg në kohë, dhjetra shekuj përpara, pa kuptuar si e pse : «Po lumbardha (‘e bardha e lumit’ - pëllumbi) e Anakreonit/ rronte në Tempullin e moçëm… ». Kështu nisin vargjet ardhur nga lashtësia e Anakreonit duke u harmonizuar në vazhdimësi të poemës me freski të ditës nga rinia e autorit dhe e jetës së fshatarëve të tij të Himarës ku zhvillohen ngjarjet. Poeti i ri qe i ndërgjegjshëm se nuk shkruante një poemë thjeshtë lirike me tinguj rinie të ditës. Për ta dhënë të plotë idenë e tij, poemën e vendoste mbi një shtrat lashtësie duke e ushqyer me rrënjët e historisë e mitologjisë.

Pëllumbat në lashtësi, disi të shenjtë, gjënden në shumë fantazira e legjenda. Herodoti shkruan: «Profeteshat e Orakullit të Dodonës thonë që dy pëllumbesha të zeza fluturuan që nga Teba në Egjipt; njëra fluturoi drejt Libisë, tjetra erdhi aty në Dodonë. Kjo e fundit u ul mbi një lis dhe paskej thënë me zë njeriu se aty në Dodonë duhej ngritur një Orakull i Zeusit. Banorët e Dodonës e kuptuan se po dëgjonin një urdhër hyjnor dhe u bindën të bënin ç’u tha pëllumbesha….Kështu thoshnin priftëreshat e Dodonës nga të cilat më e vjetra quhej Promenia, e dyta – Temaret (Të Mirët e Tomorrit).» Ovidi romak flet me adhurim të tij për «Pëllumbat e Kaonisë (Labërisë)». Autori i ka parë me sy në fëmini këta pëllumba shekujsh mbi humnerën e fshatit ku ato fluturonin si harku i një baleti qiellor. Motra e tyre e madhe, shekuj më parë qe ‘Pëllumbi i Anakreonit’ te Milosao.

Qoftë kur e dëgjonim nga spjegimi i mësuesve tanë, qoftë kur ua spjegonim ne vetë nxënësve si mësues letërsie, pasi nuk thoshnim dot më shumë sqarime për kuptimin e tyre dhe futjen në poemë, i bënim pyetjen vetes – pse ta ketë futur këtë pjesë autori ? S’e gjenim dot, dhe kalonim tutje.

Lexova HERODOTIN (‘Historitë’) dhe me befasi të gëzueshme aty gjeta spjegimin e qartë. Kishim qënë të panjohur me Babain e Historisë, po ashtu qemë të cekët përballë gjeniut tonë të poezisë, De Radës. Ishim larg njohurive të tij edhe pse ai ahere qe siç thamë, një djalë arbëresh 22 vjeç. Duke prurë që në fillim të poemës Pëllumbin e Anakreonit i cili la Tempullin e moçëm dhe fluturoi erdhi te poeti i ri, ai poemës Milosao i vinte rrënjë të lashta Arbërie. Herodoti sqaron në veprën e tij për atë Tempull: «…arritën në luginën e Tempes te qafa që të çon në Maqedoninë e Poshtme për në Thesali…». Poeti i ri pohon se frymëzimi i tij qe i thellë e vinte nga një thellësi kohe antike. Nga një lashtësi të cilën ai e ndjente si pelazgo-ilire, pra jona si hapsirë e kohë. Pëllumbi i Anakreonit, posa ndjeu se poeti i ri po niste një poemë të një vlere të veçantë, la luginën e Tempës e u nis me bukuri të guximshme drejt tij për t’i ushqyer frymëzimin me magjinë e vet prej Anakreonti. Vinte nga një skaj te skaji tjetër pelazgo-ilir, nga Maqedonia e Traka në Himarë ku Milosao kish shtëpinë e fisme. Ardhjen e pëllumbit poeti e përshkruan se lumbardha e Anakreontit, posa ndjeu se bashkëkombasi i tij – poet i ri do niste poemën: «…Për ujë një ditë vate te mali/ e s’u kthye si e kish zakon/. Veç atë s’e thau bora/, s’e përgjaku akulli/ por u resht deri sa ra/ tek e bardha shtëpia ime». Pëllumbi i bardhë i poezisë çau hapsira e erdhi te shtëpia e bardhë e poetit ku sa kish nisur qëndisma e poemës. Qe një udhëtim nga një dhomë te dhoma tjetër e të njejtës shtëpi (një variant dijetarësh thonë se prejardhja e shqiptarëve është iliro-trake. Maqedonia e lashtë, po ashtu). Herodoti shkruan: „Popullsia e Trakës është më e madhja në botë, sigurisht përjashto Indinë“ E më tej, duke i ndarë nga Helladha siç qe e vërteta e kohës përcakton saktë kufijtë: „Thrakasit, skithët, persët, lidianët e pothuaj tërë popujt johelenë“. Nuk është e rastit që në poemën ‚Milosao‘ shqiptarët himariotë bënin lidhje me Selanikun. De Rada me kulturë të thellë dhe atdhetarizëm të shquar gjykon për këtë: «Kombi shqiptar i ka rrënjët që në lashtësi, te Aleksandri i Madh e Pirrua i Epirit». Vetë Pirro-Burri i Epirit duke vendosur dhurata nderimi te tempulli i Athinës, veten e emërton «Pirro Mollosi»…Dijetari i lashtë Pauzania thotë se Pirrua «edhe Zeusit të Dodonës i dhuroi mburojat e fituara të kundërshtarëve». Profetët e Dodonës qenë aq magjikë sa ciklet e hënës i lidhnin me gjakrjedhjen (menstruacionet) e grave. Prof. Ramond te «Ribashkimet» thotë: «Në kohët e lashta fetarët e Dodonës kishin aftësi të vendosnin lidhjen mes të gjallëve e të vdekurve...Atje vinin nga tërë anët e botës për t’u takuar me të dashurit e tyre të vdekur». Në një hall të grekëve, Pirrua i ndihmoi e Diodori i Siqelisë thotë : „Epirotët e kanë për gjë të madhe jo vetëm të luftojnë për atdheun e tyre por të japin jetën dhe për miqtë e farefisin». Tempullin e Dodonës, vatër pelazgo-ilire Homeri e quan ‘Zeusi Pelazgjik’ e Herodoti e quan orakullin më të lashtë. Akili pyet Dodonën për udhët dhe fatin e tij. Po ashtu më pas Enea e Virgjilit, siç shkruan Alikarnasi, zbriti në Butrint, në rrugën për në Dodonë, ku nga Orakulli mori miratimin për themelimin e Romës.» Vazhdimësisë epiro-shqiptare i vë vulën e vet Skënderbeu, në Letrën që i dërgon Princit të Tarantos, 31.X.1460: «Nëse kronika tona nuk gënjejnë, ne quhemi epirotë dhe duhet të keni dijeni se se të parët tanë në kohëra të tjera kaluan në vëndin që mbani ju sot e patën luftime të mëdha me romakët ». Dora D’Istria (Elena Gjika) plotson: «Të mos ketë më gegë as toskë, as çamë po vetëm shqiptarë, bij të denjë, të ecin si një trup i vetëm nën flamurin e Aleksandrit të Madh, Pirros e Skënderbeut» (sa qesharake e të mjerueshme dalin shtrembërimet grabitëse të fqinjëve shovenë mbi figura të tilla)! Dijetarët e lashtë objektivë thonë të vërtetën e këta sot, për të përligjur pushtimin e fqinjit, flasin ndryshe, kundër të parëve të tyre ! Jo kot Abdyl Frashëri, duke iu kundërvënë shovenëve grabitës dhe Europës zyrtare që i mbështeste, thoshte se ideologët mashtrues të fqinjit së pari e kanë keq me të parët e tyre pasi ata thonë të vërtetën kundër pasardhësve të vet. Cilësinë greke të grabitjes e thekson me kohë Herodoti. Për zakone e psikologji të lashta që u takojnë pelazgëve a egjiptianëve, befas ‘pronarë’ dalin helenët e për të tillët Herodoti thotë: «Këtë teori e kanë pranuar dhe disa helenë, kush më parë e kush më vonë, duke e paraqitur si të tyre. Unë ua di emrat por nuk do t’i shkruaj».

Këtu plotson dhe De Rada që në rininë e vet. Në vazhdën e ‘pëllumbit të Anakreonit…’ që nisi gëzueshëm fluturimin drejt tij posa mori vesh që i riu poet po shkruante poemën e Milosaos, e zgjeron dhe e thellon përkatësinë e kombit të vet me «Pellazgët Hyjnorë». Krijon kështu një studim të tërë mbi prejardhjen e shqiptarëve nga Pellazgët, një mrekulli më vete me bukuri hyjnore për rrënjët e kombit të tij. De Rada gjykon më tej, duke e lënëm detyrë shkence dhe atdhetarie për pasardhësit: «Dallojmë një fill të hollë i cili, megjithëse i këputur, lidhet, ndoshta në një bashkësi të lashtë » (për të ardhur keq, që në Veprën e Zgjedhur të tij, redaktori akademik J. B. në s’gaboj, nuk ia boton këtë studim si të pa vlerë për Akademinë tonë të mjerueshme). Është mbresëlënës ngjashmëria këtu, gati hyjnore me dy poetët brilantë, Naimit e De Radës. Te frymëzimi i Naimit për poemën Bagëti e Bujqësia vjen ‘Dallandyshja’: «…eni vjen prej Çamërie/ me këto milëra fjalë e me gluhë Perëndie»?! Ajo niste që nga hapsira çame në Thesproti. De Radës i vjen Dallandyshja (lumbardha), nisur ca më tutje, nga Maqedonia e Traka iliro-pelazge. Të dhënat De Rada sigurisht i kish nga studimet e thella me shtysën shkencore të atdhetarizmit të rrallë të tij, e në këto të dhëna hyjnë dhe studimet burimore të Herodotit. Për këtë e vlen të citojmë disa nga këto burime me rëndësi e bukuri të veçantë, të pakundërshtueshme.

Herodoti thotë qartë e shkoqur se grekët (helenë) kur erdhën aty ku janë, gjetën Pelazgët: «Kur pelazgët zotëronin atë që tani quhet Heladhë, athinasit u kthyen në pelazgë me emrin ‘kranaj’…» Më tej përforcon për priftëresha që u shfaqën dhe në Heladhë (Athinë): «…do t’u ketë qënë shitur thesprotëve të cilët e patën çuar në vëndin që tani quhet Heladhë (vënd që në atë kohë quhej ‘Pelazgji’)». Më tej shton: «Pelazgët nuk kanë emigruar kurrë, askund, ndërsa helenët ishin një racë që udhëtonte shumë…» (gjer në Dropull e Vurg më pas…). «Pelazgët flisnin një gjuhë johelene…popullsia atike, (duke qënë pelazge) duhet të ketë mësuar një gjuhë të re në kohën kur u kolonizua». 

Herodoti tregon një rast tepër mbresëlënës me bukuri mitologjie. Mbreti i Egjiptit, Psametiku, deshi të zbulonte prejardhjen rrënjëse të gjuhës që flisnin. Për këtë mori dy fëmijë të posalindur e ia dha një bariu t’i rriste të vetmuar, pa folur askush një fjalë para tyre. Bariu i futi në një kasolle tok me dhitë që i ushqenin në vetmi. Kur fëmijët mbaruan belbëzimin, befas fjala e parë që thanë ishte «bukos». Bariu s’iu përgjegj, megjithatë sa herë shkonte aty, ata thoshnin të njejtën fjalë. Ia tha mbretit ngjarjen. Ai pyeti më tej e i thanë se fjala ishte për ‘bukën’ që hanin dhe kjo gjuhë flitej gjer te brigasit (populli i ‘brigjeve’, kthyer në ‘frigjë’ më pas). Ku shtrihej njëri e tjetri e ku e shohim Shqipërinë, le të lëmë të flasin dijetarët jashtë Shqipërie. Studjuesi grek K. Stathos shkruan: „Edhe vetë Halkokondili, Skënderbeu apo Koroneas thonë shpesh ‘Maqedonia’ në vënd të emrit ‘Epir’ dhe ‘Arbëri’ apo ‘Maqedoni’ në vënd të emrit ‘Epir’ e ‘Arbëri’ ; apo ‘Maqedoni’ në vënd të ‘’Arbëri’ e ‘Epirotë’».

Plotëson në mënyrë të pakundërshtueshme vetë Enciklopedia e Madhe Greke vëll. 19, fq. 873: „Stërgjyshët e shqiptarëve të sotëm, pelazgët në kohët parahistorike kanë jetuar në pjesën më të madhe të botës që njihej asaj kohe duke zhvilluar një qytetërim shumë të rëndësishëm e duke ngritur vepra me vlerë të tejzakontë». Tepër monumentale dhe bindëse është harta e lashtë e Anaksimandrit e shek. 7 para Kr. Ajo jep tërë Ballkanin e sotëm të cilin e emërton me dy popujt e vetëm sundues, ILIRI dhe KAONI. Ballkani dikur quhej Siujdhesa Ilire. Por në sh. 19 kur nisën trazirat e kufijve të kombeve vendosën t‘ia heqin emërtimin ‚Ilir‘ e i vunë cilësimin turk ‚Ballkan‘ (turqisht do të thotë ‚Mal‘). Sigurisht falsikim historie me padrejtësi cinike mbi të parët e vëndit, pasi Europa zyrtare i kish vënë syrin prerjes së Shqipërisë dhe emërtimi ‚ilir‘ mbi të u nxirrte bojën hapur. Kori antishqiptar nisur nga Beogradi, Athina e Moska, para se të shajë shqiptarët se kërkojnë „Shqipërinë e Madhe“ duhet të mbarojnë punë polemike e t’u mbyllin gojën dijetarëve jashtë Shqipërie duke shkuar gjer 27 shekuj më parë me hartën e Anaksimandrit. Duhet të baltosin e të varrosin së pari ata. Meqë kjo është punë e vështirë, mbeten vetë për mëshirë.

Dëshmi më tej për kufijtë e Helladhës. Herodoti shkruan «Shtetet që morën pjesë në luftë (kundër persëve) kanë ardhur nga vënde që ndodhen nën anën Heladhe të Thesprotisë e të lumit Akeron, Ambrakia e Leukada». Pra, kish ‘Thesproti jashtë Helladhe, e aty përfshihen trojet e çamëve (gjiri i Ambrakisë etj). Edhe më mbresëlënëse gjer në habi, Flet për legjendën e themelimit të Maqedonisë-mbretëri, e te Argosi e te hapsira maqedone vë ilirët! «…Nga Argosi qenë arratisur në tokën e Ilirisë 3 vëllezër. Nga Iliria ata kaluan në Maqedoninë e Epërme…» Herodoti qëndron te një fjali orakulli, e sqaron se « Kjo u përkiste ilirëve dhe helenëve, jo persëve» (ilirët në kufi me Persinë përtej Helladhës). Pohimin se helenët (grekët) qenë ardhës te Pelazgët, Herodoti e dëshmon dhe me gjykimin bindës se themelet e mureve me gurë masivë ciklopikë të Akropolit i kishin bërë banorët e parë ‘hyjnorë’, Pelazgët (e dëshmon, sipas gjuhtarëve, dhe kuptimi shqip i emrit-A-kro-pol =A-kre-poll (kreu i qytetit). Të ardhurit helladhas i shtuan më lart zbukurime përmbi skicën e vëndasve të parë.

Më tej Herodoti shton me vërtetësi shkencore: «Emrat e thuajse të gjithë hyjnive…kanë prejardhje barbare…Mendoj se atyre ua kanë vënë emrat pellazgët…Helenët nuk e kanë mësuar prej egjiptianëve po prej pelazgëve gdhëndjen e shtatoreve të Hermesit… » «U këshilluan për këto emra me Orakullin e Dodonës që është orakulli më i lashtë i Heladhës, dhe ahere i vetmi. Pelazgët vëndas e pyetën nëse duhet t’i pranonin këto emra perëndish që u patën ardhur prej barbarëve. Orakulli u përgjegj se duhet t’i pranonin. Që ahere ata përdornin emrat e perëndive kur kryenin ritet e tyre, dhe helenët e kanë trashëguar këtë zakon prej barbarëve».

Helladhët e Atikës erdhën pra nga larg e u futën në trojet e lashta të pelazgëve. Kjo sigurisht pati kundërshtime dhe urrejtje të vëndasve. Pati dhe përplasje. Herodoti shënon dhe hollësira: «Sa herë që vajzat (e Helladhe) shkonin për ujë, pelazgët i fyenin me përçmim harbut…Athinasit i kishin dëbuar pelazgët nga Atika. Me të drejtë a pa të drejtë, këtë nuk mund ta them». Më tej historiani, kronikan i saktë e asnjanës, jep kundërpërgjigjen: «Pelazgët vendosën t’i vrisnin fëmijët që i kishin me gratë atike. Ashtu bënë, e shpesh bashkë me fëmijët masakruan dhe nënat e tyre…Bëma të tilla tmerri në Helladhë i quajnë ‘lemniane’, vënd ku banonin krejt pelazgët». (Në ishullin Lemnos, siç njofton Sami Frashëri dijetarët zbuluan një pllakë me fjalë pelazge: «FL FILIA FL - (flë bija, flë) ».

Në murin e Parlamentit grek rri e shënuar zyrtarisht shpifja. Pushtuesit prej saj të Shqipërisë në Luftën italo-greke i shet si ‚çlirimtarë‘, me të drejtën që ato vënde janë ‚greke‘ e Athina ka të drejtë t’i kërkojë. Aty rri shpallur për ushtarët grekë: „Këta dhanë jetën e tyre për mbrojtjen e qyteteve heleniste të Korçës, Kolonjës, Përmetit, Tepelemës, Gjirokastrës, Sarandës, Himarës“. Greqia zyrtare ka zakon që, duke qënë e ndërgjegjëshme për fytyrën e vet plot ligësi e mashtrime, sipër kësaj fytyre tanimë e njohur nga bota, të hedhë frazën ‚helene‘ huajtur nga antikiteti. Helenizmi nuk është ‚kombësi‘ por një frymë propagande bizantine. Teoricienët e saj e përcaktojnë : „Helenizmi është prania kudo e Greqisë, e gjuhës, kulturës, fesë ortodokse…“ Ky Helenizëm boton: „Himara – 3000 vjet helenizëm“. Qeveritarët shtojnë: “Himara e Vorio Epirit…tokë greke e paçliruar“. Shkurt ‚helenizëm‘ do të thotë greqizim i popullit tjetër të cilit i ka vënë syrin. Çabej e cilëson „aftësia e veçantë e grekëve për tjetërsimin dhe përvetësimin e kulturave të të tjerëve…Shqiptarëve duhet t’u kthehen vlerat e tyre kombëtare.“. Helenizmi i lashtë kish vlera qytetërimi, humanizmi e vëllazërie. Atë e nxiu duke e tjetërsuar Kisha Ortodokse në krye të Perandorisë Bizantine, e më tej, si shtet brënda shtetit Osman. Kundërshtimi i parimit se ‚çdo ortodoks është grek‘ lyhej me gjak. Shqiptarët fqinjë s’pajtoheshin me këtë frymë. Tek kishin në dorë, ata rezatuan dritë, miqësi e kulturë njerëzore. Është veçanërisht mbresëlënës gjykimi i De Radës se në kohët e reja, atje ku u shfaq: „Rilindja helenike zu fill nga një Pelazg, Ali Tepelena“. Për ata që habiten, citojmë dijetarin Bartholdy: „Ali Pasha shtypi Mesjetën dhe i hapi rrugë qytetërimit. Në Shqipëri e në Greqi duhet të ndërhynte despotizma e Aliut që këto vënde të kalonin në kohën e re“. Në ditët e tij u hap nga shqiptari i pasur Zosimea Gjimnazi iluminist me emrin e tij. Aliu ndërtoi kishë për të shoqen e vet e për të krishterët. Ai ushqeu fqinjësinë e çiltër e kapedanët e tij qenë prijës të Pavarësisë helenike…Por Kisha greke priste rastin që të zbatonte pabesinë vrasëse. Megali Idhea qe zyrtarizimi i krimeve zinxhir mbi fqinjin fisnik. Kollokotroni arvanit kërkoi që shteti grek në flamur të kish kryqin nga një anë dhe gjysmëhënën nga ana tjetër. E vranë. Kapedani i Aliut, Andruco kërkoi që Sulltanin ta luftonin bashkë të krishterë e myslimanë të Greqisë. U burgos e u mbyt (figura e njohur Manolis Glezos thotë se „Greqia është një shtet ku gjysma janë grekë e gjysma shqiptarë“). Kryeministri Kapodistria tha se ‚Janina banohet nga shqiptarë“ e u vra në kishë…

Për të përligjur prerjen e degëve të kombit tonë apo për t’i prerë më tej, lufta së pari bëhet te rrënjët, ta kthejnë Shqipërinë një bimë në sera ardhur nga diku, e me rrënjë të prera e merr më lehtë era. Të gjithë krenohen me të kaluarën; shqiptarët ndalohen se u varet mallkim sipër „Shqipëria e Madhe“! Sidoqoftë gëzohemi që kundër në tërësi kemi zyrtarët e me vete kemi dijetarët. E mbyllim me gjykimin e organit dinjitoz „Nouveau PetitLarousse“ v. 1950, fq.1599: «Në përgjithësi pranohet se Trakët e Lashtë,Frigët, Lidët, Etruskët, Epirotët, Ilirët, Italiotët dhe SHQIPTARËT E SOTËM janë degët kryesore të Pellazgëve“ (të gjithë të lashtë, vetëm Shqiptarët të sotëm). Për më tepër kur mpliksen dhe me fatin e Atdheut në shënjë, këto janë fusha të Akademisë. Mirëpo kjo jona, siç e gjykon me ironi prof. Rahmi Memushaj, në tërësi është „Akademi e qurrave“ pasi bëjnë debat se si duhet shkruar fjala, ‚qurra‘ apo ‚qyrra‘! (po kjo është temë tjetër).

Veprat si kjo e Herodotit hedhin dritë mbi të vërtetën duke i vënë në vënd ato që nga rrënja. Ato ndriçojnë dhe fytyrën e shpifësve e grabitësve të historisë. Historiani i Madh i lashtësisë që në fillim e hap veprën me synimin fisnik të tij, se ai shkroi që «bëmave të njerëzve të mos u fashitet kujtimi. Veprave të mëdha e të mrekullueshme si nga helenët dhe nga barbarët të mos u errësohet lavdia“. 


#agim #shehu

6 views

Shkrimet e fundit