Caush Kullafi: Olsi KOMICI , djali fisnik i LibrazhditKartolinë për Vitin të Ri.
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Jan 1
- 2 min read

Nga Caush Kullafi
Ftesa për të qenë pjesë e darkës festive të organizuar nga Bashkia Librazhd, me mikpritjen e kryetarit të bashkisë z. Mariglen Disha, ishte jo vetëm një nder institucional, por edhe një mundësi reflektimi mbi vlerat njerëzore që ky qytet ka ditur të kultivojë ndër vite. Në këtë mbrëmje festive, ku ishin të pranishëm personalitete të shquara të Librazhdit nga fusha të ndryshme të jetës shoqërore, kulturore dhe intelektuale, u krijua një atmosferë dinjitoze, përfaqësuese e traditës qytetare të këtij komuniteti.
Asambli i Librazhdit, me interpretimin e artistëve Librazhdit, plot art dhe identitet, ishte një nga momentet kulmore të mbrëmjes, duke i dhënë aktivitetit bukuri artistike dhe shpirt autentik. Por, përtej programit të përgatitur me kujdes, ajo që më la një mbresë të veçantë ishte takimi njerëzor, ai komunikim i drejtpërdrejtë që shpesh flet më shumë se çdo fjalim zyrtar.

Në këtë kontekst, pata kënaqësinë të takoja një djalë fisnik të Librazhdit, Olsi Komici i. Që në përshëndetjen e parë, ai u dallua për etikën e komunikimit, thjeshtësinë dhe mirësinë njerëzore. Me një sjellje të natyrshme, larg çdo pozicionimi artificial, Olsi më befasoi me respektin dhe kulturën e dialogut. “Lexoj çdo shkrim tuajin,” më tha me sinqeritet, “shkruani bukur dhe esencial.” Ishte një vlerësim që nuk vinte si formalitet, por si dëshmi e një lexuesi të vëmendshëm dhe mendjeje të formuar.
Gjatë gjithë mbrëmjes, duke e vëzhguar në raport me të tjerët dhe në biseda të ndryshme, kuptova se atë nuk e karakterizonte aspak fodullëku apo vetëpromovimi, por mirësjellja, dëgjimi dhe respekti për tjetrin. Ky fakt më gëzoi thellësisht, sepse kjo është një tipar që prej kohësh e identifikoj si vlerë themelore të librazhdasve: qytetari e heshtur, fisnikëria pa zhurmë, dinjiteti pa nevojë shfaqjeje.
Në reflektim, më erdhi natyrshëm mendimi popullor se “trëndafili i mirë del nga një bimë e shëndoshë”. Olsi Komici vjen nga dy prindër të mrekullueshëm, njerëz që gëzojnë respektin e gjithë Librazhdit, dhe kjo trashëgimi morale reflektohet qartë në formimin e tij njerëzor. Edukata familjare, e ndërthurur me kulturën qytetare, ka ndërtuar tek ai një profil që imponon respekt pa e kërkuar atë.
Ky shkrim nuk është shkruar për një figurë politike, as për një rol publik, por për një djalë që e fiton respektin përmes sjelljes, komunikimit dhe vlerave që mishëron. Në një kohë kur shpesh vlerat e vërteta zbehen nga zhurma dhe aparenca, figura të tilla përbëjnë shpresë dhe model për brezat e rinj.
Le të shërbejë ky shkrim si një kartolinë simbolike për Vitin e Ri, i nderuar Olsi Komici, me urimin që fisnikëria, thjeshtësia dhe kultura njerëzore të mbeten gjithmonë busulla e rrugëtimit tuaj. Librazhdi ka nevojë për bij të tillë.









Comments