BUJAR QESJA: - Çfarë rasti! Çfarë shembulli!
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 4 hours ago
- 2 min read

Jorgjia Jankulla mbretëresha e Voskopojës
- Çfarë rasti! Çfarë shembulli!
BUJAR QESJA
Gushti po shtyn ditët e fundit dhe pushimet tona po sosin. Përshtypjet janë si fresku që vjen nga lartësitë e maleve dhe ulen në këtë që quhet shpirti ynë.
Bujtëm në bujtinën " Joana dhe Jorgjia", pronë e çiftit Spiro dhe Jorgjia Samara. Është nga bujtinat më të famshme të Voskopojës. Dhe të tillë e ka bërë ky çift njerëzish të mirë, por punëtorë mahnitës, duke punuar nga ora 5 e mëngjesit, e deri në 12-të të natës, ku dita e re është gati të nisë sprintin.
Nga shumë foto, që fiksojnë qendrimin tonë një mujor në këtë qytezë moderne, pikante në arkitekturë, kulinari dhe mikpritëse, po bëjmë publike këtë pozim të Kostandinës time me zonjën e madhe të Voskopojës Jorgjia Jankulla.
Jemi lart në katin e tretë. Kjo pamje tret në të, pjesë të bukurisë natyrore të kësaj zone aktive turistike. Është shumë e vështirë të qendrosh me Jorgjien qoftë edhe pak minuta. Është shumë, shumë e zënë me punë.

E kam thënë edhe në një rast tjetër. Jorgjia vjen nga fisi përmetar Jankulla dhe lidhi jetën me Spiron nga fisi Samara i Voskopojës. Punuan në Greqi. Mblodhën të ardhura dhe i dhanë shtat bujtinës së tyre moderne.
Dhe çfarë bën kjo grua e hekurt? Përse e quajta mbretëreshë? Çfarë është brenda bujtinës, nga më të mëdhatë e Voskopojës, si një turbinë gjigande vihet në lëvizje nga Jorgjia Samara.
Lan, fshin, pastron, hekuros, pergatit dhomat për turistët nga brenda dhe jashtë vendit, gatuan dhe manaxhon. Bujtina e Jorgjies dhe e Spiros, nuk ka një ditë qetësi. Kur kapaciteti akomodues kalon kufirin, kjo mbretëreshë ndihmon fqinjët. Emri i saj është shumë i njohur jo vetëm në Voskopojë, por shumë e shumë më gjërë.
Vitet kalojnë dhe të gjithë që vijnë këtu, në heshtje vështrojnë Jorgjien që po moshohet.Dhe befasohen me punën e jashtëzakonshme që kryen. Punon sa për 10 veta.
Dhe unë së bashku me to pyesim veten:
Si është e mundur që ia del?
E dimë që është prej mishi dhe prej gjaku, por punët që kryen është pak të thuash që ngjason e fortë si hekuri.
- Mos më shikoni ashtu, nget humorin Jorgjia. Edhe vitin tjetër kështu do të jem. Nuk plakem unë, jo! Nuk më lënë punët as ta mendoj këtë.
Kostandina në një kujtim me heroinën e Voskopojës. Ndodhen në katin e tretë. Por shumë kate më lart, e ka ngritur stekën e punës kjo Samaraj e Voskopojës.
Të paçim zonjë e çeliktë! Të paçim Jorgjia! Është Jorgjia e fisit Jankulla të Përmetit.
Çfarë rasti! Çfarë shembulli!
Comments