Dallimet programore midis LPK dhe LDK


Gjokë Dabaj

Duke lexuar librin “Dallimet programore midis LPK dhe LDK”

(Pjesë nga shënimet dërguar autorit Dilaver Goxhaj)


E lexova me një frymë librin tënd. Kam bërë shënime gjithandej nëpër tekst dhe sërish nuk po arrij t’i them të gjitha ato që po më vijnë nëpër mendje.

Po t’i dërgoj disa nga mendimet, se ndoshta të hyjnë në punë. Sigurisht, s’ke pse i merr si mendime kategorikë, sepse as unë vetë s’i kam “pjekur” aq sa duhet.

…Ibrahim Rugovën e ka përkrahur, për të mos thënë vendosur në atë post, zbulimi amerikan, në koordinim me Vatikanin, sigurisht edhe me Sërbinë… Me të njëjtën mënyrë siç ka përkrahur (vendosur) në krye të Sërbisë edhe Sllobodan Millosheviqin. Me të njëjtën mënyrë siç ka vendosur edhe Bin Ladenin në krye të një lëvizjeje arabe antiamerikane… I ka vënë dhe i ka përdorur deri sa i janë dashur.

Është veprim krejt i natyrshëm dhe krejt i përligjur… Një bari, midis dhjetë a pesëmbëdhjetë deshve që i ka në kopé, zgjedh dashin më të përshtatshëm për t’i vënë këmborën. S’ka gjë se ai dash i sulet me brirë edhe vetë bariut. Mjafton që ta çojë kopenë andej nga i duhet bariut… Më vonë, në një ditë feste a dasme, bariu ia heq këmborën (edhe kokën) atij dashi dhe ia vë një dashi tjetër.

Sigurisht, as ti nuk do të kishe shkuar atje ku shkove, pa një lloj miratimi a orientimi nga dikush. Aty, mendoj unë, kanë luajtur rol vendimtar sidomos dy vlera të tuat: Ke qenë i specializuar për aviacionin dhe ke njohur shkëlqyeshëm gjuhën angleze.

Po këshu edhe ideja ime e “Përkujdesjes Gjithshqiptare” do të mund të vihej në jetë vetëm atëherë kur SHBA-ja ta kuptonte që ky projekt nuk shkon në dëm të interesavet të saj. Përkundrazi, zbatimi i këtij projekti do t’i krijonte terren gjithnjë e më të përshtatshëm pranisë amerikane ndër shqiptarët. Jo vetëm këtu, në të dy apo dy e gjysmë shtetet shqiptarë, por kudo ku jetojnë shqiptarët e sidomos në Turqi e në Greqi. Me 1000 “Fjalëmira të Gjuhës Shqipe në Turqi e në Greqi, Turqia e Greqia, nëpërmjet nesh, do të mbeteshin përjetësisht të lidhura me interesat e SHBA-së dhe të BE-së.

Të lidhura me interest e SHBA-së dhe të BE-së, sepse ne, si komb, jemi ekzistencialisht të lidhur me SHBA-në, si dhe me pjesën vërtetësisht proevropiane të BE-së. Them vërtetësisht, sepse duhet të dimë që ndër politikanët e Evropës ka shumë nga ata që punojnë kundër Evropës.


…Kur flasim për kapitullimin pa kushte të 700 mijë shqiptarëvet në Kosovë, është e domosdoshme të përmendet edhe përkrahja që i dhamë ne SHBA-së këtu në Republikën e Shqipërisë në vitin 1990, pa kushte! Mijëra flamuj amerikanë e pritën Bejkerin në “Sheshin Skënderbej dhe ai hoqi këpucët e u fut në xhami. Ky ish një keqpërdorim krejt i gabuar (nga ana e zotit Bejker) i besimit që ne po manifestonim ndaj SHBA-së.

Ti, përse ua ze për të madhe 700 mijë shqiptarëvet të Kosovës, të cilëvet iu tha se kështu do të çliroheshin nga Sërbia dhe ata e besuan?! E besuan, sado që edhe njeriu më naiv duhet ta dijë që liria nuk fitohet me të lypur.

Murgesha Terezë, të cilën ti e anashkalon në libër, është e njëjta “monedhë si Ibrahim Rugova. Ajo erdhi në ata vite në Republikën e Shqipërisë. Sigurisht i pa fabrikat që po rrënoheshin, por nuk tha asnjë fjalë. I pa tokat që po mbeteshin djerr, por nuk tha asnjë fjalë. I pa spitalet, ku njerëzit shtroheshin e mjekoheshin pa pará, por sot spitali me emrin e saj paguhet. Madje, paguhet aq kripur, sa një shumicë shqiptarësh nuk mund, as të shtrohen, as të mjekohen atje!.. E vetmja brengë e saja ishte që komunizmi s’e kish lejuar” të vinte e t’i vizitonte prindët. Ata prindë që ajo vetë i kish braktisur!... Murgesha Terezë shkoi edhe në Shkup, por nuk tha asnjë fjalë për faktin që sllavët e kishin zaptuar Shkupin në mbi 80 për qind të territorit... Me gjithë këto, ne i ngritëm përmendore murgeshës Terezë në sheshet kryesorë të pothuaj të gjithë qytetevet tanë. A vetëm 700 mijë kosovarët u dalldisën pas kësaj gruaje të fishkur, e cila kurrë s’kish bërë asgjë për kombin e vet?! Kush ia dha asaj çmimin Nobel, në një kohë kur shtatoret e Enver Hoxhës po i shembnin adhuruesit somnambulë të Terezës?! Somnambulë të trullosur, se ashtu i do sot njerëzit njerëzimi!

Nëse gjykojmë që pacifisten Terezë nuk na e ka prurë Sërbia, atëherë s’ka pse mendojmë as për pacifistin I. Rugova që ta ketë instaluar në krye të LDK-së vetëm Sërbia. Koordinim, pajtim interesash të çastit është e besueshme të ketë pasur, por ideja ka qenë e tjetërkujt. Ndoshta e amerikanëvet, Vatikanit, NATO-s... Përse u duhej amerikanëvet dhe NATO-s pacifikimi i popullit tradicionalisht kryengritës të Kosovës?! Është shumë e thjeshtë për t’u kuptuar: Në qoftë se shqiptarët e Kosovës do të çliroheshin vetë, si do të justifikohej hyrja e forcavet të SHBA-së dhe NATO-s në atë vend?!

...Në krahun tjetër të Shqipërisë, në Jugun shqiptar, që Evropa ia ka falur Greqisë, jo një Sebastiani, por dhjetëra Sebastianëvet, bashkëkombasit tanë po ua puthin veladonët, duke mos guxuar as Zotit t’i luten në gjuhën shqipe! Madje, mbasi u duket se kanë mbaruar punë me atë pjesë të Shqipërisë Jugore, grekët kanë sjellë mu në Tiranë një Millosheviq të vetin (me emrin Janullatos) dhe po llogaritin e po punojnë për ta bërë edhe pjesën tjetër të Shqipërisë Jugore, Himarën, Gjirokastrën, Përmetin, Ersekën, Korçën, ashtu siç i kanë bërë, Janinën, Margëlliçin, Prevezën, Konicën, Follorinën...

Dhe më thuaj: Kush nga shqiptarët e kësaj pjese të Shqipërisë po bën diçka që greku të mos veprojë kështu siç po vepron?!.

Në shtetin grek kanë shkuar me mijëra shqiptarë, i kanë duruar si skllevër shkopinjtë e policisë dhe kanë pranuar deri edhe emrat t’i ndërrojnë, shumë më keq se ata 600 mijët që u qorrollepsën pas Ibrahim Rugovës!.. (Por, për këto gjëra, që janë plagë po aq të rënda sa ato të Kosovës, ti ndoshta e ke në plan të shkruash në të ardhshmen.)

...Ibrahim Rugovës i ngrejnë monument në Kosovë, Ahmet Zogut i ngrejnë monument në Burrel e në Tiranë. Azem Hajdari vihet në të njëjtin rrafsh me Adem Jasharin, duke u ngritur monumente, si njërit, ashtu edhe tjetrit. Madje këtij të dytit, Leonidhës së sotëm të Termopilevet, ia ngrejnë monumentet si me rezerva, ndërsa Azemit, me plot mburrje!..

...Prekë Cali vihet në Shkodër krah për krah me Isa Boletinin, ndërsa shtatoret e Heronjvet të Vigut, aleatë lufte me Anglinë, Amerikën e Bashkimin Sovjetik, i degdisin në periferi të Dobraçit, atje ku hidhen edhe plehrat!

...Dil e thuaj, po munde, që Prekë Cali, duke vrarë në grykat e Pecajvet, mbi njëqind partizanë shqiptarë, nuk po “luftonte” kundër sllavëvet dhe kundër atyre që “po u shërbenin” sllavëvet!..

... Dil e thuaj, po munde, që komunizmi ka lindur në Gjermani, Angli e Francë e pastaj ka shkuar në Rusi!.. Kujt do t’i mbushet mendja?! Jo se s‘është kështu, por sepse një kategorie njerëzish nuk i intereson të mendojë e aq më pak të thotë të vërtetën. Shtirja dhe trullosja kanë arritur deri aty sa, cilindo kapitalist, kunërshtari i tij politik mjafton ta etiketojë si komunist dhe... e ka rritur numrin e votavet si me magji!

...Asnjëri prej kësaj kategorie “të mençurish” nuk do të pranojë që Stalini u eliminua, pikërisht sepse nuk ishte sllav dhe sepse, duke mos qenë sllav, po e pengonte ringjalljen e idealit rusomadh në Rusi. Ideal, i cili sot po i kundërvihet aq rrëzikshëm SHBA-së!

Që të gjithë janë mjaftësisht “të mençur e të ditur”, për ta mbushur krejt ambientin me pamençuri dhe me padituri!

…Ka dallim të madh në mënyrën si është pritur, këtu në Shqipërinë e 13-ës, ushtria italiane më 1939-n dhe si u prit ushtria e NATO-s më 2021-shin. Më 1939-n u ndodhën, një Mujo Ulqinak dhe disa shqiptarë të tjerë, për t’u thënë italinanëvet që, jo të gjithë shqiptarët janë si Ahmet Zogu. Ndërsa sot, 28 mijë efektivë të ushtrivet të huaja, mirëpriten pa as edhe një kërkesë kolektive kombëtare ndaj atyre ushtrive.

Të paktën të mos ish hequr shërbimi i zakonshëm ushtarak një ose dyvjeçar dhe ne të kishim sot edhe ushtrinë tonë, për t’i pritur ushtarët e huaj amerikanë dhe evropiano-perendimorë, jo si garantues të lirisë sonë, por si aleatë dhe bashkëmbrojtës prej rrëziqesh të përbashkët!

Të paktën të mos ishin prishur tunelet e bunkeret, në mënyrë që kjo ushtri aleate të kish ku të fuste kokën, duke u ndjerë këtu më e sigurtë se në çdo vend tjetër të botës!

Nuk po them që Oltë Xhaçka t’i kish pritur ushtritë e NATO-s si Hibe Palikuqi apo si Zonja Çurre. Është kohë tjetër dhe janë marrëdhënie të tjera. Por jo edhe të mos i përmendë askush ato dy heroina, të paktën për të bërë dallimin midis dy epokave.

Dhe, në qoftë se oficerët e NATO-s do të ishin vërtet ushtarakë vlerash të larta, ata duhej që, në ditën kur shkelën në tokën shqiptare, ta kishin çuar një kurorë me lule edhe te varri i Enver Hoxhës! Do të qe nder i madh për ta!

…Në këtë vazhdë gjykimi, ne shqiptarët duhet të sqarojmë një problem shumë të madh, që lidhet drejtpërsëdrejti me jetën a me vdekjen tonë. Me rrëzikun e shuarjes totale të kombit shqiptar!

Ta zëmë se SHBA-ja e humbi luftën përballë Rusisë edhe Kinës! (Fjala nuk sjell mort, themi ne shqiptarët.) Ç’do të ndodhë me popujt e këtyre hapësirave, në qoftë se SHBA-ja e humb luftën përballë Rusisë dhe Kinës?!

Kombet e Evropës do të tërhiqen që të gjithë me bisht ndër shalë dhe do të lidhin aleanca të reja me rusët dhe me kinezët! Kombet e gadishullit tonë, sërbët, bullgarët, sllavo-maqedonët, malazezët, grekët, jo vetëm s’do t’i gjejë asgjë e keqe, por do të fërkojnë duart: “Lum ne që na u hoq qafet SHBA-ja! …Në vitin 1945, shkinat e Ulqinit (ardhur aty nga Mali i Zi), këndonin: “Piva patka, pliva guska, eto nama dogje ruska!” (“Noton pata, noton rosa, qe dhe ne na erdh’ Rusia!”)

…Kombi shqiptar, ndërkaq, nëse e humb luftën SHBA-ja, do të jetë i rrëzikuar për t’u zhdukur i tëri! Të gjithë do t’u sulen shqiptarëvet! Në radhë të parë sërbët, por edhe grekët, edhe bullgarët, dhe do ta bëjnë këtë vend copa-copa! Nëse në luftën e parë borërore shpëtuam disi, falë edhe konjuktuarvet, nëse në luftën e dytë botërore shpëtuam, falë, midis tjersh, edhe largpamësisë së Enver Hoxhës me shokë, këtë herë, nëse e humb luftën SHBA-ja, do të jetë tepër vështirë të shpëtojmë pa u shfarosur.

Këtë të vërtetë, këtë rrezik real, në radhë të parë duhet ta kuptojnë vetë shqiptarët, por duhet ta kuptojnë edhe politikëbërësit e SHBA-së, si dhe Italia, Spanja, Franca, Gjermania, Polonia etj. Të gjithë këta, nëse janë të vetëdijshëm ç’po ndodh dhe ç’mund të ndodhë në planetin tonë, duhet ta kuptojnë që forcimi i gjithanshëm i kombit shqiptar është një domosdoshmëri rajonale jetike. Ashtu siç është domosdoshmëri rajonale jetike për gjithë këta shtete edhe forcimi i Izraelit në Lindjen e Mesme.

SHBA-ja dhe Evropa Perendimore (shtetet që i përmenda), do të duhet ta forcojnë kombin shqiptar në radhë të parë në fushën e kulturës nacionale, për t’i frymëzuar këtij kombi krenarinë e ekzistencës. Në radhë të dytë kombi shqiptar duhet forcuar ekonomikisht. Në qoftë se amerikanët, kudo që shkojnë, mundohen të përfitojnë ekonomikisht, këtu ata duhet të investojnë, në mënyrë që ne të mund të bëhemi zot i vetëvetes këtu ku jetojmë. Forcimi ekonomik i shqiptarëvet ka të njëjtën vlerë me forcimin ekonomik të cilitdo shtet përbërës të SHBA-së dhe po kështu edhe për Evropën: Sa më e fuqishme ekonomikisht të jetë Shqipëria (krejt Shqipëria!), aq më e sigurtë (strategjikisht) do të jetë ekonomia italiane, franceze, spanjolle, gjermane, polake… Ndërkaq, në fushën ushtarake Aleanca Atlantike duhet të synojë që, jo ta mbrojnë të tjerët kombin shqiptar, por të aftësohet ky komb për të mbrojtur vetëveten me të gjithë llojet e armëvet. Për t’ia arritur këtij qëllimi, shumë të rëndësishëm për aleatët tanë, hapi i parë i NATO-s (dhe i dy shetevet tanë), duhet të jetë rivendosja e detyrimit ushtarak për djemtë shqiptarë dhe stërvitje speciale për sa më shumë vajza shqiptare. Vetëm kështu shqiptarët do të mund të bëhen partner i denjë midis të gjithë anëtarëve të kësaj Aleance dhe kështu, duke pasur shqiptarët një ushtri të fortë, i gjithë ky krah i Evropës do të jetë më i siguruar dhe njëkohësisht askush rrotull nesh nuk do të jetë i rrëzikuar.

SHBA-ja dhe BE-ja kanë bërë budallallëkun më të madh që e kanë lejuar shkatërrimin ekonomik dhe ushtarak në Republikën e Shqipërisë. Aq më keq nëse kanë qenë vetë subjekt i atij shkatërrimi. Në të ardhshmen, nëse qeveritë e atyre vendeve nuk i vënë gishtin kokës, ai shkatërrim do të bjerë keqas mbi kurrizin e vetë BE-së e SHBA-së, sepse një shtet shqiptar i shkatërruar, apo dy shtete shqiptarë të shkatërruar, janë për BE-në dhe SHBA-në, barriera mbrojtëse të shkatërruara. Barriera mbrojtëse! S’po di sa e kuptojnë sot politikanët e veçanërisht strategët e BE-së e të SHBA-së, që kombi shqiptar përbën për ‘ta një barrierë mbrojtëse, një ledh, i cili, sa më i fortë e solid të jetë, aq më e sigurtë nga vërshimet do të jetë hapësira në krahun adriatiko-jonian të këtij ledhi.

Por unë po e shoh me keqardhje, që bota e sotme perendimore nuk po ka strategë të mençur e largpamës. Ç’mund të bëjmë ti dhe unë në të këtilla rrethana?! Asgjë!

…Tani le të shohim edhe pak punët tona të brendshme.

Në Kosovë, Dilaver, u përdhunuan 20 mijë femra shqiptare dhe ky është turp i përjetshëm, që bie në radhë të parë mbi moralin e kombit sërb! Sërbëvet, atdhetarëvet të vërtetë sërbë, duhet t’u vijë turp kur të takojnë diku, qoftë edhe rastësisht, një shqiptar apo një shqiptare!

Mirëpo, nga Republika e Shqipërisë, në vitet 1990 e këndej, thuhet se u shndërruan në prostituta mbi 30 mijë femra shqiptare! Ato shkuan vetë në Itali e në vendet e tjerë të Evropës Perendimore dhe iu dorëzuan vetë marokenëvet apo dikujt tjetër, për t’i shkërdhyer! (Nuk kam pse kërkoj ndjesë për shprehjen!) Po për këtë dukuri, kaq poshtëruese për ne, kujt duhet t’i vijë turp?!

…Në luftën e fundit (të fundit deri më sot), që po e quajmë Lufta e UÇK-së, shkove edhe ti, Dilaver, dhe e nderove, jo vetëm Labërinë, por krejt Republikën e Shqipërisë. Bashkë me ty dhe krahas teje, sado që nuk arritën të gjithë dhe s’kish pse të arrinin deri në krye të Shtabit Qendror, luftuan edhe jo pak bashkështetas tanë. Mirëpo, a guxon dikush të bëjë krahasime dhe a ka arsye të bëjë krahasime me numrin e luftëtarëvet që patën shkuar nga Republika e Shqipërisë, në fund të vitit 1944 dhe në gjysmën e parë të vitit 1945, për të çluruar ato krahina të Shqipërisë së përtejkufirit?!

Rugovistët sigurisht që do të flasin ndryshe dhe do të nxjerrin gjithfarë bishtash. Por e vërteta historike është se kalimi i brigadavet të ushtrisë nacionalçlirimtare shqiptare nga Republika e Shqipërisë në ato pjesë të Shqipërisë që Evropa ia kish falur dhe sërish do t’ia falte Sërbisë, bëri që numri i ushtarëvet të atjeshëm antifashistë të arrinte në 35 mijë!

Në atë mënyrë u bë e mundur që asaj pjese të Shqipërisë të mos i ngjitej përgjithmonë epiteti “bashkëpunëtore e nazifashizmit, siç kishin dëshiruar dhe punuar natë e ditë sërbët, malazezët e sllavomaqedonët, por të pranohej që jo vetëm jugosllavët, por edhe shqiptarët kishin luftuar kundër të njëjtit armik.

Unë kam bindjen që, po të mos kishin pasur shqiptarët e Kosovës e Rrafshit të Dukagjinit një ushtri prej 35 mijë luftëtarësh, falë shkuarjes së brigadavet të Republikës së Shqipërisë atje, atyre as që do t’u ish njohur autonomia! Meritë e drejtpërdrejtë që, të paktën Kosmetit iu njoh ajo autonomi, sado e cunguar, pa asnjë dyshim, ka qenë e Enver Hoxhës! A do t’ia njohë këtë meritë kaq të madhe Enver Hoxhës historiografia shqiptare e të dy shteteve?!.

…Kam këtu, Dilaver, edhe shumë shënime, nxitur nga asociacioni me ato që i lexova në librin tënd, por nuk po zgjatem më shumë.

Shpresoj që gjithsesi, këto që shkrova, do të të shërberjnë sado pak në krijimtarinë tënde të mëtejshme.

Të uroj gjithë të mirat dhe suksese, në punët e tua shumë të guximshme!

10 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif