top of page

DALINA


Drita Ademi


Roman

Fragment

DALINA


...pastaj u zgjova nga paranoja. Ia thash një kënge që se kisha dëgjuar kurrë. Lëshoja zërin si britmë, nuk dija ndryshe të këndoja. E hapa dritaren, mu bë se po degjoja klithmat e botës , ndoshta ishin të mijat, nuk e di. U ula ngadale për ta qetësuar veten.nuk qenka e lehtë të mendosh e të këndosh për botën, thash me vete.

Në sy më ra një gjeth . Rrinte ende gjysëmvarur në degë. Sikur të mundja t'i dhuroja pak klorofil dhe rreze dielli, mendova me vete.

Nuk e dija nëse bota po hynte brenda meje, apo unë brenda botës. Nuk dalloja kufinj brenda qenjes time. Ende e bërë qull nga ankthi,vendosa ta them të vërtetën.


E hënë


Zëri im ishte frikë për mua. Mundohesha të mos flisja. Heshtja ime përngjante me një heshtje botërore.Kështu e ndjeja unë. Kur të tjerët flisnin me zë të lartë e qeshnin, doja tê futesha e gjallë në dhe.E kam fjalën për ata, të cilëve edhe sot e kësaj dite nuk dëshiroj t'ua përmendi emrat.

Sapo dëgjoja fjalën dashuri, mundohesha të fshihesha.Më vinte për të vjellur. Diçka në gjoks më shtërngonte fort, sikur kisha gëlltitur gurë që nuk shkrihen. Ishte e pamundur t'i ikja kësaj ndjenje të cilën nuk e kuptoja se çfarë do më sillte në jetë. Ndihesha e vetmuar, e shtypur, e çrrënjosur. Vetja ime më ngjante me një gjeth që e lëkund era, sa andej, sa këndej.

Isha vetëm nëntëmbdhjetë vjeçe.

Kur ndodhesh në situata të tilla nuk është lehtë t'i kontrollosh ndjenjat dhe mendimet. Ato vijnë si nji llum i mbushur me degë , rërë e ku di unë çfarë, pastaj duhet kohë për t'u këthjelluar.

Ishin bërë plot shtatë vite që kisha mbetur e vetme në shtëpinë e xhaxhait. Së pari më vdiq vëllau. Thonë se e helmuan në shkollë serbët.Nëna e shkreta nuk mundi ta përballonte dhimbjen dhe vdiq pas katër muajve. Babai jetoi në dhimbje edhe tri vite e dy muaj pas nënës. Vdiq nga tuberkuloza. Mbeta e vetme.

Ishte kohë hermetike dhe vetë dhimbja ishte hermetike.Situata në vend, ngjante me një kazan ku hedhen përbêrsit e një sallami pa recetë.

Askush askujt nuk i besonte.

Dikush thoshte se do të bëhej luftë. Fshatarët jetonin në varfëri. Ujqit shpesh binin nga malet dhe ua shfarosnin bagëtinë.

Përkundër të tjerëve, xhaxhai im dhe familja e tij, ku jetoja dhe unë, kishim mjaftë të mira materiale. Xhaxhai kishte trashëguar edhe pronën e babait tim. E punonte tokën, shiste bagëtinë. Kishim kushte të mira jetese por, jo dhe harmoni.

Çdo ditë ndjeja peshën e rëndë të jetës, ndihesha e vetmuar. Gruaja e xhaxhait shpesh më thoshte se së shpejti do të martojmë dhe do ta krijosh familjen tënde. Nuk i pritej të më largonte nga shtëpia e tyre, mendoja me vete dhe qaja.

Vijoja mësimet në shkollën e mesme. Isha në vitin e katërt.

Deri në shkollë gjithnjë më përcillte djali i madh i axhes. Pas shkollës deri në shtëpi prap djali i dytë i axhës. Ndihesha e palëvizshme. E paralizuar. Por, kisha një dëshirë të madhe për të mësuar në shkollë.

Shpesh më përqeshnin shoqet dhe shokët e shkollës, për "rojën" që ma bënin djemtë e axhës.

Ndihesha e turpëruar në atë kohë të egër. Kosova ishte mbërthyer në një situatë të egër. Frikë e mjerim i madh ndjehej kudo. Frikë nga lufta dhe mjerim sepse punëtorët shqiptarë shumicën i kishte larguar nga puna regjimi jugosllav i asaj kohe.

Ideja e ikjes nga shtëpia e xhaxhait dhe vendit ,ishte shpëtim për mua, mendoja me vete.

Flija e vetme në dhomën e prindërve të mi. Mendoja gjatë para se të flija.

Një ditë u ashpërsua situata në familjen e xhaxhait. Tre burra kishin ardhur për të kërkuar dorën time tek xhaxhai. U mbylla në dhomë duke qarë. Sikur po hapej toka për mua. Nuk dëshiroja të martohesha, nuk ndjeja gëzim për jetën e aq ma pak për t'u martuar me një burrë të panjohur.

Përkundër dëshirës time, xhaxhai u kishte premtuar atyre burrave se sapo të mbaroja shkollën e mesme do të me martonte me burrin e panjohur.

Menjëherë u mbylla në dhomën e prindërve të mi. Qajta gjithë natën me ngjashërim. Të nesërmen nuk shkova nė shkollë. U thash se jam e sëmurë.

Pasi kaloi ora nëntë, vendosa të vizitoja varrezat. Aty ku preheshin prindërit dhe vëllau im i vetëm.

Të nesërmen natën.

Hija ime më trembte.I futa dyzet lirat që nëna mi kishte falur në një çantë lëkure.Çanta ma mbulonte shpinën, ishte e tepër e madhe.Para se të nisesha, putha nënkresën e nënës. Me një cep shamie i fshiva lotët. Kisha frikë se do më zbulonin ata.

Ideja e ikjes sado që ishte e frikshme më sillte një lloj paqe shpirtërore.

Doja të ikja diku larg, ku nuk me njef njeri.Në një vend të lirë. Doja të harroja çdo gjë që kishte ndodhur me mua por, duke ecur, këmbët nuk më mbanin, i tërhiqja zvarrë. Ndjehesha gjysëm e vdekur.

70 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page