top of page

Dashuria e mbyt dhimbjen


Bajame Hoxha-Çeliku

Kemi përpara një libër me poezi që të thërresin , a më mirë të themi të joshin t’i lexosh. Bajame Hoxha-Çeliku është natyrë poetike; tërë qënia e saj, në çastet e krijimit, jeton me drithërimën e poezisë, ndaj poezia e saj nuk na tingëllon e stisur, e kërkuar dhe e ftohtë. Siç mund të vihet re nga një lexim i vëmendshëm, poetja e përqëndron vëmendjen në kapjen e dramës që përjeton personazhi i poezisë, në dhënien sa më të natyrshme e të gjallë të saj, në zbërthimin e zbulimin e gjendjes shpirtërore zotëruese, në kapjen e zbulimin e një situate jetësore, në përdorimin e mjeteve shprehësë, duke u mbështetur kryesisht te metafora. Në shumë raste poezia e Bajames është vetë një metaforë domethënëse, e shprehur me forcë. Poetja e përqëndron vëmendjen veçanërisht në dhënien sa më të gjallë, sugjestionuese përjetimin e brendshëm emocional, të asaj drame që përjeton personazhi, si dhe në paraqitjen sa më të vetvetishme të situatës jetësore e poetike. Në këtë ndërthurje, realja ndërthuret me irealen, konkretja me abstrakten, fakti jetësor me metaforën, situate poetike me dramën dhe dhimbjen e jetës. Këtu thellë në shpirtin tim, është një gur që më rëndon, Dhemb e dhemb pa pushim, as kurkush dot se rrëzon… (“Guri”) Nuk besoj se këto vargje kanë nevojë për koment. Në mënyrë metaforike shprehen ndjenjat e poetes, dhimbja dhe drama e jetës së personazhit. Mund të themi pa drojë se e gjithë poezia e Bajame Hoxhës- Çelikut, është një plagë trëndafili, një dhimbje e sinqertë prej poeteje. Në këtë dhimbje të çiltër fshihet dashuria për jetën, për njerëzit me të cilët ne pasurojmë shpirtin. Eh, s'qenka bregu si atëherë kur ishe ti, Trishtueshëm përplaset vala e më brengos, Ta dish: unë s'qaj, por loti vet pikon për ty, Dhe pse ti s'je, dukesh se je afër dhe tani… (“Valë mbi valë”) Që titullin “Valë mbi valë”, spikat një krahasim apo një paralelizëm shumë domethënës e mbresëlënës. Ashtu siç përplaset vala e detit në breg, përplaset edhe vala e dashurisë në zemrën e personazhit të poetes. …Puthëm! Me mua ti puthu, Se shpirti s’më bie në gjumë, Kur vesa t’na lagë, ti ngutu Të gjesh thellësin’ e detit tek unë!... (“Puthëm”) Këto janë vargje poezishë që nuk fshihen nga kujtesa. Poetja ka arritur të jetë konçize, vetvetja, njerëzore, origjinale, duke na befasuar me gjendjet shpirtërore, me përfytërimet e imazhet. Në to duket e njëjta dorë, e njëjta thellësi psikologjike dhe i njëjti kujdes për fjalën e për vargun. Unë shoh se poetja e poezia e saj janë një. Shoh dhe ndjej se dashuria e mbyt dhimbjen. Lexim të këndshëm, i dashur lexues! Skënder Hasko, Shkrimtar

...

20 views0 comments

Commentaires


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page