Buron Kaceli: Një Rezidencë Arti në "Malin e Lirisë"
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Sep 13
- 2 min read

Në malin mbi Rahovec, në kraharorin e të cilit qëndrojnë si dekorata disa lapidarë kushtuar dhjetëra dëshmorëve të luftës për liri, ndodhet edhe Rezidenca e Artit, dhuratë e Komunës së Rahovecit për zhvillimin e artit dhe kulturës në vend. Është një shtëpi e bukur njëkatëshe me oborr të rrethuar e të kuruar me kujdes, me flamurin në ballë dhe, së fundmi, me rastin e “Kolonisë Ndërkombëtare të Artit, edicioni i 24-t”, e stolisur edhe me flamujt kombëtarë të artistëve pjesëmarrës nga disa vende. Ka gjithçka për një jetë normale për artistët që do të mirëpriten për të zhvilluar krijimtarinë e tyre në qetësi dhe në kushte të nevojshme. Një mundësi kjo që shpesh e kemi biseduar mes artistësh dhe e kemi ëndërruar të realizohej. E bëri realitet Komuna e Rahovecit, duke dëshmuar një nivel të lartë kulturor. Është rast unik në gjithë hapësirën mbarëkombëtare dhe shpresojmë të shërbejë si shembull edhe për bashki e komuna të tjera, që të krijojnë hapësira ku artistët të qarkullojnë, të shkëmbejnë përvoja dhe të krijojnë vepra të gjinive e llojeve të ndryshme, në shërbim të zhvillimit të artit tonë kombëtar.
Rezidenca ka tre dhoma gjumi me nga dy shtretër, ambiente shoqëruese, zyrat e nevojshme, hapësirë magazinimi, ambiente gatimi e ngrënieje, si dhe sallën e ekspozitave.
Fehmi Hoxha, artist piktor nga Rahoveci, ish-luftëtar i UÇK-së dhe një nga ideatorët e këtij institucioni, shprehet i lumtur për këtë arritje dhe flet me besim e entuziazëm për plotësimin e rezidencës me një odeon anësor, për të cilin terreni është pothuajse gati, si dhe për projekte të tjera në shërbim të zgjerimit të aktiviteteve.
Jo larg, në krah, ndodhet stadiumi i futbollit të qytetit, ndërsa rreth 200 metra më tej ndodhet një tjetër lapidar kushtuar disa luftëtarëve të tjerë dëshmorë të lirisë. Pas disa kthesave nëpër mal, arrin në Majën e Shkodranit, një tjetër atraksion edukues e formues të ndërgjegjes kombëtare të rinisë. Ky memorial, i mirëstudiuar me hapësirat e nevojshme për tubime e aktivitete patriotike, ofron një pamje mahnitëse: në sfond shfaqen qytetet e Prizrenit, Gjakovës, Pejës dhe shumë qendra të tjera të banuara, të rrethuara nga malet, kështjella natyrore të shqiptarizmit. Memoriali i kushtohet katër dëshmorëve të lirisë, mes të cilëve vullnetari për çlirimin e Kosovës, i riu nga Shkodra, 31-vjeçari Arian Xh. Brahimi, në nderim të të cilit Rahoveci e ka quajtur këtë vend “Maja e Shkodranit”. Një emocion i veçantë.
Ky mal, të cilin unë e quajta “Mali i Lirisë”, me gjithë këtë histori heroizmi e përkushtimi për liri, me stadiumin e futbollit aq të frekuentuar nga rinia dhe me Rezidencën e Artit në mes, këtë xhevahir mes lapidarëve dëshmi të heroizmit, do të mbetet pa dyshim një tempull i shpirtit dhe kulturës sonë kombëtare që do të rrezatojë në gjithë shqiptarinë.
Rahoveci nuk do të njihet vetëm për vreshtarinë dhe vetmohimin për liri, por falë përkushtimit të këtyre njerëzve të punës e të pushkës, edhe për artin e kulturën në nivele të larta.
Më falni që u zgjata, por nuk mund të mos shprehja kënaqësinë si artist për këtë arritje të Rahovecit dhe emocionet e veçanta që më shoqëruan për pesë-gjashtë ditë si i ftuar në edicionin e 24-t të Kolonisë Ndërkombëtare të Artit.















Comments