top of page

Ca të pathëna për besimet tona fetare

  • Apr 9, 2023
  • 3 min read


Herë në formë shakaje dhe herë me seriozitet, në biseda të ndryshme flitet për besimet tona fetare. Përmendet fakti që, gjatë pesë shekujsh populli ynë e ka ndryshuar dy herë fenë: në kohën e Turqisë (të pushtimit osman) babai quhej Vasil, ndërsa i biri u quajt Mahmut; në kohën e Greqisë (të mërgimit të shqiptarëve atje) i ati quhej Sadik, i biri u bë Alqiviadh. Dukuria e lartpërmendur nuk lidhet kurrsesi me trysni, por kryesisht me faktorë materialë, ekonomikë. Sepse, sado që të rezistonin të krishterët në kohën e Turqisë, më në fund do të dorëzoheshin para dhunës së të huajve. Madje dhunë kanë ushtruar vetë shqiptarët ndaj shqiptarëve. Le të kujtojmë mizoritë e Ali Pashë Tepelenës (“Gjak e dhjamë të kullova, / Por fenë dot nuk ta ndrrova”). Ndërsa në Greqi as që mund të bëhet fjalë për akte dhune.

Thelbësore është që shqiptarët kanë pasur vetëm një fe të vërtetë: shqiptarizmin. Duke mbrojtur gjuhën, mbrojtën edhe identitetin kombëtar. Shumë klerikë vunë mbi fenë idealin kombëtar dhe sakrifikuan gjithçka për kombin, u falën në Altarin e Kombit. Ata ndikuan fuqimisht që në vendin tonë të mbizotërojë një mirëkuptim shëmbullor ndërfetar dhe të mos krijohen parti fetare të mirëfillta, ekstremiste. Ka popuj që ruajtën me fanatizëm fenë, por humbën gjuhën, pra identitetin.

Gjatë bisedave me temë fenë, dëgjon edhe ndonjë thënie thumbuese, si “lafshëprerë, besëkthyer” (për myslimanët) dhe “kaur” për të krishterët. Në të dy rastet shpjegimi është i thjeshtë. Në kohën e pushtimit osman, “besëkthyeri” është pikërisht i krishteri, pra ky e ndrroi fenë duke braktisur Kryqin për Gjysmëhënën, ndërsa në Greqi ishte myslimani që bëri të kundërtën, pra u bë i krishterë duke lënë Gjysmëhënën për Kryqin. Pra le ta mbyllim me kaq këtë temë që nuk na sjell asgjë të mirë!


Veza e kuqe *

Në traditën ortodokse të Pashkëve, veza e ngjyer me të kuqe ose me ngjyra të tjera është një nga elementet kryesore. Ngjyrosja shoqërohet me fjalët “Krishti u ngjall”, që pasohet nga fjalët “Me të vërtetë u ngjall”. Qysh para lindjes së Krishtit ekzistonte zakoni për dhurimin e vezës, si simbol i pjellorisë, i baraspeshës, i jetës dhe i përtëritjes së natyrës, por zakoni i ngjyerjes së vezës haset për herë të parë te kinezët, afro dy mijë vjet para Krishtit. Më vonë, në shumë varreza të krishtere janë zbuluar cipa veze, ndërsa në lashtësi, sidomos tek egjiptasit, veza u bë simboli i botës dhe i përjetësisë, duke u nisur nga forma e saj e përkryer: pa fillim e pa fund. Veza e kuqe u bë simboli i krijimit dhe i ringjalljes, sipas shembullit të Jezu Krishtit. Ngjyra e kuqe nënkupton Gjakun e Zotit të derdhur në kryq për njerëzit, për shpëtimin e tyre, por edhe simbolin e ringjalljes së të vdekurve. Legjenda thotë se Maria Magdalena i është shfaqur Perandorit Tiberiu me një vezë të kuqe në dorë dhe i ka thënë: “Krishti u ngjall!”. Sipas disa studiuesve ky është edhe shkaku i futjes së vezëve të kuqe në traditën e kremtimit të Pashkëve. Të tjerë mendojnë se zakoni i vezës së kuqe u mor nga Kisha dhe iu rezervua vend gjatë meshës së Të Dielës së Pashkëve kur lexohet lutja e bekimit të vezëve dhe të djathit. Përdorimi i ngjyrave të ndryshme u praktikua kryesisht nga popujt e Evropës e të Azisë, por romakët ishin ata që e përsosën më tej këtë zakon me teknikën, materialet dhe simbolistikën që vunë në punë. * Një mik i imi më kërkoi t'i tregoja diçka për zanafillën e zakonit të vezës së kuqe. Ia plotësova dëshirën. Po e ve edhe këtu me mendimin se mund të jenë të interesuar edhe të tjerë.



Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page