Sejdi BERISHA:
CILI ISHTE KY UNIVERS
(Ose, një grimë hartë e atdheut tim...)
1.
Cili është ky univers
Të cilin nuk e prek dot
Të cilin nuk arrita ta shohë kurrë
As ta nisi mësimin për te
Bile për një grimë hartë
Të atdheut tim...?!
2.
Në teatrin e tij hyra
Dhe ngela në sallën
Ku heshtja dhe zhurma
Përqafoheshin fortë e fortë
Kurse në skenë
Dritë e terr bashkë
I prisnin aktorët për lojë
3.
Një kohë të gjatë i prita
Artistët të dilnin në skenë
Por sikur pritja dukej
Si zog i trembur që qiell
4.
Në sallën pa shikues
Më kishte zënë gjumë i rëndë
Derisa nuk u zgjova i trembur
Nga kllapia e kllapive
M’u duk se dikush
Ma kishte bërë copë-copë trupin
E gjaku ishte çmendur
Me kujtimet dhe ëndrrat e vjetra
5.
Cili është ai univers
Të cilit i kam thurë vargje magjie
Për të bukurën edhe për të lumturën...
6.
Shumë shtaga kërrutë i harxhova
Duke ecur rrugëve të vjetra
Edhe gurët i bëra çuk
Duke pushuar me mendime të gjata
Por dot nuk e gjeta rrugën e re
7.
Në hyrje të disa rrugëve të tjera
Lulet i kishin vënë si shirit
Për të mos kaluar askush andejpari
Thanë se ato rrugë shpijnë larg
Atje te perandoritë e paqes
Edhe tek pallatet e dashurisë
8.
Tri palë thinja e ndërruan njëra-tjetrën
Duke pritur në këto hyrje që dridhin
Por aty ngela duke i shpaluar
Vitet e kaluara të jetës
Po sa ishin moshuar ato mote
Asnjërin nuk e njoha...
9.
I përkëdhela si fëmijët e vegjël
Pasi kuvendova pak me ta
Në atë takim të ngrohtë e të ftohtë
Bashkërisht e ndërtuam një çerdhe
Nuk di se për kë
Për dallëndyshet
Për lejlekët e përrallave
Për shqiponjat
Apo për zogjtë që kurrë nuk vijnë
Apo për rrugëtimin tim...
10.
I takova vitet e deceniet
Mbi ta shtriva krihet
Si pula mbi zogjtë e vetë
Nga sorrat e zeza për t’i mbrojtur
11.
Duke ëndërruar për universin
Që dot nuk mund ta prekë
Sërish më kishte zënë gjumi
Nuk e di
Në sallën e teatrit
Apo në skenën e dhembjeve
12.
Kur sërish u zgjova
O Zot po çfarë trishtimi
Më dukej se isha në një barkë
Që vergi i ka lëkundjet
E deti bënte sehir
Kurse uji shikimin tim të mekur
E trishtonte si cunami...
13.
Po cili është ai univers
Në të cilin hyra diku në skutat e tij
E dot nuk dal nga ai
Bile për ta përqafuar ngrohtësinë
E shpirtit tim në rebelim të dashuruar
14.
Sa pa lidhje është jeta
Tash dorë për dore me universin
Shëtisim për qejfin tonë
Në bukuritë që nuk ekzistojnë...
15.
Cili është ky univers
Që asnjëherë nuk e njoha
Me të cilin asnjëherë nuk u pajtuam...
(©S. B.)
Comments