top of page

“Dallgët”, një botë e njeriut jashtë vullnetit të tij


Vlash Fili

Dallgët”, një botë e njeriut jashtë vullnetit të tij


Dr Fatmir Terziu


Me romanin “Dallgët”, të shkrimtarit Vlash Fili udhëtimi ‘imagjinar’ është sa gjeografik, aq edhe filozofik. Karakteret kanë pjesën e tyre në këtë udhëtim. Janë ata që lëvizin mes gjeografisë dhe filozofisë së autorit dhe ndërtojnë arkitekturën sociale, politike, morale. Madje dëshmojnë më tej mes këtyre sfidave, dimensionet njerëzore. Dëshmojnë ato dimensione njerëzore që janë pjesë e kësaj udhëtese të diktuar dhe të shtrirë mes telash, kampesh, burgjesh, gjykimesh, dënimesh politike e ringurtësimesh të dimensioneve njerëzore.

Udhëtesa filozofike

Udhëtesa filozofike që detyrojnë Fuatin, Pranverën, Vjollcën dhe Edmondin të fluturojnë drejt Amerikës. Larg ‘gjeografisë reale të tyre’, larg vendlindjes, ata jo më kot në këtë ridimensionim filozofik të shkrimtarit janë ‘prindërit e tre fëmijëve, dy djem e një vajzë, të cilët i kanë quajtur Ilir, Arbër dhe Albana” (381). Karakteri kryesor i romanit, Spirua së bashku me Dianën, që jepet me nota të qarta në roman, bëhen pjesë e kësaj udhëtese gjeografike, për të dëshmuar aspektet që lidhen me hapësirën, vendin dhe kohën, mes vendosjes ‘në dheun e ëndërruar’ Amerikë. Dhe në këtë filozofi ëndërrash vjen në ndihmë gjuha sqaruese e shkrimtarit Fili: “Diana së bashku me Pranverën, kujdesen për fëmijët, kurse Spirua me Fuatin gjithë kohën e kalojnë bashkë”.

Të tjerët, Besniku dhe Fatmira janë atje ku kanë qenë, atje ku janë fëmijët dhe aty ku mbetet premtimi për të qenë me ta. Tahiri, arkëtari i ndërrmarjes, u lirua para kohe nga burgu, ‘përpos ndryshimeve poltike në vend’. Por ndërsa Tahiri u bë menjëherë anëtar i flaktë i Partisë Demokratike dhe shpejt hapi një dyqan të vogël, Gjykatësi që dënoi Spiron, nga anëtar i Partisë së Punës, kaloi me Partinë Socialiste, dhe u ngrit deri në kryesinë e kësaj partie. Jo vetëm kaq. Ai u emërua më pas në gjykatën e lartë me që ishte “Gjyqtar i zoti dhe me parime Demokratike të drejta”. (382) Prokurori që mbrojti me ‘kompetenca të mëdha’ akuzën ndaj Spiros, për ‘përvetësimin e pasurisë socialiste’, me erën Demokratike që erdhi në Shqipëri, u bë anëtar i Partisë Demokratike’ (382). Sot ushtron detyrën e noterit me firmë e vulë të thatë.

Gjeografia e karaktereve

Gjeografia e karaktereve lidhet edhe me Ibrahimin, të plotfuqishmin e fshatit të të internuarve në Shtyllas, që qysh u largua nga andej, nuk u duk më në as në Fier. Vite më vonë gjeografia e tij mbyllet, diku andej nga Tomorica, ku ishte gjetur i vdekur. Jusufi, agjenti i Degës së Brendshme, dëshmitari i Spiros, kishte filluar të lajthiste mendsh. Kështu gjeografia e tij mbetej disi e paqartë. Aqifi, shoku i burgut të Spiros, ngriti një kasole në periferi të Elbasanit. Dudushi (Adushi) nuk shkoi në fshatin e tij, pas burgut, pasi e ëma i kishte vdekur.

Gjeografia e tij u lidh mes Vlorës, miqve të tij, punës në fermë, Patos e Gorisht. Të tjerët kanë inciale të tilla me gjeografinë e vetvetes. H.M. ka privatizuar një ndërmarje me vitet që kaloi në burg… Gazmori, tipiku i humorit të shoqërisë me Spiron mbetet i pakthjelluar. Ndoshta më ‘fatkeqi’ që mbeti pa gjeografi ishte Nuriu…, që guximi dhe puna e rëndë i morëm jetën.

Teksa lexojmë këtë gjeografi të imagjinatës krijuese të autorit të romanit, natyrshëm nuk mund të mos kujtojmë edhe atë aspekt të jetës së tij që e frymëzoi të shkruajë këtë udhëtim imagjinar në vite dhe në gjeografi të plotë e të larmishme. Autori i lindur në Kuçovë më 10 shtator 1941, ka kryer në vendlindje shkollën e mesme, teknikumin e naftës. Në vitin 1964 u diplomua në Universitetin e Tiranës, Fakultetin e Gjeologjisë dhe Minjerave për shpimin e puseve të naftës dhe gazit.

Autori

Mbas mbarimit të studimeve të larta dhe deri në vitin 1970 punoi si inxhinjer në disa puse të naftës dhe gazit. Në këtë vit me kërkesë të Institutit të Naftës trasferohet atje ku punoi deri në vitin 1980. Gjatë kësaj periudhe ishte bashkautor në një seri projektesh për shpimin e puseve të thellë dhe shumë të thellë në Shqipëri.

Jepte leksione në seminaret pas universitare, të organizuara me inxhinierët e shpimit të puseve. Po ashtu jepte disa leksione, si i jashtëm, për studentët e degës së naftës në Fakultetin Gjeologji - Minjera të U. T. si dhe botoi një seri artikujsh shkencor në disa revista tekniko-shkencore të vendit. Në vitin 1980 arestohet dhe dënohet me 15 vjet burg dhe vuan dënimin e dhënë në disa kampe riedukimi (siç quheshin burgjet), në Bulqizë, Qafë Bari, Batër e Spaç. Lirohet para kohe në vitin 1986.

I detyruar nga autoritetet e rrethit të Fierit ku banonte familja e tij, jashtë dëshirës së tij, rrikthehet me punë në naftë. Në vitin 1998 e nxjerin të pa punë. I detyruar nga papunësia në vitin 2000 emigroi në SHBA. Sot jeton dhe punon në Filadelfia (Shteti Pensilvanisë). Është i martuar qysh në vitin 1966 dhe ka dy djem. Të dy fëmijët janë të martuar.

Romani dhe teksti

Pra, nga vetë kjo penelatë jete, shihet edhe qartësia e gjeografisë me të cilën autori ndërtoi romanin. Shihet qartë se si proza e tij e mbështetur në fakte jete, mbetet e organizuar në mënyrë më të clirët gjuhësore. Gjuha e prozës së tij është shumë afër komunikimit të përditshëm. Fjalia e tij është e qartë dhe gati- gati nuk fillon me rend të ri, por vazhdon aty ku ka përfunduar fjalia e mëparshme. Shpesh autori përdor një kompleks të gjerë fjalish për të shprehur kuptimin. Fili mund të thuhet se është edhe një gatues i frazave, madje nganjëherë edhe me tekste më të gjëra, që të japin idenë e një mëvetësie të prozës së tij.

Konkluzion

Ai në tërë këtë strukturë karakteresh, udhëtese imagjinare gjeografike dhe filozofike na krijon një shtyllë mbështetëse në zgjedhjen e përdorimin e figurshëm të fjalëve. E gjitha kjo sjell romanin në një stil modern. Një stil i tillë i përcaktuar nga jeta e personazheve në një limit kohor, por me një shtrirje të kohës subjective që arrin gjerësi epike të jashtëzakonshme. Mbështetur në elementët e kujtesës, shkrimtari Vlash Fili na jep një roman me rreth katërqind faqe. Ky roman mbetet jo thjesht një dëshmi i pallogaritshme, por një fakt për fate jete mes udhëtimeve imagjinare të njeriut në kohë, vend dhe hapësirë. Ashtu si edhe romancieri i madh modern, Franc Kafka, që në romanin e tij “Procesi” afroi një botë të njeriut jashtë vullnetit të tij, edhe Fili na jep simptoma të përafërta që duhen fiksuar mirë për brezat.


11 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page