“Dalmatika” e kostumeve të Elbasanit


Fatmr Terziu: Para Muzeut Etnografik të Elbasanit

“Dalmatika” e kostumeve të Elbasanit

Prof. Dr. Fatmir Terziu

Që nga koha kur viti 168 do të sillte në skenë emrin “Vikus” e deri në kohën kur do të ngjizej emri “Skampa” historia flet me gjetje, kërkime, hulumtime dhe mjaft përkushtime. E në këtë armaturë historike, ku herë skeletohen kohërat, e herë kulturat, gjithnjë është gjuha e memorjes kulturore, që i bën njerëzit të kthejnë shpërqëndrimin e tyre në një pikë të domosdoshme për brezat. Dhe brezat presin të na dëgjojnë ne…

Mjaft studime, kërkime, burime etnografike kanë treguar, se ajo që njihet si këmisha e bardhë, linja, ajo pjesë domethënëse e veshjeve tradicionale të zonës së Elbasanit, e më gjerë në rrethinat e saj, është padyshim “dalmatika”. Si e tillë ajo rrëfen se është ajo veshje e njhur që nga mesjeta, një veshje që vinte nga dalmatët. Veshja e dalmatëve, si fillim ka ngjallur mjaft debate në këtë shtrirje të saj deri në Elbasan, por më tej edhe në thellësi, deri në rrethina më të gjera. E bardha e saj dominuese, tipike për një qasje të tillë të veshjes, e endur me kujdes dhe e stiluar të përdoret në të gjitha lëvizjet, natyrisht ka fituar gjerësinë e përdorimit. Sipas, këtyre gjetjeve shekujt 7 dhe 12 normalisht janë ata që krijuan një hapësirë të mjaftueshme kohore, që veshjet të zgjerojnë gjeografi. Buk dihet nëse ishte ndonjë pjesë, apo shtrirje e ndonjë “mode” të atyre kohërave, por dihet se e bukura, estetikja gjithnjë ka frymëzuar banorët e kësaj treve, që i bëri pjesë të saj, deri në thellësi të malësisë së Shmilit, Labinotit Mal, Funarit, Kërrabës etj.


Gjetjet arkeologjike, dhe ato që janë fiksuar në arkivat etnografike të kërkuesve britanikë, që herët përcjellin mesazhin se vargojt e mezit, harqet, kallçet etj., mbahen edhe sot si dëshmi që flasin qartë për lëvizjet e kësaj pjese kulturore në fluiditetin e identiteteve. Në këtë pikë Elbasani, si trevë e ndërmjetme folklorike, ruan dhe ttrashëgon shumë kostume popullore të mirëfillta, të punuara me art e dashuri nga mjeshtri i madh popull.

Por ndërsa këto e mjaft të tjera janë rrezikuar, sikurse ndodh nga kohërat, edhe nga vitet në tranzicione, edhe në vitet e errëta të historisë së popullit shqiptar këto vlera janë mbajtur me kujdesin dhe përkujdesjen më të madhe të vetë banorëve dashamirës. Së fundi, vlera të tilla u mbajtën gjallë nga ish drejtori i Muzeut Etnografik Kreshnik Belegu. Në verën e kaluar koha e mjatueshme për të biseduar, vizita në të gjitha mjediset e mbrojtura me kujdes të Muzeut Etnografik të Elbasanit, rifokusova në shënimet e mia se e gjithë kjo paraqet një aspekt të mënyrës së jetesës, të lidhur ngushtë me historinë dhe, në të njëjtën kohë, i dallon këto veshje nga veshjet e zonave të tjera dhe të rretheve të tjera të Shqipërisë.

Kjo rrëfehet tashmë, falë përkujdesjes dhe talentit, vrullit të madh e të pashembullt, përkushtimit dhe dashurisë për këto vlera të intelektualit, Belegu, tek i cili ende struket modestia e njeriut të përkushtuar në vite.


Brenda kësaj modestie, vetë strukutura e qetë dhe fine e kësaj shtëpie tipike elbasanase, që tashmë ka emrin Muzeu Etnografik flet qartë vlera etno-kulturore, që ‘krenohet’ brenda mureve të shtëpisë karakteristike me çardak, që i takon fundit të shekullit të XVIII, si dëshmi e një jete tejet të vrullshme të këtij qyteti, veçmas në lëmin e zejtarisë, me rreth 80 lloje zejesh, veshjet dhe tipin e banesës qytetare karakteristike elbasanase. Kjo vlerë e madhe e qytetërimit, zhvillimit kulturor, një vlerë e rrëfimit të së bukurës, forcës dhe zhvillimit, aty nga pika ku ndodhet gjithnjë dhe prezenca e mjeshtrit dhe protagonistit të mbajtjes “gjallë” dhe në këmbë të saj, pas asaj që i ndodhi mjaft objekteve në Elbasanin e tranzicionit të 1990-ës, apo më së shumti të 1997-ës, pra me derën e saj të hapur, pos pusit tipik në oborrin e saj, në qendër të qytetit të Elbasanit, shumë pranë Rrapit të Bezistanit, ka më shumë se një mesazh për vizitorët e saj. E ndoshta pakkush e di se kjo ishte dikur “Shtëpia e Sejdinëve”, dhe kjo shtëpi u bë dhuratë nga vetë familjarët e saj për këtë qëllim. Dhe nga miku i palodhur i të gjithë vizitorëve, Kreshnik Belegu mësojmë se kjo shtëpi “Në planin kompozicional dhe në përgjithësi në konceptimin e saj funksionalo - arkitektonik, kjo banesë u ngjan shumë banesave me çardak që ndodhen në Berat e Shkodër”.

Më tej udhëtojmë si në ditët tona të vrullshme, kur me kamerën e “TV Dardan” dhe me lapsin në dorë fiksonim, shënonim dhe paraqisnim vlerat e lëna në dritëhije, duke ndjekur dy katet e saj, ku kati i parë ka qenë përdorur si magazinë, ku futeshin prodhimet bujqësore, si edhe ambientet muzeale, korridorin, dhomën e leshrave, dhomën e metaleve, si dhe dhoma e tabakëve dhe katin e dytë që mësojmë sërrish nga goja e mjeshtrit, se ka qenë përdorur si vendbanimi dhe përbëhet nga korridori i madh, dhoma e punës së vajzave, dhoma e grave, dhoma e burrave, si dhe dhoma e nuses. Belegu nuk harron të thotë, se kjo ndërtesë është restauruar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës në vitin 1983 – 1985, dhe në vitin 1986 ambientet e shtëpisë u përshtatën duke u kthyer në muze etnografik, ku mbahen nën përkujdesje edhe ato shenja të fluiditetit dhe vlerës identitare, që përqasen që nga “dalmatika” e deri mbajtja me fanatizëm e prodhimeve artizanale. Muzeu përmban kuadrin historik, zejtarinë, me rreth 80 lloje zejesh, veshjet , tipin e banesës qytetare karakteristike elbasanase, ku ruhen me fanatizëm prodhimet artizanale të bëra nga qytetarë të ndryshëm elbasanas, si edhe një sërë dokumentesh të cilat flasin për historinë e qytetit të Elbasanit, madje ku nuk mungojnë kostumet e burrave të cilat i gjen të varura në dhomën e burrave.


Belegu shkon më tej kur i shton bisedës vlerën e duarartave dhe mjeshtrave të kësaj treve, duke theksuar se “kostumet e burrave dhe grave të punuara nga rrobaqepësit e talentuar elbasanas, shquheshin për stilin e veçantë shqiptar, si një mozaik i pasur veshjesh që pasqyronin tiparet e krahinës etnografike, për të mos harruar mjeshtërinë e terzinjve ku shquhen për punimin e jelekëve, xhamadanëve, xhybeve, dollomaneve etj., ku kostumet e burrave e të grave dalloheshin për bukurinë dhe elegancën e çmoheshin shumë nga të huajt. Një dolloman apo xhybe e kategorisë së parë e punuar me copë kadife të kuqe të importuar që përdorej nga aristokracia e lartë arrinte një shumë të madhe. Në muze gjen punime të metalpunuesve, artizanëve, dru punuesve, armëtarëve, leshpunuesve, guri i varrit të Mark Sabidit, i cili vërteton vendodhjen e qytetit të Elbasanit, ruhet në Muzeun Etnografik edhe në ditët tona. Krahas mullinjve mbresëlënës, ndonëse primitiv të vajit, këtë muze e identifikon edhe guri mortor i legjionarit Mark Sabiti.

Gjithashtu në muze ndodhet edhe dokumenti më i vjetër arkeologjik basorelievi i skalitur në gur, stela me figurën e nuses ilire, si edhe vegja e tezgjahu që përdoreshin nga gratë të cilat endin pëlhura dhe qilima, etj. Muzeun Etnografik të qytetit të Elbasanit, i cili mbart brenda një pasuri të vyer të historisë së qytetit e vizitojnë çdo vit me qindra të huaj. Gjatë vizitës në këtë muze, mësuam se ai pasqyron në mënyrë të detajuar kulturën dhe folkun e Shqipërisë së Mesme: zejtarinë e kohës dhe jetën e përditshme të banorëve të qytetit e rrethinave. Për një vizitor të huaj apo shqiptar punimet e shajakpunuesve, qeleshpunuesve, terzinjve, punimet e opingarëve, saraçëve, punimet e zilexhinjve, armëtarëve, argjendarëve, çibukçinjve, samarxhinjve janë të dobishme për të kuptuar ndikimet dhe rrymat kulturore të zonës. Ajo që të bie në sy është origjinaliteti i çdo detaji, duke nisur nga pjesa kryesore e një shtëpie elbasanase: oda e burrave. Dhoma e grave ndryshon dukshëm nga ajo e burrave. Aty nuk mund të mungonte as djepi, i cili po ashtu është i punuar me mjeshtëri.

Muzeun Etnografik të Elbasanit. Në këtë qendër kulturore njëra nga më të mirat në vend janë të ekspozuara mbi 700 objekte origjinale, që përfaqësojnë objekte të ndryshme historike. Pjesa më e madhe e tyre janë të natyrës antike dhe i përkasin vetëm qytetërimit iliro-shqiptar. Krejt në fund të këtij shënimi do theksuar se në këtë muze ndodhe edhe një gur i rrallë ai i themelimit të qytetit të Elbasanit. Guri është zgjedhur në fundamentin e jashtëm të kalasë pas tërmetit të vitit 1920-të. Ai i përket vitit 168 të herës sonë, ku është shkruar emri “Vikus”, fshat nga i cili filloi themelimi i qytetit “Skampa”.

Në të gjithë këtë udhëjetë vlerash, kultura dhe memorja kanë një pikë të vetme, atë pikë që kërkon të zgjohet herë pas here, duke mos e llënë të përfundojë në errësirë, aty ku mjaft të tilla presin gjithnjë një dritë në fund të tunelit tonë të gjatë.

119 views

Shkrimet e fundit