top of page

Cikël poetik


Cikël poetik

LOTI

Loti i mallit ngjizet vet,

Si pika mbarsur te retë…

Nëpër faqe rrokulliset.

Rrezik se cepbuza digjet!…

VLORËS

Vlorës çela , Vlorës rritem

Lart e poshtë , aty vërtitem…

Po s’më patë ndonjëherë

Vlorës do të fryjë si erë!..

FJALËVAJZA

V – alë e ngrohtë fjalëvajza

A – s dielli , s’e konkuron

J – etën tret për nën’e babë

Z – emrën balsam, i shëron

A – po në të “ rrallë “s’qëndron?!..

FLAKË

O pena ngjyer në gjak

Unë të fik, ti ndizesh flakë…

Gjëmoj, shpërthej si tërmeti.

Shkarkoj një zemër poeti!…

MOS

Foli fjala…, mos e mos!

Mos me mbllef, se më “përdhos“. ..

As me flakadan në gji,

Mos më nxirr, se më bën “hi!…

NËN FASADË

Që kur linde rebeluar,

O syri im “arrakat“…

Jo, se dua, më tërbojnë,

“ Plehrat “ grumbull nën fasadë!…

PA DËGJUAR

Jam gjinkalla mesgushtjare,

Vapën ” çjerr ” me cërr-en time…

Thua , të jem violinë,

Kur më mbysni me klikime?!..

Më thoni me dorë në zemër ,

U pëlqen cërr-cërr-ja ime???…

Apo pa “ dëgjuar “ fare,

Si luspa peshku pëlqime?!…

HAPE

Hape , mos më lër pas dere

Jam e ëmbël si koshere…

Ç’ka se majhoshe nga jashtë

Të më shtrydhësh kulloj mjaltë!..

ÇIKË

Ti beqarja,virgjëreshë,

Me përçmim, mos më shih mua!

Çikë beqare jam dhe unë,

Për sa s’kam “ burrë“, nuk jam grua!…

PËRSHTAT

Hekuri, sa është i nxehtë

E lakoj, përshtat si dua …

Po u ftoh shumë e vështirë

Mbi të, të bëj çfarë të dua!..

E DËNUAR

Fli moj fli!

Fli, me thanë…

Lermë! E “dënuar“ jam.

Më hedh vargu havadan!..

GEN

Gëzohu! Gëzohu! O Gen, Arbërie!

Ndizu! Flakërou për flamur Lirie.

Hajdeni t’ia themi… Rroft Pavarësia!.. Ismail Bej Vlora, BABËKOMBËSIA!…

A MANGËSI

Të kesh zemrën top dëbore,

S’di ësht’ fat a mangësi?!

Pabesia tinëzare

E ndot atë bardhësi!…

TË MOS PLASJA

Dot s’e mbajta…

Ish e madhe…

Të mos “plasja“,

Hodha valle!…

PIKËZË

Pikëzë, moj pikëzë,

Detit ç’i jep dashuri?!

Merakosur, vallë për të,

A të ngjisësh vet, prej tij?!

GOJËN KURR

Nuk jam pemë, që “mbështetem“,

Por për ca nga ju, edhe tretem…

Nga balli im, në s’pikoi,

Gojën kurr, s’e lëngështoj!…

PSE NGJITEN

As shokohem, as habitem,

Ferra me drizën pse ngjiten?!

Shkurre të një habitati, Zemërfishkurarasati!…

MË KEQ

Më kerkove, te te vesh

Me virtyte, kur nuk ke…

Shkrir’ “talentin“ te mbulova,

Ti dole më keq, seç je!…

as një

nga të gjitha as një s’kisha

ju më mbytët, jooooo…, nuk bën…

durohet tmerri i asgjë-së?…

“ nukbën-ën “ shtrëngoj me

dhëmbë!..

BËHESH DOT

Ah, moj vete, a s’më thua…

Bëhesh dot motër për mua?

Ç’më ngarkon me shenjtëri?

S’bëhem dot kapak flori!…

DO FLAMUR

Më plaç buzën“, do flamur,

Kur në kohë, nuk shtive kurrë…

Po trimërohesh “luan“,

Kur milioni ndez dynjanë!…

MAJAMUZËMIELLDITURI

Më pyet , ç’është poezia?…

A, s’më thua në e di?…

Me ç’gatuaj , them se është

Majamuzëmielldituri!…

AS TË LEU

Gur e mur, kërkon të ndizesh

Pa u ndezur, s’di, pse fikesh ?!..

Bup…, veç grimcë “ Prometeu “

Jo…,që s’ke , pooor , as të leu!..

POEZI E ZONJËRI

Pse, o zot ,s’më bëre dy???…

Njëra zonjë për shtëpi, tjetra “ bridh “ me poezi…

Kur më rrëmben poezia , tym e flak bëhet shtëpia…

Kur më mban “ lidhur “shtëpia , thikë “ të prerat “ poezia…

Pse, o zot në ” një ” përzieve , poezi e zonjëri?…

Kujt t’ia prish e kujt t’ia ndreq ???…

Të dyja janë shenjtëri!..

izeop

çmendurisht e dashuruar

me shenjtërinë izeop

gjithë natën në një jastëk

s’e tha Zoti, se më ngop…

për të, do t’jem e uritur

në, se rrugën marr për ” lart “

amanetin, s’e tret dheu

izeop në epitaf!…

Approve

Decline

Send


18 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page