top of page

DASHURI E VDEKUR




Çdo herë që niste shoqërimi ynë,

çdo herë që fshiheshim gjireve të largëta të detit,

shkëmbinjtë e nënujshëm të luftës së klasave

na e përmbysinin barkën e dashurisë.


Pranë teje zëra. Mbeturina të hedhura nga anijet.

Sanalle të nxjerra në tokë e të shpuara në kurriz

si dëshmi të netëve të stuhishme.


Kaq herë fati na nxori jashtë lundrimit,

si këta sanallë të gjymtuar pranë teje në kumin e lagur!

Nuk e di sa kohë, pastaj,

jam endur rrugëve të trishtimit

ku ndërtesat e netëve kërruseshin mbi mua

si një grumbull të verbërish të ngurrosur.


Përmes drurëve të shtrembëruar nga dhimbja

më shfaqej një mjegull e përgjakur.


Dukej sikur gjithë trungjet e drurëve ishin mbushur me

afishet

e dashurive të vdekura.

Pylli i nervave

kuiste

poshtë erërave të zemërimit.

A e kini parë ndonjëherë si diellin e zë hëna

dhe drita përpëlitet në asfalt si një qengj i therrur?

Ai qengj isha unë që përpëlitesha

në kërkim të asaj drite

që ca zyra të fshehta ma kyçnin

nëpër dosje të errëta.


Si do ta gjeja dritën time që të shikoja kohën jashtë

eklipsit?


Limjon, 1975-2011

10 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page