top of page

“Cili vend është ky?”

Updated: Apr 16, 2020


“Cili vend është ky?”

Astrit Lulushi




Një vend, ndodhur në shekuj në kufi midis dy perandorive, arrinë të bëhet vetëm një gjysmë-shtet me vështirësi identiteti me shprehje kulturash të ndryshme, njëra tërhequr nga perëndimi e tjetra nga lindja, dhe ku veset gjallojnë.

“Nata e Dymbëdhjetë”, titull bazuar në një udhëtim në disa vende gjatë periudhës Mesjetare për të shënuar fundin e 12 Ditëve të Krishtëlindjes (25 Dhjetori - 5 Janar). Dita e fundit e kësaj stine festive, e njohur thjesht si Nata e Dymbëdhjetë, ishte një shkëputje nga rutinat e përditshme, me të pira e të ngrëna pa masë, larg rregullave dhe status quosë shoqërore; kur fshatarët bëheshin zotër, pronarët, shërbëtorë dhe e gjithë bota në përgjithësi kthehej përmbys, përkohësisht, siç duket çdo ide e re në lindje.

Pjesa teatrale, e shkruar nga William Shakespeare, ishte planifikuar të interpretohej Natën e Dymbëdhjetë. Performanca e saj e parë e regjistruar ishte në vitin 1602.

Personazhi kryesor, Viola, maskon veten që të mashtrojë më tej veten në shoqërinë e Dukë Orsinos.

Studiuesit mund të flasin shumë për shfaqjen, por ajo që e bën të rëndësishme lojën e Shekspirit, nuk janë personazhet, por vendi ku zhvillohet pjesa më e madhe e saj. Viola dhe vëllai i saj, Sebastian, po udhëtonin me anije në det kur i zuri një stuhi e fuqishme. Anija mundi të ankorohej në breg, por vëllai i Violës për fat të keq nuk mund të gjendej. ‘Cili vend, miq, është ky?” - pyet Viola. Kapiteni i përgjigjet: “Kjo është Iliria, zonjë”.

Kur William Shakespeare shkroi Natën e Dymbëdhjetë, shumica e bregdetit Adriatik kontrollohej nga Republika e Venecias, një nga shumë principata të fuqishme italiane. Ishin vitet e fundit, ndërsa osmanët pritej ta pushtonin këtë territor. Njësoj, edhe periudha Elizabetiane në Angli po mbyllej.

Para kësaj, iliria ndahej mes disa mbretërive dhe territori i saj shpesh ndërronte pronësi. Në kohërat e lashta, rajoni ishte pushtuar nga Romakët. Para hyrjes së romakëve, peizazhi ishte një mori fisesh të ndryshme të pavarura dhe konfederata fisnore, disa më të fuqishme se të tjerët. Vetë Evropa Jug-Lindore është një zonë interesante tranzicioni, ku duket se gjërat nuk janë tërësisht evropiane dhe nuk janë plotësisht aziatike. Ndoshta kjo kishte të bënte me faktin se rajoni dikur kishte qenë pjesë e Perandorisë Romake, e cila shtrihej nga Spanja në Siri. Sidoqoftë, gjatë shekullit V, perandoria u nda në gjysmat perëndimore dhe lindore. Kryeqyteti i Perandorisë Perëndimore Romake ndryshoi shpesh për shkak të presionit të pushtimeve barbare dhe luftërave civile, por kryeqyteti i Perandorisë Romake Lindore ishte gjithnjë Konstandinapoli, Qyteti i Konstandinit, një tjetër figurë e shquar me prejardhje ilire. Që nga ajo kohë, Evropa Lindore mbeti një zonë si tampon midis perëndimit klasik romak dhe lindjes ekzotike Persiane. Gjatë fundit të shekullit V, kur Perandoria Romake u shemb përfundimisht, dallimi midis lindjes dhe perëndimit u bë gjithnjë e më i dukshëm. Perandoria e Lindjes u quajt Bizant pasi shtrihej ‘Midis’ Perandorisē Romake në perëndim dhe Perandorisë Persiane në lindje. Perandoria Perëndimore mbeti e ngurtësuar në shumë mbretëri të vogla, shumica me origjinë gjermane, ndërsa Perandoria Lindore, vazhdoi edhe 1 mijë vite, deri në pushtimin osman, duke mbetur edhe sot në mendësinë e shumë njerëzve.

25 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page